Hajdutët e bankave ende nuk janë kapur

730
Sigal

Skandalet e bankave tregtare në Shqipëri. Gati krijimi i Shoqatës së Kreditorëve

Hajdutët e Bankës së Shqipërisë dhe të bankave të nivelit të dytë nuk janë vetëm shtetasit A.B dhe M.B, të kallëzuar penalisht për vjedhje nga BSH. Hajdutëria e tyre po shkatërron çdo ditë e më tepër qytetarët shqiptarë.  Bankat në Shqipëri veprojnë si banda grabitëse të licencuara, ndërsa Banka e Shqipërisë e cila ka për detyrë të mbikëqyrë veprimtarinë e tyre në mbrojtje të interesave të qytetarëve, bën sehir. Më shumë se kudo, në Shqipëri zë vend shprehja “bankierët janë bijtë e kapitalizmit”.

Bankat nё Shqipёri nuk e kanё ndjerё krizёn ekonomike, duke rritur fitimet e tyre në mënyrë progresive në kurriz të qytetarëve. Kjo është konfirmuar edhe nga një studim i Open Data Albania, ku thuhet se në fund të vitit 2013 fitimi bankar arriti në 6.5 miliardë lekë, duke shënuar kështu një nga nivelet më të larta. Një faktor favorizues për bankat është edhe niveli i normave të interesit të ulëta për depozitat dhe të larta për kreditë, çka ndikon në rritjen e fitimeve. Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri për kredi të rrjepin nga 7-12 %, ndërsa për depozita paguajnë 1.2%. Sistemi bankar shfaqet i mirëkapitalizuar në kushtet kur kreditë zënë rreth 58% të depozitave dhe kanë një diferencë prej mbi 403 miliardë lekë. Peshën më të madhe të depozitave e zënë ato në lekë, me 52% të totalit dhe banka me rritjen më të madhe të fitimeve, sipas studimit të ODA-s, është Banka Kombëtare Tregtare, me një zgjerim prej rreth 700 milionë lekë. Kjo bankë është ndër të paktat në sistem që po vijon të rritet shpejt edhe gjatë viteve të vështira të krizës ekonomike. Dallimi në mes të interesave për kredi dhe depozitave, në Shqipëri është jashtëzakonisht i lartë, çka nuk është një praktikë në ndonjë vend tjetër, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë dhe më gjerë. Ndërkaq, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani nuk jep informacion mbi situatën e bankave në vendin tonë, mbi mënyrën se si ato e trajtojnë qytetarin shqiptar, mbi marrëdhëniet mes dy palëve, si zbatohen detyrimet dhe të drejtat e secilës palë, edhe pse ligji ia detyron kontrollet periodike në institucionet bankare për të vlerësuar këtë situatë.

 Kontratat bankare

 Qytetarët përballen çdo ditë me absurditetin e tregut bankar në vend, ku si më problematike shfaqen kushtet e kontratave. Marrëdhëniet e bankave me qytetarët (klientët) rezultojnë në ndërtimin e një kontrate tejet të paqartë, që vetëm kapityalistët bankierë arrijnë t’i kuptojnë, sipas interesave të tyre. Nëse një qytetar arrin në një marrëveshje me bankën, e cila i lëvron një kredi (që sot po bëhet gati e pamundur), asnjëherë klienti nuk del i qartë se sa do i paguajë bankës në fund për këtë shumë që po kreditohet. Në kontratë, mbase (në rastin më të mirë) mund të jenë zbardhur vetëm këstet dhe interesat që duhet të paguajë për vitin e parë, ndërsa për më tej ai kurrë nuk sqarohet. Bankierët emërtojnë lloj-lloj justifikimesh, si eurobori, komisionet, tarifat, bono thesari, ndërsa është klienti që do të përballet më pas me normën e interesit që ndryshon gjatë afatit të kredisë, pa asnjë lloj paralajmërimi. Janë, pikërisht, qytetarët që kuptojnë më pas se në fakt nuk kanë marrë një shërbim si në çdo vend të botës, porse janë zhvatur nga banka, në mënyrën më të keqe të mundshme.

 Shoqata e kreditorëve dhe e bankierëve

Janë pikërisht problematikat e mësipërme të cilat kanë bërë që një grup qytetarësh të mendojnë seriozisht për të themeluar shoqatën e kreditorëve, të cilët do të mbrojnë interesat e klientëve të bankave. Është kjo shoqatë që do të përpiqet për të qartësuar klientët potencialë të bankave, por që përpara se të marrin një vendim të caktuar, do të jenë më të qartë për atë që i pret dhe njëkohësisht më të ndërgjegjshëm në atë çfarë do t’u kërkojnë bankave tregtare që operojnë në vend. Ndërsa bankierët janë të përfaqësuar në shoqatën e tyre, ende kjo shoqatë nuk ka bërë përçapjen më të vogël në interes të zbardhjes së vrasjes së një nga bankierëve më me zë në vend, Artan Santos, edhe pse tashmë janë bërë 1 muaj e gjysmë nga kjo tragjedi. Ndërsa strukturat e shtetit duhet të çojnë deri në fund hetimet për të zbardhur të vërtetën e kësaj tragjedie. A është e vërtetë që ka pasur lista të funksionarëve të lartë të politikës me transaksione përkatëse finnaciare, të cilat çuan në vrasjen e Santos? Pse nuk janë zbardhur ende? Çfarë po bën hetuesia, po shoqata e bankierëve?