Heqja e tavanit të borxhit, një precedent i rrezikshëm

733
Sigal

 EKSKLUZIVE/ Prof.dr. Ermelinda Meksi, Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mbi Buxhetin 2013-s

Në pjesën e parë të intervistës së saj Prof. Dr. Ermelinda Meksi, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, analizoi buxhetin e vitit 2013, më saktë pikat më të dobëta të tij. Prof. Meksi shtroi pyetjen  pse Ministria e Financave paraqiti dy skenare buxhetore, me një qasje krejt të ndryshme nga njëri-tjetri dhe me pasoja që sollën ndryshimin e ligjit mbi tavanin e Borxhit etj. Në këtë pjesë të dytë të intervistës, zonja Meksi ndalet në atë se sa qëndron pretendimin e qeverisë se rritja e investimeve është stimul për rritjen ekonomike, ndërsa heqjen e tavanit e konsideron pa mëdyshje një precedent të rrezikshëm, ndërkohë që KE ne raportin e progresit të tetorit të këtij viti këshilloi në formën e rekomandimit pa zhurmë për uljen e borxhit publik.

(Vijon nga numri i kaluar)

– A mund të sqaroni më mirë se ç’mendim keni për pretendimin e qeverisë se rritja e investimeve është stimul për rritjen ekonomike?

– Përgjigja e mësipërme në fakt i dha përgjigje këtij pretendimi, sepse edhe më parë ka patur investime por rritja ka ardhur nga borxhi. Pra ajo nuk rezulton e qëndrueshme, por për të ilustruar më mirë si mendojnë studiues të huaj po i referohem një shkrimi të paradokohshëm shumë domethënës në “The Guardian” me titull – Shpenzimet publike në “gërmime kanalesh” nuk stimulojnë ekonominë -, që trajton çështjen e shumë diskutuar të stimulimit të ekonomisë. Sipas këtij shkrimi, shpenzimet stimuluese duhet të shikojnë përtej investimeve të thjeshta nga ku mund të reflektojmë konkretisht mbi ecurinë problematike në ekonominë shqiptare. Në të trajtohet qartë çështja se pse sot politikat keynesiane nuk janë të mjaftueshme, por duhet shkuar më tej. Sepse ndërsa projektet e infrastrukturës janë të rëndësishme për punësim në afat të shkurtër, ato nuk japin vizionin për të transformuar ekonomitë  në mënyrë që ajo të përballet me të ardhmen teknologjike, sfidat mjedisore dhe ekonomike. Vende me rritje me dy shifra (Kina) kanë reflektuar vizione ambicioze për drejtimin e investimeve publike. Ekonomia ka nevojë për stimul – në fusha të tilla si arsim, shëndetësi, infrastrukturës – por po aq nevojë ka edhe për investime direkte në sektorë strategjikë dhe teknologji të reja . Garën ekonomike globale do ta fitojnë kryesisht ato vende që do nxisin edhe më shumë fitime për t’u përdorur në programe të mirëqenies. Siç tregojnë studimet e fundit, efektiviteti i investimeve publike janë shumë më të larta nëse ato drejtohen në sektorë që nxisin zhvillimin e vendit kryesisht në inovacion e teknologji. Por ky drejtim sot kërkon guxim, vizion, dhe solidaritetin – të cilat janë prekur jo pak nga kriza e fundit evropiane”. Besoj se komentet dhe krahasimet mbi rolin e investimeve në rritje pas kësaj i bën më mire lexuesi.

– Pse në vitin 2008 u vendos tavani i borxhit prej 60%, si ka qenë më parë? Aktualisht nuk është përcaktuar asnjë nivel maksimal i lejuar i borxhit publik. Cili është impakti i kësaj politike?

– Duke qenë se niveli i borxhit është një tregues fondamental për qëndrueshmërinë fiskale, mendoj se FMN një vit para largimit me këtë ndryshim vendosi një mekanizëm kontrolli që ishte shumë pozitiv për ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë. Në kushtet e paqëndrueshmërisë së politikave buxhetore që priren nga nevojat e momentit për shpenzime, heqjen e tavanit të borxhit e konsideroj një precedent të rrezikshëm kur nuk është bërë publik pra mungon një vizion afatgjatë për menaxhimin dhe konsolidimin e financave publike. Në kushtet kur ekonomia globale po përballohet me krizën financiare, debati është si të konsolidohen financat dhe jo e kundërta. Ky realitet kërkon një politikë bipartizane për vendosjen e tavanit të ri dhe dakordësi pa humbur kohë për skenarin se  si do të ulet ai në të ardhmen e afërt që të shmangim në kohë pasojat në financat publike sikurse po përballen ekonomitë e shumë vende sot në eurozonë, Greqia ndër më kryesoret. Nevoja për stabilitet financiar duhet të jetë prioritare për të shmangur pësimet që përjetojnë këto vende.

Prandaj sot BE adoptoi rregullin e artë buxhetor, që nënkupton tavan në borxh dhe deficit, duke vendosur edhe penalitete kur nuk respektohet. Stabiliteti fiskal në eurozonë po kushtëzon i financimin  nga fondet e shpëtimit në Greqi e vende të tjera.

Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit duhet të konsiderojë si “A”-në e reformave në kuadër të kriterit ekonomik të Kopenhagenit, sigurimin e një stabiliteti të qëndrueshëm makroekonik të vendit mbi të cilën ngrihen themelet e sigurta për të krijuar një ekonomi të fortë. Kjo këshillë në formën e rekomandimit pa zhurmë për uljen e borxhit publik theksohet edhe ne raportin e progresit te KE të tetorit të 2012, që për fat të keq duket se ka dalë jashtë vëmendjes.

– BSH ka mbështetur idenë se politika ekonomike shqiptare duhet të jetë elastike, me konsolidim fiskal në kohë pozitive dhe me hua apo borxh në kohë negative. A është kjo një strategji e duhur për ekonominë shqiptare? A është kjo edhe politika ekonomike e vendeve të zhvilluara?

– Së pari duhet të theksoj se  BSH ka përgjegjësi dhe duhet të shprehet për buxhetin dhe pasojat e heqjes së tavanit të borxhit, që do rrisin nevojën për huamarrje, sidomos po të kemi parasysh që financimi i brendshëm i deficitit  ka një diferencë të ndjeshme sipas dy skenarëve të buxhetit që sipërtrajtova, duke e rritur atë me shpejtësi nga 6.7 miliardë lekë në 27.5 miliardë lekë sipas projektbuxhetit që po diskutohet në Kuvend. Kjo politikë ndikon në disa tregues për të cilët Banka e Shqipërisë ka rolin dhe përgjegjësinë e saj konkretisht në inflacion, kursin e këmbimit të lekut, me detyrimin për të mbrojtur qytetarin që depoziton në lekë, por edhe atë që merr kredi në valutë nga goditjet e papritura. Kjo politikë mund të rrisë më tej borxhin publik në kushtet e mungesës së një tavani, duke sjellë si pasojë rritjen e kërkesës për bono dhe obligacione, çka rrezikon të zhvlerësojë efektet e politikës monetare të uljes normave të interesit por edhe të orientimit të kredisë në dobi të huamarrjes shtetërore në raport me biznesin privat.

Prandaj në rolin që i jep ligji, BSH shprehet nëpërmjet deklaratave publike të Guvernatorit në emër të Këshillit Mbikëqyrës të saj, sikurse ndodhi pas mbledhjes së Këshillit të javës së kaluar.

Në këtë deklaratë e rëndësishme për t’u theksuar është apeli i përsëritur i BSH-së për ruajtjen e stabilitetit makroekomik si dhe thirrja për nevojën e një rregulli të ri fiskal në kushtet e reja të krijuara pas heqjes së tavanit ligjor të borxhit.

Në thelb, ajo që kërkohet është nevoja për politika ekonomike kundër-ciklike. Në parim, si periudhat me aktivitet mbi dhe ato nen potencial janë te dëmshme dhe të padëshiruara. Për ketë arsye, politika monetare dhe fiskale duhet të jenë kundërciklike, që do të thotë në periudha kontraktimi e krizash ato duhet te jenë stimuluese në shpenzime dhe në periudha normale apo mbipotencial duhet të jenë shtrënguese. Në teori kjo është tërësisht e dëshiruar. Periudhat e rritjes mbipotencial shoqërohen me inflacion të lartë dhe keqvendosje të burimeve (si p.sh “bum” jo i qëndrueshëm në ndërtim). Periudhat e ngadalësimit apo recesionit shoqërohen me rritje të papunësisë. Por në praktikë këto politika gjejnë pak mbështetje për sa i përket përbërësit të politikës fiskale, edhe në vendet e zhvilluara. Politika tenton gjithnjë që rritjet e forta ekonomike t’i interpretojë si të qëndrueshme, kur në fakt shpesh nuk janë dhe ndërton buxhete jo-realiste ose të papërballueshme në afat të mesëm. Kur ekonomia bie nën potencialit, pra ngadalëson rritjen apo bie në recesion, politika fiskale detyrohet nga mungesa e hapësirave që sjell rritja pakufi e borxhit të bëje shkurtime, pikërisht në momentin që duhet të japë stimul (rasti i Greqisë, tipik, por edhe i Italisë, Spanjës, Anglisë etj.).

Edhe më parë kam folur për faktin se në Shqipëri janë zbatuar politikat prociklike shoqëruar me buxhete përtej mundësive që ka prodhuar ekonomia jonë. Për herë të parë raporti i  KE për Shqipërinë në vitin 2011 flet për politika prociklike në Shqipëri që, sipas tij, vërehen qysh në 2006. E shprehur thjesht, kjo nënkupton që edhe në vitet kur vendi realizon të ardhurave siç ka qenë rasti i Shqipërisë në 2006-2008 nga politika e taksave dhe privatizimet, të ardhurat shtesë nuk u përdorën për të ulur borxhin.

(Në këto kushte duhet të shikohen procedurat e nevojshme ligjore për  krijimin e  Institucionit të parashikimeve makrokonomike ndoshta pranë Kuvendit, i cili do të sillte mbajtjen  nën  kontroll të të gjithë parametrave makroekonomikë të vendit, me prognoza të sakta e lehtësisht të monitorueshme.)

Sidoqoftë është koha tashmë të kuptohet dhe të mos vazhdojmë me rritje iluzore që janë me pasoja, por të adoptojmë qëndrime  të matura për të mos u lënë  borxhet brezave që do vijnë por të krijojmë mundësitë e rritjes së qëndrueshme. Kriza në vendin fqinj Greqi, përveç të tjerave, na kujton rëndësinë e dimensionit kohor në vendimmarrjet e duhura por kjo s’është gjithmonë e lehtë… Prandaj duhet dhe mundet të zhvillojmë një “shtrydhje mendimesh” mes ekspertëve të pavarur, institucioneve qendrore si Banka qendrore, qeveria dhe në mënyrë të veçantë Kuvendi për t’i dhënë transparencën e duhur vendimmarrjes për vitet e ardhshme dhe për të krijuar shpresë për të ardhmen tonë evropiane.