Gjobiten pa të drejtë 90 % e bizneseve nga të metat e sistemit të ri online

784
Sistemi i ri online i tatimeve që ka nisur aplikimin që në muajin janar të këtij viti ka gjobitur masivisht biznesin. Nga burimet zyrtare në Ministrinë e Financave numri i tatimpaguesve që janë dënuar me gjoba për mosdeklarim në afat të deklaratave tatimore është thuajse 90%. Ministria e Financave në një relacion të derguar në Kuvend për procedurat tatimore argumentoi se gjobat masive u prodhuan në periudhën kohore që përkon me përshtatjen e tatimpaguesve me sistemin e ri, ndaj është propozuar edhe falja e tyre. Kjo ministri ka evidentuar se, vënia e gjobave në mënyrë kaq masive cenon besimin e tatimpaguesve ndaj administratës tatimore dhe reduktimin e nivelit të vetëdeklarimit të detyrimeve tatimore dhe së fundi numri i apelimeve është shumë i madh në një kohë shumë të shkurtër, gjë që sjell pamundësi nga ana e Drejtorisë së Apelimit Tatimor për shqyrtimin e të gjitha këtyre ankesave. Gjithashtu Ministria e Financave pranon se periudha ishte e shkurtër që tatimpaguesit u vunë në dijeni për sistemin e ri online , duke prodhuar pamundësinë e kryerjes së deklarimeve në periudhën janar 2015, gjë e cila solli dënimin me gjoba të shumta për tatimpaguesit. Në nenin 22 të projektligjit të procedurave tatimore është shtuar një nen i ri, neni 133/1, ku propozohet që tatimpaguesve, të cilët me implementimin e sistemit të ri të iT, edhe pse nuk kanë pasur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, janë ngarkuar me këtë përgjegjësi dhe për pasojë janë evidentuar si debitorë pranë administratës tatimore, u falen gjobat dhe interesat e përllogaritura. Me fillimn e zbatimit të sistemit të ri të iT së administratës tatimore u ngrit shqetësimi lidhur me dënimet që iu janë vënë tatimpaguesve në momentin e vënies në funksion të sistemit tatimor C@TS. Për sa i përket vitit 2014 janë nxjerrë 2.550 vendime dhe vetëm për periudhën prill-maj 2015 janë adresuar pranë kësaj drejtorie 4.582 ankime, periudhë e cila përkon me përdorimin e këtij sistemi. 
10 fishimi i gjobave për sigurime për biznesin e vogël rrezikon rritjen e papunësisë
Projektligji i ri për procedurat tatimore që aktualisht është për diskutim në Kuvend, njëson nivelin e gjobës për të gjitha bizneset që kanë punonjës të padeklaruar. Me ligjin aktual gjoba ndaj një biznesi të vogël është 50 mijë lekë, ndërsa me ndryshimet e reja penaliteti 10-fishohet duke arritur vlerën e 500 mijë lekëve. Me synimin për të formalizuar ekonominë dhe për të rritur të ardhurat për buxhetin e shtetit gjoba në këtë masë rrezikon të rrisë papunësinë. Pasi me dy penalitete për vepra jo shumë të rënda një biznes i vogël që nuk arrin xhiro vjetore me shumë se 2 milionë lekë e ka të sigurt falimentin. Eksperti i Ekonomisë, Selami Xhepa u shpreh i bindur se, modeli antinformalitet qe po ndiqet duke ushtruar represion tek pjesa me vulnerabël e biznesit, jo vetëm që nuk do të prodhojë të ardhura shtesë në buxhet, por do të ndikojë në rritjen e papunësisë. Xhepa tha se, kudo në botë ka një logjike mbi të cilën vihen penalitetet. Zakonisht merret në konsideratë masa e dëmit nga moszbatimi i ligjit ose xhiroja e aktivitetit që ka kryer veprën, pohoi Xhepa. Ai pohoi se ligji aktual i procedurave tatimore i ka të përcaktuara penalitetet të cilat janë tërësisht të logjikshme, por fakti që administratat tatimore nuk ka kërkuar zbatimit e tij, kjo nuk do të thotë se, masat janë të papërshtatshme për biznesin. Sakaq shifrat e frikshme i dha dje në Komisionin e Ekonomisë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani kur pohoi se, 20 për qind e bizneseve të kontrolluara në të gjithë vendin janë mbyllur në nisje të aksionit antiinformalitet. Duke pasur parasysh se janë bërë 36 mijë kontrolle, rezulton se bizneset e mbyllura janë rreth 7200, me minimumi po kaq të punësuar. Në nenin 14 të projektligjit propozohet forcimi i masave në rast verifikimi të punonjësve të padeklaruar. 
Sigal