Gazsjllësi TAP, në pranverë 2015 nis ndërtimin e rrugëve për projektin

378

Rreth 100 milionë USD parashikohet të investohen nga pranvera e vitit që vjen në rrugët e aksesit, ku do të kalojnë tubacionet e projektit të gazsjellësit TAP. Punimet e para për këtë projekt do të fillojnë në Shqipëri për të përgatitur infrastrukturën rrugore drejt kantiereve ku do të shtrihen tubacionet.

Burime nga ministria e Energjisë dhe Industrisë bëjnë të ditur se po kontaktohet më zyrën e TAP-it, që në procesin e ndërtimit të rrugëve të ketë prioritet përfshirjen e kompanive shqiptare, që kanë gjithë kapacitetet dhe njohin mirë terrenin. Ndërkaq, është ngritur një njësi e përbashkët në lidhje me shpronësimet e tokave ku do të kalojë tubacioni si dhe për infrastrukturat e tjera.

Gazsjellësi TAP është pjesë e Korrridorit Jugor të Gazit, që nis nga Azerbajxhani dhe përfundon në Itali. Gjurma e TAP-it nëpër Shqipëri është rreth 210 kilometra në tokë dhe 60 km në ujërat territoriale shqiptare në Detin Adriatik. Tubacioni nis në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës, në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik, 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.

Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, 9 stacione valvulash bllokimi, ndërsa është planifikuar një stacion tjetër afër Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Në zonat malore ku do të kalojë tubacioni, do të ndërtohen afërsisht 58 km rrugë të reja dytësore, 44 km ekzistuese do të përmirësohen, do të rehabilitohen 50 ura dhe do të ndërtohen dy të reja.

TAP është pjesë e “Korridori Jugor te Gazit” me gjatësi mbi 4.000 km, ku tubacionet përshkojnë 7 vende dhe ku veprojnë disa projekte të veçanta energjetike, të cilat së bashku përfaqësojnë investimin rreth 45 miliardë USD. Këto projekte janë: fusha Shah Deniz 2 me shpime pusesh dhe prodhim detar gazi në Detin Kaspik; zgjerim i impiantit të përpunimit të gazit në Terminalin e Sangaçalit në bregun e Detit Kaspik në Azerbajxhan; tre projekte gazsjellësish: Gazsjellësi i Kaukazit të Jugut (SCPX)-Azerbajxhan, Gjeorgji, Gazsjellësi Trans Anatolian (TANAP)-Turqi dhe Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP)-Greqi, Shqipëri, Itali.

Projekti i Korridorit Jugor të Gazit përfshin zgjerim i rrjetit italian të transmetimit të gazit dhe mundësi për lidhje të tjera me rrjetet e gazit në Evropën Juglindore, Qëndrore dhe Perëndimore.