Gjykata pezullon gjobën 500 mijë USD për EKMA

724
Sigal

Autoriteti i Konkurrencës: Pezullimi i gjobës sjell pasoja të rënda për konkurrencën në treg

Autoriteti i Konkurrencës është shprehur nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, për të pezulluar vendosjen e gjobës ndaj kompanisë “EKMA Albania”, që menaxhon tregun agroushqimor të Tiranës. Ndaj kompanisë EKMA, ishin gjetur shkelje të shumta të konkurrencës, duke rritur tregun e qirave. Konkurrenca pohoi në një deklaratë zyrtare se ky vendim do të ketë pasoja shumë të rënda për konkurrencën në treg.

 Ja njoftimi zyrtar i Autoritetit të Konkurrencës:

“Autoriteti i Konkurrencës në përfundim të hetimit të thelluar në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës, me Vendimin nr. 572, datë 22.11.2018 “Për vendosje gjobe dhe detyrime ndaj ndërmarrjes EKMA në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës”, vendosi gjobitjen e ndërmarrjes me 9.9% të xhiros vjetore dhe detyrimin për ndalimin e shkeljes së konkurrencës nëpërmjet masave përkatëse. Ndaj këtij vendimi është kërkuar sigurimi i padisë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila e ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë me Vendimin e datës 27.12.2018. Në po këtë Gjykatë është përsëritur kërkesa për sigurimin e padisë nga ndërmarrja “EKMA Albania” SHPK dhe po i njëjti gjyqtar me Vendimin e datës 10.01.2019 vendos pranimin e sigurimit të padisë duke pezulluar Vendimin e Komisionit të Konkurrencës nr. 572, datë 22.11.2018, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Vendimi i Gjykatës që pezullon ekzekutimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 572, datë 22.11.2018, i jep të drejtën ligjore ndërmarrjes që ka monopolin në tregun e qiradhënies të ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës që deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes të mos paguajë gjobën (9.99% të xhiros vjetore) për shkelje të rëndë të konkurrencës dhe të vijojë me moszbatimin e detyrimeve të lëna nga Autoriteti për shkelje të konkurrencës duke vijuar kështu:

  1. Të vazhdojë të operojë me kontrata të njëanshme që nuk janë në përputhje me dispozitat e Kodit Civil për qiratë, duke vendosur palët, qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të pabarabarta kontraktuale në zbatim të ligjit dhe zakoneve të mira tregtare;
  2. Të vijohet me çmimet e larta ndaj qiramarrësve dhe mos të ketë çmime sipas zonës gjeografike apo të orientuara drejt kostos;
  3. Qiradhënësi mos të ketë transparencë në detajimin e zërave dhe vlerave përkatëse që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit;
  4. Qiradhënësi të vazhdojë me faturimin mbi çmimin ligjor të miratuar nga institucionet kompetente (OSHEE dhe UKT) për faturat e dritave dhe ujit për qiramarrësit.

Pasojat e sigurimit të padisë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes do të jenë shumë të rënda për konkurrencën në këtë treg, për këtë arsye Autoriteti i Konkurrencës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e Vendimit të tij dhe konkurrencës në treg”,- thuhet në njoftimin e autoritetit.

Në nëntor, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se kishte vendosur gjobë dhe detyrime ndaj ndërmarrjes “EKMA Albania” SHPK, për abuzime në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës. Krahas gjobës, Konkurrenca i vendosi dhe kushte të tjera EKMA për uljen e tarifave të qirasë afër kostos dhe rishikimin e kontratave të energjisë, duke e paralajmëruar për gjoba të tjera nëse nuk zbaton rekomandimet. Vendimi u mor pas raportit mbi hetimin e thelluar ndaj ndërmarrjes “EKMA Albania” SHPK, në tregun e qiradhënies së ambienteve për magazinimin dhe tregtimin e produkteve Agro – Ushqimore në qytetin e Tiranës. Gjoba e vendosur ishte sa 9.99% e xhiros vjetore të vitit 2017. Gjoba nuk bëhet e ditur, por në bazë të bilancit vjetor, EKMA ka raportuar rreth 500 milionë lekë të ardhura, apo gati 5 milionë dollarë, me një vlerë gjobe rreth 500 mijë dollarë. EKMA ishte kompania më fitimprurëse në vend në vitin 2017, me fitime gati 3.8 milionë dollarë dhe me një normë fitimi prej 76%.