“Griset” koncesioni me kompaninë “Transatlantic” në puset e naftës, për “akrobaci antiligjore”

693
Nga Arjan ZADRIMA
Kompania i ka borxh shtetit 20 milionë dollarë, procedura shtetërore e bllokimit të aktivitetit të saj në naftë, ka nisur në datën 10 shkurt 2016
Njoftimi zyrtar, bëri me dije, se Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, autorizoi kompaninë shtetërore “Albpetrol:, që të rimarrë në pronësi shtetërore, dy nga vendburimet më të rëndësishme të naftës në vend, atë të Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt. Ky vendim është marrë për shkak se kompania koncesionare “Transatlantic” nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale dhe ka krijuar 30 milionë dollarë borxhe ndaj shtetit shqiptar. Vendburimet e naftës Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt, u privatizuan në 2007-ën, kur qeveria e atëhershme ia kaloi të dyja kompanisë “Stream Oil” Komapnia “Stream Oil” shfrytëzoi naftën dhe pasi krijoi një borxh 35 milionë dollarë ndaj shtetit, u shit tek kompania “Transatlantic”. Pas kësaj shitjeje, dy vend-burimet, që dikur kanë prodhuar deri në 1.6 milionë tonë naftë në vit së bashku, kaluan nëpër një varg manovrash akrobatike financiare, për të shmangur pagesën e borxheve ndaj shtetit shqiptar, akrobaci që duket se u ndalen prej nisjes së procesit të rikthimit në pronësi e shfrytëzim prej shtetit shqiptar. Kompania shtetërore shqiptare “Albpetrol”, njoftoi se pas marrjes në dorëzim të dy vendburimeve të naftës, do t’i shfrytëzojë vetë të dyja vendburimet dhe fitimin e gjeneruar nga shitja e naftës, do të arkëtohet në buxhetin e shtetit. Ky përbën dështimin e parë zyrtar, të një koncesioni në sektorin e naftës në Shqipëri, ndërkohë që edhe për marrëveshjet e tjera rezultatet kanë qenë kontroverse. Edhe pse thuajse e gjithë industria e naftës në vend është në duart e privatëve, e vetmja kompani që paguan tatim fitimi nga shfrytëzimi i saj është Albpetrol, kompania e vetme publike, ndërsa të gjithë koncesionarët privatë deklarohen me humbje. Po cila është realisht, kompania “Transatlantic” që u bë zot në sektorin e naftës shqiptare? Cilat janë lidhjet reale me frimën “Stream Oil” dhe a ka lidhje kjo “Stream Oli” me firmën “San Leon Energy PLC” që bënë kërkim e prodhim nafte dhe hidrokarburesh në detin e Durrësit e që faktikisht, sipas dosjes së saj e ka ndryshuar emrin shumë herë?! Arsyeja e marrjes së këtyre dy vendburimeve nga kompania koncesionare është mospërmbushja e detyrimeve kontraktuale ku ndër më kryesoret është krijimi i një detyrimi të madh financiar kundrejt Albpetrol sh.a. Ky detyrim kap shifrën 20 milionë dollarë, pjesa thelbësore e të cilit është krijuar gjatë viteve 2008-2013. 
Procedura për prishjen e marrëveshjes hidrokarbure me shoqërinë TransAtlantik Albania ka nisur rreth një vit më parë. Më datë 10.02.2016 i është dërguar shkresë kompanisë duke e informuar që ka shkelur marrëveshjen, duke mos realizuar investimet e kërkuara, si dhe ka krijuar një borxh shumë të madh ndaj shtetit shqiptar. Përmes kësaj shkrese i është kërkuar që të korrigjojë në mënyrë thelbësore shkeljet materiale brenda gjashtë muajve për detyrimet financiare që i ka akumuluar kundrejt Albpetrol sh.a., për vendburimet Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Kocul. Pas përfundimit të afatit 6-mujor të përcaktuar në aktmarrëveshje, kompania nuk kreu korrigjimet përkatëse dhe as nuk u angazhua që të propozojë një plan me afate të përcaktuara për t’i korrigjuar këto shkelje. Për pasojë, Albpetrol sh.a., dërgoi shkresë për mbylljen e marrëveshjes hidrokarbure për të dy vendburimet.
Marrëveshja Hidrokarbure parashikon që prishja të bëhet efektive pas 120 ditëve, afat i cili është përmbushur gjatë muajit janar 2017. Albpetrol ka qenë i gatshëm edhe gjatë periudhës 120 -ditore që ta ndërpresë procedurën e marrjes në dorëzim nëse kontraktori do të kryente veprime konkrete për uljen e borxhit.
Dy ditë më parë, grupi i punës për marrjen në dorëzim të vendburimeve filloi procedurën e marrjes në dorëzim të puseve në të dy vendburimet. Të gjithë puset kanë qenë më parë në pronësi të shoqërisë Albpetrol, pasi shoqëria TransAtlantik, e cila më parë ka mbajtur emrin Stream Oil and Gas, nuk ka shpuar asnjë pus të ri gjatë 10 viteve të kohëzgjatjes së kësaj kontrate. Gjithashtu, nën mbikëqyrjen dhe bashkëpunimin e doganës së Vlorës u krye vulosja e depove (magazina fiskale). Në vendburim u gjet një sasi e vogël nafte bruto, e cila do të kalojë në pronësi të Albpetrol për efekt të uljes së vlerës së detyrimit.
Procesi parashikohet të zgjasë disa ditë dhe në përfundim të tij do të rivendosen menjëherë në punë Vendburimet dhe do të fillojë prodhimi i naftës. Albpetrol do t’i ofrojë të gjithë punonjësve, shumica e të cilëve kanë qenë edhe më parë punonjës të Albpetrol, kontrata 1-vjeçare punësimi.
Cila është firma “San Leon Energy PLC” që kërkon naftë në Durrës dhe a ka lidhje me kompaninë “Transatlantic”? 
Cila është firma “San Leon Energy PLC” që kërkon naftë në Durrës dhe a ka lidhje me kompaninë “Transatlantic”? Kjo kompani, sipas burimeve të plota të gazetës “Telegraf”, kompania “San Leon Energy PLC” është një kompani fantazmë, vetëm si sigël emërtese e cila vepron në Durrës, duke kërkuar e nxjerr naftë në det, pa pasur asnjë të dhënë zyrtare e publike nga shteti prej nga vjen. Nuk dihet se çfarë firme është. Nuk dihet se sa i ka kapitalet. Nuk dihet se sa punëtorë ka. Nuk dihet veprimtaria konkrete në 13 shtete që ka vepruar. Nuk ka dosje shoqëruese në kontratën koncesionare se cila është pastërtia e penale e ligjore e kësaj firme. Nuk dihet, se çfarë emri real ka. Nuk dihet se cilët janë pronarët ligjor të firmës. Nuk dihet se çfarë bilancesh prodhimi e shpim-kërkimi ka në Shqipëri. Nuk dihet, se sa e ka detyrimin fiskal në tatime, dogana, në mjedis, në përqindje aksioni me shtetin shqiptar. Nuk dihet, se ku e çon natën që nxjerr në detin e Durrësit. Por dihet, që emrin “San Leon Energy” PLC”, nuk e ka emrin e saj, por e ka “maskë” të një firme tjetër e cila ka ndryshuar emrin fillestar, pas marrjes së licencës së koncesionit, kur ka nisur aktivitetin në detin e Durrësit me naftën shqiptare. Në 1 vit të aktivitetit të saj fillestar, firma që fshihet pas emrit “San Leon Energy” PLC”, nuk ka shlyer detyrimin koncesionar dhe detyrimin fiskal prej ndaj shtetit shqiptarë në vlerën 213 milionë dollarë. Në pazar të pisët me “gangot” dhe “kapot” e shtetit shqiptar, firma ndryshoi emrin dhe vazhdoi koncesionin me emrin “San Leon Energy” PLC” e cila sipas dosjes që gjendet ë prokuroria shqiptare, rezulton të jetë vetëm një copë tabelë emërtese, mbasi në fakt, firmë me keët emër nuk ekziston në asnjë shtet të botës si aktivitet nafte e as si aktivitet agrobiznesi, apo kancelarie. Kujtojmë që ndryshimi i emrit, ndodhi në datën 26 prill 2013, kur “San Leon Energy PLC”, njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje të re të amenduar me shtetin shqiptar, me ndarje prodhimi për Bllokun e naftës së detit të Durrësit, duke marrë 100 për qind të aksioneve të këtij koncesioni, ndërsa shteti me dëshirën e tij nuk ka as 0.1% aksione në këtë aktivitet. 
(Vijon)
Sigal