Gjiknuri me banorë të Marinzës: Verifikim banesave të papërfshira në dëmshpërblim

719
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri priti në një takim një përfaqësi të banorëve të fshatit të Marinzës, në Fier. Ministri dëgjoi pretendimet e banorëve për ecurinë e procesit të evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i gazit dy muaj më parë. 
Banorët shprehën pakënaqësi për trajtimin që u është bërë në vijimësi nga komuna, ndërsa kërkuan që të shikohej mundësia e përfshirjes në procesin e dëmshpërblimit edhe për ato banesa të cilat rezultojnë të dëmtuara, por kanë mbetur jashtë verifikimit. Ndërkaq, për pjesën e përfshirë në procesin e vlerësimit, ka nisur në terren kryerja e dëmshpërblimit sipas konstatimeve të bëra.
Ministri sqaroi banorët se komisioni i verifikimit të dëmeve funksionon në bazë të Prefekturës dhe Drejtorisë së Emergjencave Civile por gjithësesi Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të kërkojë informacion për ecurinë e procesit. Gjithashtu, Ministria e Energjisë do të nxisë Prefekturën, komunitetin lokal dhe kompaninë Bankers që të kryejnë një verifikim në terren të pretendimeve të banorëve për ato banesa të papërfshira në skemën e dëmshpërblimit.
Z. Gjiknuri sqaroi se përmes ndarjes së re territoriale do të mundet që të korrigjohen në terren edhe problematikat e vërejtura prej banorëve në raportin komunë/komunitet. Në këtë linjë, ai garantoi banorët se do të angazhohet, në koordinim me bashkinë e riformatuar nga ndarja territoriale, për të maksimalizuar përfitimet e komunitetit lokal dhe trajtimin e tyre.
Sigal