Goldstein: BB mbështet sistemin e taksave progresive për Shqipërinë

707
Sigal

Banka Botërore, gati ndihmë buxhetore për Shqipërinë

Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore (i cili përfaqëson Shqipërinë në Bordin Ekzekutiv të Bankës Botërore), Piero Cipollone dhe Ellen Goldstein, drejtore e BB për Europën Juglindore, ndodhen për një vizitë dyditore në Tiranë në një mision këshillimi. Në një konferencë të përbashkët për mediat, Cipollone deklaroi se qëllimi i prezencës së tij në vendin tonë është të dëgjojë qëllimet e qeverisë dhe të japë këshilla rreth asaj që qeveria mund të bëjë në këtë drejtim. “Diskutuam përparësitë që ka qeveria dhe se si Banka Botërore mund ta ndihmojë Shqipërinë në këtë fazë. Jo vetëm me anën financiare, por dhe përmes përvojës së ekspertizës që ka BB. Shumë nga sfidat zhvillimore me të cilat përballet Shqipëria, janë të njëjta me shumë vende me të ardhura të mesme. Ne kemi krijuar përvojën e duhur për gjetjen e zgjidhjeve dhe për Shqipërinë”, u shpreh Cipollone, duke shtuar se “do japim këshilla për atë që mendojmë se qeveria mund të bëjë në këtë drejtim”. Ellen Goldstein, drejtore e BB për Europën Juglindore, u shpreh se “që kur qeveria e re Rama ka ardhur në pushtet ne kemi dhënë mesazhe; një prej të cilëve masa për të parandaluar krizën. Nuk keni krizë, por ka disa pika të dobëta që lidhen me sektorin energjetik. Këshilla e dytë: përmirësimi i klimës së biznesit, që të çlirohen të gjitha energjitë për përmirësimin e klimës”, shpjegoi Goldstein, duke shtuar se këshillë tjetër është mbrojtja e pasurive natyrore që ka Shqipëria.

Borxhi publik

“Për sa i takon borxhit publik, e dinim që po shkonte drejt niveleve shqetësuese. Kjo është tendencë që shihet në gjithë Europën për të nxitur zhvillimin. Por duke pasur parasysh nivelin e të ardhurave në Shqipëri kjo duhet bërë me shumë kujdes, për të parë se ku mund të shkosh”, tha Goldstein. “Ajo që na kënaq me qeverinë e re është se po bën inventarizim të detyrimeve të pashlyera, të cilat nuk e dinim se ku ishin tamam. Ato kanë qenë aty, por tani do merren parasysh dhe kjo do rrisë nivelin e borxhit. Po bisedojmë  me FMN, partnerët tanë, për të gjetur një mënyrë për të stabilizuar nivelin e borxhit publik”, theksoi Goldstein. Ajo shtoi se qeveria shlyerjen e borxhit ta bëjë duke realizuar njëkohësisht detyrimet e saj për vendet e punës, përmirësimin e mirëqenies së njerëzve. “Ne kemi një portofol që është në zhvillim, por po shohim aspekte të reja, dy aktivitete të reja; të mbështesim investimet në sektorin energjetik, furnizimin me ujë, dhe shpresojmë se për njërin fillojmë negociatat pas kësaj jave”. “Ndërhyrjet e dyta do të jenë ato me mbështetjen e drejtpërdrejtë të buxhetit, që lidhen me reformat për stabilitetin makro-fiskal. Do diskutojmë me qeverinë për programin e reformave që ka ndër mend të realizojë dhe nga çfarë kemi dëgjuar ndihemi të inkurajuar dhe në pranverë do jemi në gjendje të ofrojmë këtë mbështetje”, u shpreh Goldstein. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zyrtarët e Bankës Botërore, Ellen Goldstein dhe Piero Cipollone, janë deklaruar pro sistemit të taksave në mënyrë progresive, ndërsa kanë bërë të ditur se BB-ja do të japë disa hua për Shqipërinë.

Ulja e taksave, e rrezikshme

I pyetur nëse është zgjidhje e duhur për vitin 2014 ulja e taksave apo ndonjë sugjerim tjetër, Cipollone tha se “përsa kohë që ka një kuadër fiskal të kujdesshëm, të ndihmosh pjesën më të varfër të popullsisë së një vendi, është baras me atë që Banka Botërore do të merret me uljen e varfërisë dhe shpërndarjen ekonomike në një vend. Kjo duhet bërë në një kuadër të kujdesshëm fiskal dhe ekonomik. Ndryshe, kjo ndërhyrje do të ishte shumë e rrezikshme. Nëse do rrezikohej qëndrueshmëria e buxhetit do të ishte e rrezikshme kjo ndërhyrje”. Ndërsa Goldstein u shpreh se “nga të gjitha vendet e Europës, Shqipëria ka sektorin më të vogël publik. Kemi theksuar disa ide që janë të rëndësishme për qeverinë. E para: Mund të rrisësh taksat për dikë, por duhet t’i ulësh për dikë tjetër. E dyta: Mund të rritet progresiviteti i taksave, me qëllim që ata që kanë më shumë para të paguajnë taksa më shumë. E treta: Të ulet evazioni fiskal dhe të rritet numri i atyre që paguajnë taksat. E katërta: Të ekzistojnë mekanizmat e mbrojtjes për qytetarët e varfër”.

Ngadalësimi i kredisë bankare, çështje serioze

Lidhur me ngadalësimin e  kredisë bankare për sektorin privat z.Cipollone tha se “kjo është një çështje shumë serioze. Ka dy çështje: Një pjesë e problemit është se një pjesë e kompanive presin të marrin nga qeveria detyrimet e pashlyera dhe shlyerja e këtyre detyrimeve do të ishte me vlerë. Çështja tjetër ka të bëjë me kolateralin që kërkojnë bankat në Shqipëri dhe ky është një tjetër problem i rëndësishëm, që është afatgjatë”.

Mbështetje buxhetore nga BB

Ndërsa Goldstein u shpreh se në lidhje me huanë që do të japë BB, ministri i Financave ndihet i inkurajuar për këtë fakt dhe gazetarët duan të shikojnë shifrat se sa e madhe është. Sipas saj, “ne nuk do të japim një hua, por disa hua, dhe ajo që ka pasur parasysh ministri i Financave ka qenë ajo e mbështetjes buxhetore. Po bëhet një analizë financiare, kështu që jemi në  fazë të hershme për të diskutuar. Huaja do të jetë aq e madhe sa për të mbuluar gropën fiskale, pasi të bihet dakord për kuadrin fiskal dhe pasi të bihet dakord për të gjitha këto, do të mbetet një deficit që do të financohet nga burime të ndryshme dhe në fund do të jemi ne”, tha ajo.

Rritja ekonomike 2-3 %

 Zonja Goldstein u shpreh se “sipas raportit dy vjeçar të ekonomisë, që ne nxjerrim, rritja ekonomike e Shqipërisë është ngadalësuar në shifra vitet e fundit. Nuk është e çuditshme, duke pasur parasysh krizën në Europë. Ne mendojmë se në gjithë Ballkanin dhe sidomos në Shqipëri ka përpjekje për rimëkëmbje. Shkalla e rritjes shkon 2 deri në 3 për qind në vit”.

Sistem progresiv taksash

 Ndërsa e pyetur se kur i referohet taksës progresive, i referoheni vetëm të ardhurave personale, Goldstein tha se “Banka Botërore nuk ka dhënë një rekomadim të saktë për sistemin e taksave në Shqipëri, por megjithatë ne i kemi vënë në dukje qeverisë mendimet tona për taksat progresive. Taksat e larta mund të dëmtojnë investimet. Në Shqipëri, sistemi i taksave nuk është progresiv. Nëse qeveria është dakord, Shqipëria është në gjendje që të fusë një sistem taksash progresive”.

Vendi t’u drejtohet dhe granteve

Goldstein vuri në dukje se “BB në shkallë botërore është si huadhënës i shkallës së fundit, por kjo nuk do të thotë se vendi është në krizë, por se vendi duhet të shikojë edhe fonde të tjera, si ai nëpërmjet granteve. Kur lind nevoja vendet na drejtohen. Ju keni të drejtë që kjo do të bëhet pjesë e buxhetit të qeverisë. Paratë do të shkojnë drejt e në buxhet. Është shumë herët për të dhënë një kohë të saktë se kur do ta disbursojmë këtë fond parash”