Konfindustria: Bursa e Energjisë, mjeti për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe luftimin e korrupsionit në tregun energjetik

1088
Sigal

Konfindustria, duke marrë shkak nga miratimi së fundmi i vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e Bursës së Energjisë, shpreh mbështetjen në parim dhe kërkon fillimin sa më shpejt të funksionimit të saj si mundësi shtesë për garantimin e furnizimit dhe uljen e cmimit të energjisë për biznesin dhe qytetarët. Gjithashtu, kërkohet ruajtja e integritetit të modelit të ndërtimit të Bursës me qëllim shmangien e rrezikut të spekullimeve dhe përdorimit të mundshëm të saj në kundërshtim ne interesin publik nga grupime të tipit “kartel” dhe oligopol të pranishme në tregun qindra milion euro/vit të energjisë elektrike. Vonesa e fillimit të punës, shtyrja në kohë dhe/ose krijimi i mundësive për spekullime në Bursë, janë në interes pikërisht të grupimeve të mësipërme të vendit dhe të huaja përfituese të dhjetra milionë euro/vit nga gjendja e tashme e ndërtimit dhe veprimit të tregut të energjisë. Bursa e energjisë është e mundur të jetë edhe institucioni i parë i përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe mbështetëse e fuqishme e krijimit të tregut kombëtar shqiptar.

Tregu i shitje-blerjes së energjisë elektrike është nga më të rëndësishmit në PPB/Prodhimit Përgjithshëm Bruto të vendit me mbi 400 milion euro/vit transaksione. Sipas të dhënave masa e korrupsionit të përfolur në vite në tregun e shitje-blerje të energjisë elektrike ka qenë e lartë. Megjithëse, ka një përmirësim krahësimor në vitet e fundit, pasojë e drejtpërdrejtë e cilësisë së ulët të menaxhimit, strukturës së ndërtimit dhe korrupsionit në tregun e shitje-blerjeve të energjisë elektrike, Shqipëria ka sot cmimin e energjisë nga më të lartët në Rajon për bizneset. Në mënyrë të përafërt llogaritet, se mbi 15% e cmimit përfundimtar të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë vjen si pasojë e subjektivizmit dhe korrupsionit në sektor.

Konfindustria ka shprehur në mënyrë të përsëritur, se para së gjithash Bursa e Energjisë është një mjet për të rritur tejdukshmërinë dhe luftuar korrupsionin në marrëvshjet tregtare të energjisë me ndikim të drejtpërdrejtë në cmimin fundor për bizneset dhe qytetarët. Cmimi i energjisë elektrike nga më të lartët në Rajon, godet rëndë kostot e prodhimit dhe shërbimeve të gjithë bizneseve, industrive dhe ekonomisë kombëtare, ul fuqinë konkuruese të prodhimit dhe shërbimeve, pengon nxitjen dhe tërheqjen e investimeve të huaja dhe të vendit.  Gjithashtu, bursa është hallkë e munguar dhe e vonuar e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë të filluar disa vite më parë, pjesë e integrimit të vendit në BE.