Greqia shet 33 % te Loto sportit OPAP për 652 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare shiti Lotarinë Kombëtare te austriakët vetë

579
Sigal

 Dje nga Greqia u bë publike shitja e 33% e aksioneve të lotarisë sportive shtetërore OPAP një kompanie greko-çeke, e cila quhet Emma Delta, për shumën e 652 milionë euro. Madje, siç bëhet e ditur, kjo kompani do të paguajë shtetit greke, deri në tetor të 2013-s, shumën prej 622 milionë euro, ndërsa shumën prej 30 milionë, do të paguhet në 10 këste. Siç dihej, deri tani, shteti grek kishte tërësisht të monopolizuar tregun e lotove sportive dhe të lotarisë kombëtare. Mirëpo, e ndodhur përballë krizës më të madhe ekonomike të historisë së saj, Greqia po detyrohet që të shesë shumë pasuri të saj, të cilat ishin në pronësi shtetërore, edhe pse këto shitje shtetërore,  u marketizuan, si hapje dhe liberalizim i tregut. Kështu,  në kuadrin e reformave ekonomike, për të përballuar krizën, kohë më parë, Greqia shiti OTE ( telekom grek), liberalizoi edhe prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike, etj.

Ndërsa Shqipëria shet 100 % të Lotarisë Kombëtare, për …3 milionë euro?!

Para pak kohësh, qeveria shqiptare vendosi që të shiste 100 % të Lotarisë Kombëtare. Shoqëria, e cila ka marrë licencën për të menaxhuar Lotarinë Kombëtare në vendin tonë, është ajo austriake “Oesterreichische Lotterien”, të blerë për 3 milionë euro. Kreu i PS-së shprehet se argumentet e dhëna nga maxhoranca për shitjen e Lotarisë Kombëtare, janë vetëdiskredituese. Ndërsa ka shtuar se me ardhjen e PS-së pushtet, kjo licencë do t’i kthehet publikut. “Argumentet e qeverisë për Lotarinë Kombëtare, krejt vetëdiskredituese! Ne do t’ia kthejmë publikut të drejtën e pronësisë mbi këtë lojë”, shprehet Rama, në ditën e parë, kur u votua në Kuvend licencimi i Lotarisë Kombëtare austriakëve. Edhe më parë kreu i PS-së ka deklaruar se do të anulohet tenderi i Lotarisë Kombëtare dhe nuk do të lihet në dorë të kompanive private. Kreu i PS-së ka deklaruar, se duke e lënë në administrim të shtetit, me anë të kësaj lotarie mund të financohen sporti dhe projekte të ndryshme kulturore.

Rama, a do ta anulojë  licencën e  Lotarisë Kombëtare austriakëve?

PS-ja ka bërë premtim elektoral anulimin e licencës së Lotarisë Kombëtare austriakëve dhe kthimin e saj në administrim shtetëror. PS-ja tashmë do të jetë në qeveri. Edi Rama, si kryeministër, a do të ketë vullnetin dhe kurajon politike që të realizojë premtimin e dhënë, që të anulojë licencën e Lotarisë Kombëtare që iu është dhënë austriakëve? Kjo do të shikohet në ditët e para të qeverisjes Rama. Gjithsesi, dhënia e licencës së Lotarisë Kombëtare vetëm për 3 milionë euro është një superskandal, ku nuk ka asnjë rast. Për shembull, edhe në Maltë, e cila është një shtet shumë herë më i vogël se Shqipëria, lotoja e saj kombëtare u shit për 300 milionë euro. Madje, në tenderin për Lotarinë tonë Kombëtare, kishte edhe kompani të tjera, të cilat afruan shumë herë më të mëdha se oferta e austriakëve, mirëpo, qeveria përzgjodhi ata, ku ministri i Financave, Bode dha  argumente jo bindëse, për përzgjedhjen që bëri. Për më tepër, kompani, sikurse Intralot e Greqisë, e ka çuar në gjyq përzgjedhjen e qeverisë shqiptare për Lotarinë Kombëtare, duke pretenduar se procesi është bërë jo transparent.