Gjergj Erebara/ Qeveria e re, standardi më i ulët i transparencës në 15 vjet

676
Sigal

Nuk ka ndodhur kurrë më parë së paku gjatë dekadës së fundit, që gazetarët e ekonomisë dhe publiku i gjerë të jenë kaq të painformuar apo kaq të dezinformuar se sa në vitin 2013 në lidhje me ndryshimet në ligjet e taksave dhe tatimeve dhe në lidhje me buxhetin e shtetit. Kurrë më parë që nga koha e imponimit të standardeve të transparencës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore rreth vitit 1998, shqiptarët nuk kanë qenë kaq të lënë në errësirë nga qeveria e tyre në lidhje me ligje kaq të rëndësishme.

Mbaj mend se, dikur rreth vitit 2000, kur shqiptarët nuk e dinin ende se çfarë qe interneti, Banka e Shqipërisë hapi një faqe interneti ku publikoi një pafundësi të dhënash, përfshirë vendimet e veta, raportet e ndryshme e statistikat e pafundme nga sistemi bankar, financat e qeverisë apo të dhënat e sektorit real.

Rreth vitit 2003, qeveria hapi faqen e internetit keshilliministrave.al, ku publikonte njoftimet e veta, por edhe çdo vendim të marrë në mbledhjen e qeverisë, përfshirë projekt-ligjet që po dërgoheshin në parlament.

Nga viti 2004 u hapën disa faqe interneti për publikimin e akteve ligjore dhe nënligjore që publikohen në Fletoren Zyrtare. Po në të njëjtën kohë, gjykatat filluan të përdorin teknologjinë e informacionit për të publikuar të dhënat e veta.

Rreth vitit 2007, Ministria e Financave forcoi kodet e veta të transparencës duke publikuar raporte periodike mbi gjithçka, duke publikuar propozimet për ndryshimet ligjore në politika fiskale e buxhetore. Paketa fiskale që hyri në fuqi më 2008, mund të gjendej në faqen e kësaj ministrie që në maj të vitit paraardhës. Media, biznesi dhe qytetarët e kishin të mundshëm të debatonin paraprakisht mbi propozimet konkrete, të kritikonin apo të lavdëronin qeverinë si t’u tekej e të gërmonin nëpër statistika të tjera për të krijuar argumentet e veta.

Nga viti 2012, të dhënat mbi ekzekutimin e buxhetit filluan të publikohen çdo ditë.

Kjo nuk do të thotë se gjërat qenë perfekte. Shumë projektligje apo vendime merreshin fshehtazi publikut të gjerë, zyrtarët nuk merrnin kurrë mundimin të shpjegonin se pse po ndodhin ato ndryshime, etj. Aktet nënligjore rrallë publikoheshin ndërsa informacioni final për ekzekutimin e ligjeve, nuk publikohej pothuajse kurrë.

Por ndërsa, ngacmonim qeverinë të kalojë në standard më të lartë transparence, si psh përmes praktikës Open Data, përballemi këto ditë me një situatë më absurde, ku ligji i buxhetit të shtetit dhe ligjet e ndryshimeve të taksave, hartohet dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave, por nuk publikohet. Në vend të projektligjeve dhe projektbuxhetit, ne na jepet një lajm propagandistik ku thuhet se qeveria ka vendosur të japë 18 milionë dollarë për të paguar njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ndihmën ekonomike. Pra, transparenca konsiston në faktin që qeveria ka vendosur të ndërpresë pushimet dhe të bëjë… punën që ka për detyrë të bëjë. Të mbledhë taksa dhe të paguajë fatura. Big News! Qeveria ka vendosur të paguajë faturat.

Ne nuk kemi të drejtë të marrim vesh psh se si do të ndahet buxheti, se cilat janë projektet e punëve publike që do të financohen me paratë e taksapaguesve dhe me borxh që do të shlyhet gjithashtu nga taksapaguesit.

Ky është standardi më i ulët i transparencës së një qeverie në shumë dhe shumë vite. Dhe një lajm i keq për vendin. Nëse duhet ende të luftojmë për të ruajtur gjëra që sakaq i kemi arritur, si e drejta për t’u informuar dhe për të debatuar atë që qeveria ka ndër mend të bëjë, kemi shumë pak shpresa për të bërë ndonjë ndryshim real, aq më pak, Rilindje./  Diary of Tirana

Qeveria miratoi në fshehtësi, të shtunën, buxhetin dhe paketën e re fiskale

Qeveria miratoi dje buxhetin e ri për vitin 2014 dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Edhe pse mbledhja është zhvilluar ditën e shtunë, në faqen zyrtare të qeverisë dhe gjatë paradites së sotme nuk kishte asnjë informacion mbi këtë mbledhje. U desh një postim në “Facebook” i zv/kryeministrit Niko Peleshi që të mësohet lajmi mbi miratimin e buxhetit dhe paketës fiskale. Postimi i Peleshit më shumë kishte të bënte me konfirmimin e projektit të qeverisë së mëparshme për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Por dhe ministri Veliaj konfirmoi sigurimin e 1.8 miliardë lekëve për personat me aftësi të kufizuar dhe ndihmën ekonomike. Ndërkohë, merren vesh dhe disa të dhëna mbi buxhetin e ri, ku totali i shpenzimeve buxhetore pritet të jetë në vlerën 459.5 miliardë lekë, nga të cilat 280 milionë euro do përdoren për faturat e prapambetura ndaj biznesit. Edhe pse komuniteti i biznesit insistoi për shtyrjen e paketës së re fiskale, qeveria miratoi të shtunën ndryshimet e taksave dhe vendosi që të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2014. Që në fillim të vitit 2014 ndryshon tatimi mbi pagën. Ndryshimi fiskal nuk prek më shumë se gjysmën e individëve që kanë pagë nën 30 mijë lekë në muaj. Favorizon, pra takson më pak, të gjithë ata që kanë një pagë deri në 130 mijë lekë në muaj dhe penalizon rreth 11 mijë persona që kanë një pagë mbi 130 mijë lekë në muaj. Në paketën e votuar dje, është vendosur përjashtimi nga TVSH prej 10% e të gjitha ilaçeve dhe shërbimeve shëndetësore. Kjo pritet të përkthehet me një ulje të çmimit të ilaçeve dhe do të shkojë në favor të atyre që përdorin medikamente, apo janë të sëmurë. Këto janë dy ligjet pozitive, pra që sjellin më shumë të ardhura për qytetarët. Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur të rrisë taksën e shtëpive, për të gjithë pronarët që kanë një banesë të ndërtuar para vitit 1993. Aktualisht në Tiranë dhe qytetet e mëdha ky tatim ishte 15 lekë/ m2, dhe nga 1 janari bëhet 30 lekë/m2. Ndryshimi prek të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Një apartament prej 70 m2 në Tiranë paguante 1050 lekë në vit si taksë për ndërtesë. Nga 1 janari do të paguajë 2100 lekë në vit, pra dyfishin. Nga ana tjetër, kush ka një shtëpi të dytë, do të paguajë dyfishin e asaj që paguan aktualisht. Ndërsa për shtëpitë në zonat turistike taksa nga 200 lekë/ m2 shkon në 400 lekë/m2.