Haxhinasto në Riga: Të zbatohet rrjeti bazë i transportit me vendet e Ballkanit Perëndimor

590
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në takimin e Ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor në Riga, organizuar nga Violeta Bulc, Komisionere për Transportin dhe Jean Eric Paquet, Drejtor për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, gjatë zhvillimit të aktiviteteve për korridoret Evropiane të Transportit TEN-T. 
Haxhinasto informoi të pranishmit, se hapi i parë konkret në zbatimin e rrjetit bazë të dakordësuar midis palëve, në kuadër të procesit të Berlinit, është krijimi i grupit teknik me Malin e Zi, për të përgatitur aplikimin për studim fizibilitetit për projektin e autostradës Adriatiko-Ioniane, pranë institucioneve financiare në BE, i cili do të mblidhet në Tiranë javës që vjen. Ai gjithashtu informoi për angazhimin në plotësimin e studimeve dhe programimin e investimeve për Korridorin Veri-Jug, pjesë e kësaj autostrade.
“Dëshiroj t’ju informoj se kemi punuar në terma konkrete në lidhje me përfundimin e të gjitha studimeve për segmentet e Korridorit Adriatiko-Jonian, të tilla si Thumanë-Vora, By-pass i Tepelenës, apo lidhja Tiranë-Durrës. Sa i takon punimeve kemi pasur progres konkret, sa i takon zbatimit të By-Passit të Rrogozhinës, atij të Fierit dhe shumë segmente të tjerë pjesë e këtij Korridori. 
Mbështesim shumë idenë se duhet të bëjmë më shumë për qëndrueshmërinë në sistemet e transportit, ku sapo kemi konkluduar një marrëveshje me Bankën Botërore, për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar me financim rreth 130 milionë USD për 5 vitet e ardhshme, e cila do të na ofrojë shërbime shumë më cilësore në rrugët tona kombëtare. Rezultati që kemi pasur është 25% më pak aksidente në 2 vitet e fundit, i arritur nëpërmjet investimeve në sinjalistikë, të cilat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha Haxhinasto.
Sigal