Guvernatori i ri, Sejko: Verifikim shifrës së vjedhur e përgjegjësve

692
Sigal

TIRANE – Prioritet i Genti Sejkos nëse do të zgjidhet nga parlamenti për të qenë në krye të Bankës së Shqipërisë, do të jetë verifikimi nëse shuma e vjedhur nga thesari i shtetit në 4 vite është realisht 713 milionë lekë apo më shumë. Gjatë seancës dëgjimore këtë të mërkurë në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, kandidati i dekretuar nga Presidenti Nishani për guvernator, Gent Sejko tha se puna e tij në fillim të marrjes së mandatit 7-vjeçar do të jetë edhe nxjerrja e përgjegjësve të vërtetë për vjedhjen në thesarin e shtetit.

“Një nga prioritetet është vlerësimi i dokumenteve, pasqyrave financiare, për të vlerësuar nëse është e saktë vlera e vjedhur nga thesari, po ashtu për të parë edhe nëse daljet e përgjegjësive janë të sakta”, tha Sejko.

Një pikë e tretë ku ai tha se do të përqendrohet puna e tij, është edhe monitorimi i rreptë i thesarit. 

“Do të shikoj nëse sistemi i kontrollit të brendshëm dhe në nëse në thesar është ndryshuar, implementuar apo ka problem serioze siguria. Për një guvernator arka e thesarit duhet të ishte e monitoruar e siguruar, ndryshe nuk do të flinte dot i qetë nëse do të kishte thesarin e shtetit të pamonitoruar”, theksoi kandidati për guvernator i Bankës së Shqipërisë. 

Sejko: I hapur për të rishikuar pagën e Guvernatorit, kompani për të bërë studim në krahasim me Rajonin
I pyetur nga anëtari demokrat në këtë komision, Florin Mima, nëse do të rishikojë pagën e Guvernatorit dhe të punonjësve të Bankës Qendrore, Sejko tha se do të kontraktohet një kompani e posaçme për të bërë vlerësim objektiv duke e krahasuar me vendet e tjera të Rajonit. Ai tha se nëse ka diferencë të thellë dhe mbivlerësim në pagë, është i hapur për të bërë rishikime, por theksoi se nuk do të bënte veprime që mund të rrezikonin rrjedhjen e stafit, për të cilët shprehu vlerësim në lidhje me profesionalizmin.
 
“Plani im është për të bërë studim në rajon për të parë raportet e bankave qendrore në raport me industrinë brenda të cilave ata operojnë, mund të merret edhe një kompani, të cilat duhet të kenë vlerësime sa më objektive, që të ketë vlerësim objektiv mos të kemi mbivlerësim. Po nga ana tjetër të jemi në treg që mos të nënvlerësojmë dhe të kemi humbje të burimeve njerëzore. Me ato raporte qe kam parë BSH është konkurruese, ndoshta dhe diçka më poshtë se bankat e nivelit të dytë që kanë paketa më atraktive. Çdo rishikim i pavlerësuar i paketave të këtyre punonjësve, do të kishte rrjedhje të stafit dhe pozicione të tjera jashtë bankës. Nëse do të ketë çpërpjestim në raport me Rajonin do të jem i hapur të bëj rishikime, nëse ka fryrje, do ta rishikoj”, tha Sejko.