Grabiti 200 mijë euro të klientëve me falsifikime, në burg bankierja

776
Sigal

Hapte kredi e firmoste në emër të depozituesve, merrte paratë për vete

Paguhet për të ruajtur paratë e depozituesve, por nëpërmjet falsifikimeve të shumta, i grabit dhe i përvetëson ato. Ndodh dhe kështu në bankat tona. Dhe nuk bëhet fjalë për shuma të pakta, por përmbi 200 mijë euro. Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e “arrestit me burg” për një ish-punonjëse banke të nivelit të dytë në Tiranë, e cila dyshohet nga Prokuroria për vjedhjen e llogarive bankare të klientëve të ndryshëm, me një dëm rreth 200 mijë euro. Masa e sigurisë është ekzekutuar dje nga oficerët e Policisë së Shtetit. “Sipas hetimit të Prokurorisë, shtetasja A. Aliaj, me detyrë specialiste krediti në filialin e një banke në Kamëz, nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme, ka arritur të mashtrojë një numër të madh klientësh, duke u marrë atyre shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë bankare ose duke u hapur, pa dijeninë e shtetasve llogari kredie, të cilat më pas i tërhiqte vetë.”- bëhet me dije nga policia. Prokuroria e Tiranës e ka nisur hetimin, bazuar në kallëzimin e dorëzuar nga drejtuesit e bankës ku ushtronte funksionet shtetasja A. Aliaj, pas shqetësimeve që shumë klientë kishin paraqitur. Pas hetimeve paraprake, Prokuroria e akuzon shtetasen A. Aliaj për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimit të dokumentave nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre”. Ndërkohë, po vijon hetimi për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të tjerë, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar shtetasen nën hetim për të realizuar qëllimet e saj. Zyrtarisht, për momentin, nuk konfirmohen emrat e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në këtë aktivitet kriminal. Kjo pritet të mësohet nga hetimet në proces.