Gara për konsumatorin, si supermarketet po ia “rrëmbejnë” tregun dyqaneve të vogla

1175
Sigal

Rrjetet e supermarketeve janë një ndër bizneset që po njohin rritje të vazhdueshme vitet e fundit. Në një vend ku ekonomia informale është e lartë, aktorët kryesorë të tregut po shohin hapësirë për zgjerim. Në 2017-n, 8 rrjetet e supermarketeve më të mëdha në vend përgjigjeshin për 37% të tregut (formal) në total. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë 2017-s, shqiptarët shpenzuan për ushqim, pije dhe duhan 64.7 miliardë lekë, edhe pse këto para u përqendruan në më pak duar. Si po ndikon konkurrenca midis tyre te çmimet finale dhe cili do jetë fati i dyqaneve të vogla?

 Nga Ledina Loga

Shqipëria është unike në Evropë për peshën e lartë të shpenzimeve konsumatore për ushqime, me 44% të totalit, sipas Anketës së fundit të Buxhetit të Familjes, 2017, publikuar nga INSTAT. Në Evropë, konsumatorët shpenzojnë mesatarisht 12% për ushqime ndërsa në rajon, kjo peshë është më e ulët se tek ne. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm për ushqim, pije dhe duhan, shqiptarët shpenzuan gjatë 2017-s, 64.7 miliardë lekë, ose mbi 500 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare, ndërsa përfshirë informalitetit aktorët e tregut vlerësojnë se shuma është të paktën 40% më e lartë. Në total, tregu zyrtar pati rritje vjetore prej 6%. Hapësira për biznes është e lartë, duke filluar nga mijëra dyqane të vogla e deri te zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve që po zgjerohen ndjeshëm vitet e fundit, duke konkurruar të vegjlit. Ndonëse u zhvilluan vonë në tregun shqiptar dhe hovin e morën pas viteve 2000, rrjetet e supermarketeve janë ndër segmentet që po njohin rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave që kanë publikuar 8 rrjetet më të mëdha të supermarketeve në vend, pesha që zënë në totalin e tregut është 37%, ndërsa aktorët kryesorë të tregut shohin potencial për zgjerim, për shkak të informalitetit. Një pjesë e zgjerimit të tyre në tregun vendas i atribuohet “rrëmbimit” të konsumatorëve të dyqaneve të vogla. Sipas të dhënave nga INSTAT, bizneset që operojnë në tregtinë me pakicë kanë qenë në rënie për të dytin vit radhazi, të cilët për shkak të formatimit të ekonomisë, nuk mund të mbijetonin më në treg.

Cili e “rrëmbeu” tregun?

Edhe pse kanë zgjedhur që të operojnë me NIPT-e të veçanta, i gjithë rrjeti i supermarketeve “Big Market” pati një qarkullin vjetor prej 95 milionë eurosh, apo 12.7 miliardë lekë, sipas burimeve të kompanisë, duke kryesuar tregun. Në të gjithë Shqipërinë, rrjeti i supermaketeve “Big Market” numëron 116 pika. Zgjerimi në tregun vendas, për zotin Ilir Saliaj, administrator i grupit “Big Market Albania”, u mbështet edhe nga ndërtimi i magazinës së tyre qendrore, gjë që i krijoi mundësinë pikave të tyre të tërheqin më tepër mall dhe të qarkullojnë më shumë. Më parë, punonin me magazina të marra me qira, ku hapësirat ishin disi më të kufizuara. Në vend të dytë për sa i përket qarkullimit janë rrjetet e supermaketeve “ SPAR”, me një qarkullim prej 40 milionë eurosh, rreth 5.4 miliardë lekë, ndërsa në të gjithë vendin numëron 30 pika. Sipas të dhënave financiare të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “SPAR” është kompania me zgjerimin më të madh në tregun vendas në 2017-n me rreth 65%. “SPAR” e nisi punën në Shqipëri në tetor të vitit 2016. Menaxhimi ia atribuon rritjen, strategjisë së “SPAR” dhe jo zgjerimit të tregut në vetvete. Në vend të tretë janë dyqanet e rrjetit “Conad”, i cili në 2017-n pati një qarkullim vjetor prej 2.6 miliardë lekësh, me një rënie prej 3% në krahasim me një vit më parë. Rënien në të ardhura, administratori i rrjetit “Conad”, Pietro Tafuni e argumentoi me daljen nga tregu të pikës së “City Park”, për vetë problematikat që pati kjo qendër. Megjithatë, duke përjashtuar këtë pikë dhe ndikimin që pati në të ardhurat totale të kompanisë, ai vlerëson me rritje të ardhurat, në masën 10% në krahasim me një vit më parë. Në vend të katërt për sa i përket qarkullimit janë rrjetet e supermarketeve “Eco Market”, të cilët në 2017-n qarkulluan rreth 1 miliard lekë, edhe pse të ardhurat e tyre shënuan rënie në krahasim me një vit më parë me 5%, sipas të dhënave nga pasqyrat financiare të publikuara në QKR. Në të gjithë vendin, rrjeti i marketeve “Eco” numëron rreth 19 pika. Në total, 8 rrjetet kryesore të marketeve në vend patën një qarkullim në 2017-n prej 24.2 miliardë lekësh, me një peshë rreth 37% në totalin e të gjithë tregut të shitjeve me pakicë. Sipas të dhënave të marra nga INSTAT, qarkullimi në total i njësive të specializuara për ushqime, pije dhe duhan ishte 64.7 miliardë lekë.

Gjenerator punësimi

Përveç peshës së konsiderueshme që rrjetet e supermarketeve kanë në qarkullimin total në këtë sektor, kanë ndikim edhe në punësim. “Big Market” renditet i pari për sa i përket punësimit, me rreth 1700 të punësuar në të gjithë Shqipërinë, duke u renditur edhe në 10 kompanitë me numrin më të lartë të të punësuarve në vend. Në vend të dytë renditet rrjeti i supermarketeve “SPAR”, ku sipas të dhënave të kompanisë ka të punësuar 745 persona. Numër të lartë të punësuarish ka edhe rrjeti i supermarketeve “Conad”, me rreth 515 të punësuar. Me numër më modest në punësim, në vendin e katërt, renditet “Eco Market”, ku sipas njoftimit në faqen zyrtare ka rreth 200 të punësuar.
Hysen Xhangolli, administrator i rrjetit “Xhangolli”, i cili numëron rreth 11 pika, ka rreth 120 të punësuar. Mesatarisht, një pikë supermarketi punëson 11-15 persona, ndërkohë që angazhon një zinxhir të gjerë furnitorësh.

Konkurrenca, më e lartë në Tiranë, rrethet hapësirë për zgjerim

Është e vështirë që në lagjet pranë sheshit “Wilson” të gjesh një dyqan të vogël lagjeje, ndërsa has lehtësisht nga dy markete të secilit prej zinxhirëve të mëdhenj, madje dhe pranë njëri-tjetrit. Në Tiranë, me sa duket, është përqendruar e gjithë gara për konsumatorin, duke qenë se dhe dendësia e popullsisë është e madhe në kryeqytet. Zonat pranë qendrës janë ato ku gara mes midis tyre është më e fortë. Ilir Saliaj, administrator i Big Market, thotë se në fund të fundit kjo konkurrencë i shërben konsumatorit final, duke qenë se për shkak të kësaj ata janë të detyruar që të mbajnë çmime konkurruese, si dhe të ruajnë standarde në cilësinë e produkteve dhe në shërbim. Megjithatë aktorët kryesorë të tregut thonë se konkurrencën nuk e kanë midis njëri-tjetrit, duke qenë se tregu ka ende hapësirë për zgjerim. Sipas zotit Saliaj, shitjet me pakicë dhe veçanërisht sektori ushqimor vuan më shumë prej informalitetit. Në rrethe, situata ndryshon disi dhe aktorët kryesorë të tregut shprehen se hapësira për t’u zgjeruar është më e madhe. Ata që kanë dashur të zgjerohen në tregje të reja, kanë hapur pika dhe në qytetet e vogla. Megjithatë edhe në rrethe, ekonomia informale mbetet shqetësimi kryesor.

Konkurrenti më i ashpër, “informaliteti”

Të gjithë aktorët e tregut shprehen se konkurrenca e vërtetë nuk është midis tyre, por me ata që punojnë në informalitet dhe me konkurrencën e pandershme. Për CEO-n e “Spar Albania”, Elona Mema, kjo është ndër vështirësitë më të mëdha që përballen në treg. Sipas saj, në treg ka vazhdimisht individë që punojnë në të zezë, të palicencuar dhe jashtë çdo standardi higjieno-sanitare, ndërsa konkurrenca e pandershme nuk kujdeset në plotësimin e standardeve higjieno-sanitare dhe nuk e respekton ligjin për ushqimin, “Conad” përballet me kosto të larta, sipas zotit Pietro Tafuni, administrator i Conad Albania. Për këtë arsye, thotë ai, një pjesë e mirë e konkurrentëve të tyre dalin në treg me çmim më të ulët. Për sa i përket luftës kundër informalitetit, aktorët kryesorë të tregut shprehen se gjërat kanë filluar të ndryshojnë për mirë në tregun vendas. Pietro Tafuni thotë se është rritur angazhimi i autoriteteve për të normalizuar tregun, edhe pse e kuptojnë se pajtueshmëria me ligjin do të krijonte probleme për shumë nga ekonomitë informale, të cilat shpesh përbëhen nga biznese të vogla familjare. Drejtuesi i “Big Market”, Ilir Saliaj, thotë se ka zhvillime pozitive në luftën kundër informalitetit. “E shikoj pak të lidhur edhe me politikën, biznesin e vogël, duke menduar edhe punësimin e këtyre individëve. U nis në një moment aksioni anti-informalitet në mënyrë të fuqishme, dhe shumë qepena në rrugën “Myslym Shyri”u mbyllën. Ai shtoi se për sa kohë kanë mbijetuar në një kohë të vështirë, kur tregu ishte informal, kur shitej në rrugë, tani situata është shumë më ndryshe. “Edhe në periferi të Tiranës, kur shikoj se bizneset e vogla presin kuponët tatimorë, kuptoj që diçka po lëviz për mirë”, tha zoti Saliaj. Monitor

Konkurrenca me dyqanet e vogla

Luli L., hapi një dyqan të vogël në ballkonin e shtëpisë së saj në fund të viteve ’90. Për vite me radhë, puna niste herët në mëngjes dhe përfundonte në mesnatë. Në atë dyqan të vogël lagjeje, ajo tregtonte kryesisht artikujt bazë të shportës së ushqimeve, pije freskuese dhe cigaret, për të cilat thotë se kishte marzhe të larta fitimi, por edhe ecuri të mirë duke qenë se ishte buzë një rruge ku lëvizja ishte e shpeshtë. Megjithatë, në vitin 2015, tregon se mori vendimin e vështirë për të mbyllur aktivitetin. Ndryshe nga vitet e para të aktivitetit, puna filloi të binte. Klientët e saj kishin nisur t’ia rrëmbenin pikat e mëdha të shitjes me pakicë. Ajo kujton se pika e parë që u hap pranë minimarketit ishte “Euromax”, i cili do të dilte nga tregu në 2012-n, në rrugën “Abdyl Frashëri”, pranë sheshit “Wilson”. Nuk do të vononin as pikat e tjera të rrjeteve të supermaketeve që kishin filluar të zgjeroheshin në treg si Big Market, Conad, Eco Market etj. Ajo nuk e pa më të volitshme të merrej me këtë aktivitet. Zgjerimin nuk e merrte në konsideratë për sa kohë po i afronte mosha e daljes në pension dhe as fëmijët nuk kishin interes për ta mbajtur hapur aktivitetin. Luli shton se në muajt e fundit që e mbajti hapur dyqanin, xhiroja thuajse u përgjysmua dhe paratë nuk i mjaftonin që të bënte në mënyrë të vazhdueshme furnizime. Për më tepër, supermarketet e mëdha po dilnin me çmime më të lira se ajo. Të njëjtin fat me këtë minimarket vijojnë të kenë shumë biznese të vogla, jo vetëm në kryeqytet. Në një treg të mbipopulluar nga të tilla oferta, është i pritshëm dhe falimentimi. Përveç problemeve të menaxhimit, ky sektor është i ndjeshëm nga rënia e fuqisë blerëse dhe ajo e konsumit.

Situata është e njëjtë edhe për dyqanet ushqimore, që pas një periudhe në të cilën bizneset që ushtronin këtë lloj aktiviteti mbinin si kërpudhat pas shiu, sot është e vështirë të gjesh një market të vogël për të plotësuar një nevojë të momentit. Zinxhiri i supermarketeve të mëdha ka nxjerrë jashtë loje dyqanet ushqimore të lagjeve. Pjesa më e madhe, duke mos konkurruar dot supermarketet që tregtojnë një gamë të gjerë produktesh, shpesh edhe me çmim më të lirë, kanë falimentuar. Me një normë të ulët fitimi, 10% mbi xhiron, dyqanet e patën të pamundur të mbijetojnë, duke i shtuar gjithë kësaj situate dhe rënien e fuqisë blerëse, e cila është pranuar nga të gjitha bizneset e kontaktuara nga “Monitor” në sondazhet e zhvilluara me bizneset që kanë pezulluar aktivitet. Teuta Kosova, e cila tregtonte produkte ushqimore që nga viti 2003, e ka mbyllur aktivitetin në maj të vitit 2016. Ajo pohon se i ra xhiro, për shkak të hapjes së supermarketeve të mëdha. Durim Rroshi, i cili kishte hapur një aktivitet biznesi ushqimor në vitin 2009, në rrugën ‘Artan Lenja’ dhe funksiononte si biznes i madh, vendosi në shkurt të këtij viti të bënte kërkesën për çregjistrim. Ai pohon se tarifat e larta dhe përndjekja nga tatimorët ndikuan në këtë vendim. Bledar Kalaja, në rrugën ‘Ferit Xhajko’, është një tjetër mbyllje për shkak të zgjerimit të zinxhirit të supermarketeve të mëdha.

Një xhiro e përqendruar në pak duar

Sipas INSTAT, në vitin 2017, të gjitha njësitë tregtare të specializuara në ushqim, pije e duhan patën një qarkullim vjetor prej 64.66 miliardë lekësh, me rritje 7%. Që prej vitit 2013, ku qarkullimi vjetor shënoi vlerën 37.4 miliardë lekë, tregu në total i ushqimoreve është rritur me 72.7%. Ritmi i rritjes ka qenë më i madh në 2014 dhe 2015-n, duke marrë parasysh dhe aksionin antiinformalitet, ku shumë biznese që deri në atë moment punonin të paregjistruar, u formalizuan. Më pas, ritmi i rritjes pati vlera modeste. Këtë e vërtetojnë edhe shifrat për numrin e njësive tregtare me pakicë. Numri i njësive tregtare që operojnë në sektorin e shitjeve me pakicë ishte 37.4 mijë gjatë 2017-s, rreth 2 mijë njësi më pak se një vit më parë. Në vitin 2013, numri i njësive tregtare me pakicë ishte 35.9 mijë, por edhe në vitin 2014, bizneset me pakicë ishin sërish në rënie, me rreth 1000 njësi më pak. Viti 2015 do të shënonte numrin më të lartë të njësive tregtare me pakicë të regjistruara, që do të përkonte edhe me aksionin antiinformalitet. Më pas, numri i bizneseve në njësitë tregtare do të hynte sërish në trendin rënës. Ndryshe ka ndodhur me qarkullimin e tregut në përgjithësi, ndonëse ritmi i rritjes ka qenë më i ulët në vitin 2017, në një vlerë të përafërt me përqindjen e rritjes ekonomike të vendit dhe inflacionin. Tregu në zgjerim dhe numri i njësive tregtare në rënie janë tregues se qarkullimi po fillon të përqendrohet te më të mëdhenjtë.

Një supermarket për VIP-at

Krahas supermarketeve tradicionalë, kanë hyrë në tregun shqiptar rrjete të dedikuara me ushqime cilësore (Premium food) për klientelën me të ardhura të larta. “Baronesha” është krijuar falë një bashkëpunimi me biznesmenë anglezë, te cilët sollën në Tiranë marka më me emër të prodhimeve botërorë dhe është pozicionuar në një segment ku nuk ka konkurrentë. “Ecuria ka qenë shumë e mirë dhe “Baronesha” është bërë treg i klientëve VIP. Produktet qe gjenden në supermarketet më të mira të Parisit, Romes dhe Londrës i gjejmë sot tek Baronesha”, pohon Vionel Meta. Administratori i “Baronesha”. “Të gjitha produktet janë të certifikuara dhe brenda standardit Evropian. Për këtë arsye “Baronesha” ka fituar besimin e një klientele te gjerë VIP”. Ai shton se produktet janë me pakicë, kjo i jep mundësi “Baroneshës” të ndryshojë vazhdimisht produktet duke futur emra të reja në treg. “Tek “Baronesha” trajtohen një gamë e gjerë produktesh, të cilat janë risi për tregun Shqiptare si Produkte Bio, Vegane, Pa Gluten, Diabetik dhe një kategori e zgjeruar për personat që merren me aktivitet fizik”, pohon Meta. Fuqia blerëse vjen në rritje sepse klientët VIP nuk i sjellin më produktet nga Evropa, pasi i gjejnë në Shqipëri. “Tregu është në rritje sepse “Baronesha” nuk ndikohet nga konkurrenca, tregton produkte që nuk janë në supermarkete të tjerë”, thotë Meta. “Baronesha” duke qenë risi në treg është vetëm një supermarket dhe nuk ka plan për supermarket të dytë. “Duke qenë se tregton produktet dhe markat më të dëgjuara, sigurisht që ka dhe çmime të larta”, thotë administratori i saj. MONITOR