Gjermanët kërkojnë monopolin në portin e Durrësit, Autoriteti Portual: Pranoni kushtet e licensës

796
Në portin e Durrësit ka nisur të shpërfaqet një konflikt mes autoriteteve shtetërore dhe gjermanëve që zotërojnë me koncesion kalatën lindore të këtij porti. Gjermanët e kompanisë EMS akuzojnë drejtuesit e portit se kërkojnë ryshfet për të plotësuar kërkesat e biznesit. Ndërsa Autoriteti Portual i Durrësit i rrëzon me forcë këto akuza, duke nxjerrë në pah shkeljet të shumta ligjore, që sipas tij, janë kryer prej kohësh nga kjo kompani private. Bëhet fjalë për aktivitetet stivadore në këtë kalatë, një shërbim ky të cilin kërkon ta kryejë kompania EMS. Autoriteti Portual i Durrësit ka pranuar me një kusht, nxjerrjen e licensës së këtij shërbimi për EMS, siç kanë bërë dhe 3 kompanitë e tjera ekzistuese që ofrojnë këtë shërbim. Ky kusht duket se nuk është pranuar nga kompania EMS, çka ka çuar në prishjen e marrëveshjes paraprake mes kompanisë EMS dhe Autoritetit Portual. Ky i fundit madje lë të nënkuptohet se EMS ka kërkuar monopolin e këtij shërbimi. E gjithë kjo situatë është pasuar për rrjedhojë, me një reagim të fortë të kompanisë EMS, në një nga mediat gjermane. Përfaqësuesi i koncesionarit EMS, Manfred Muller deklaronte dy ditë më parë në gazetën gjermane “Handelsblatt”, se për shkak se nuk pranon të paguajë ryshfet, skelën e tij e kanë zënë punëtorët e një firme tjetër. Ditën e djeshme, Autoriteti Portual i Durrësit i është përgjigjur akuzave të Muller, duke sqaruar me përpikmëri se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me këtë shërbim të pretenduar nga gjermanët.

 Autoriteti Portual: EMS kërkon monopolin 
Autoriteti Portual Durrës, duke marrë shkas nga disa deklarimet për shtyp të përfaqësuesit të Koncesionarit EMS, Manfred Muller, aktualisht koncesionar në kalatën lindore të Portit të Durrësit, ka sqaruar se kompania EMS, ka fituar kontratën e koncesionit për operimin në Kalaten Lindore të Portit të Durrësit në datë 6. 5.2013 dhe ka filluar aktivitetin e saj me dt 15 korrik 2013. Sipas kësaj kontrate, kjo kompani mund të ushtrojë aktivitetin e operimit në kalatën lindore, pra të menaxhojë gjithë operacionet që zhvillohen në këtë kalatë. Ndërkohë, për aktivitetet stivadore që sipas Autoritetit Portual Durrës, ajo është përpjekur të ushtrojë në mënyrë të paligjshme, duke krijuar konflikte edhe fizike me kompanitë e licensuara, sipas nenit 3.1.2 të kësaj kontrate koncesionare, kërkohet licensim i posaçëm, pasi EMS të plotësojë dokumentacionin e kërkuar. Autoriteti Portual Durrës sqaron më tej se me datë 18 qershor EMS ka rënë dakord me APD për paraqitjen e dokumentave të nevojshme për marrjen e licencës së stivadorit, por të nesërmen e ka tërhequr këtë premtim duke propozuar një variant tjetër në kundërshtim me marrëveshjen dhe me kontratën mes palëve. “Ky pretendim për moslicensim nga ana e EMS, është një çështje jo vetëm proceduriale, por shoqërohet edhe me detyrimet për pagesa nga ana e EMS për tarifat e ushtrimit të një aktiviteti të tillë, siç veprojnë edhe 3 operatorë të tjerë stivadorë në port. Po kështu, përfaqësuesit e EMS duhet të kenë parasysh se edhe në rast licensimi, ata nuk mund të vendosin monopol në shërbimet stivadore, sepse Porti i Durrësit është një port i hapur, dhe çdo klient ka të drejtë të përzgjedhë vetë kompaninë stivadore, sipas marrëveshjeve me ta. Kjo është e domosdoshme për ta mbajtur këtë shërbim konkurrues dhe për të mos vendosur çmime monopoliste”, nënvizojnë burime zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, të cilat njëkohësisht e inkurajojnë kompaninë EMS të denoncojë në prokurori çdo person që mund t’i ketë bërë kërkesë për ryshfet.

 Privatizimet, në shitje 85 objekte dhe 10 shoqëri aksionere
 Janë 85 ndërmarrje shtetërore dhe 10 shoqëri aksionere, që janë përfshirë në procesin e privatizimit. Kështu, 10 shoqëri të industrisë joushqimore që janë përfshirë në procesin e shpalljes së falimentimit nga ministria e Energjetikës, po vlerësohet edhe privatizimi, pasi vlerësohet se procesi synon maksimizimin e vlerave të aseteve të mbetura me shpenzime sa më të vogla. Me përparësi po ndiqet përshpejtimi i procedurave të shitjes dhe likuidimit të ndërmarrjeve, kryesisht në industrinë joushqimore, të cilat janë në varësi administrative nga kjo ministri për sektorin e industrisë. Në proces falimenti janë Kombinati Energjetik sh.a. Elbasan, ndërmarrja “Prodhim Mobilie” sh.a. Tiranë, ndërmarrja e “Prodhim Veshjeve” sh.a. Durrës, prodhim “Këpuca” sh.a. Korçë, “Beratex” sh.a. Berat, “Prodhim Kabllo” sh.a. Shkodër, Uzina e “Superfosfatit Laç” sh.a. në likuidim, N.P. Çelikut Elbasan , Uzina nr. 12, “Co Elbasan” dhe Uzina e Plehrave Azotike në Fier. Ndërkaq, për disa ndërmarrje, ministria e Zhvillimit Ekonomik ka miratuar privatizimet, si “Prodhim Këpuca”, “Trikotazh” Korçë, “Beratex” sh.a Berat, “Prodhim Mobilie” sh.a Tiranë dhe “NPV” sh.a Durrës. Sipas MEI-t “NPV” sh.a Durrës, ‘Beratex’ sh.a dhe “Prodhim Mobilie” sh.a Tiranë dhe NPÇ Elbasan funksionojnë në sajë të dhënies se ambienteve të tyre me qira me aktivitet prodhues. Ministria e Energjetikës bën të ditur se me përparësi po ndiqet administrimi, ruajtja dhe monitorimi në “Uzinën e Plehrave Azotike” Fier, i dy landfilleve, një në ish-‘Sode PVC’ dhe tjetri në ‘Azotik’, ku janë depozituar mbetje të rrezikshme. Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë ka përfshirë në shitje 85 objekte në pronësi shtetërore me rëndësi jo strategjike në të gjithë vendin, të përfshira në dy paketa, që planifikohen të shiten këtë vit. Për këto objekte, formula e privatizimit përfshin ndarjen në paketë aksionesh, që i ofrohet blerësit me lekë.
Sigal