Furnizimi me energji, OSHEE blen 7 milionë euro nga tregu

768
Sigal

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka blerë nga tregu më shumë se 7 milionë euro energji për periudhën 16-30 nëntor. Sasia e blerë për të siguruar furnizimin normal është në nivelin 76.5 mijë MË me një çmim mesatar prej 92.25 euro/mwh. Sigurimi i energjisë duket se nuk ka qenë një procedurë edhe aq e thjeshtë për Operatorin e Shpërndarjes të cilit i është dashur që të zhvillojë pesë faza negocimi me kompanitë furnizuese në treg deri në kontraktimin e sasisë së nevojshme për të cilën kompania kishte nevojë. “Duke qenë se nga ofertat e ardhura ne fazën 4, nuk ishte arritur sigurimi i sasisë së kërkuar për të optimizuar portofolin ekonomik te OSHEE sh.a., Komisioni i Blerjes vendosi të negocioje me të gjitha kompanitë për të rritur sasitë dhe për të ulur çmimin për njësi. Kjo nuk është hera e parë që OSHEE blen nga tregu për të siguruar një pjesë të mirë të energjisë së destinuar për konsum nga konsumatorët furnitorë. Për tetorin u zhvillua një procedurë e ngjashme por që u zhvillua në shtator dhe ku u siguruan dy çmime të ndryshëm sipas profileve të kërkuar. “Totali i energjisë elektrike e ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a. për çdo profil ishte loti 1, 67,200.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 5,204,892.00 Euro, me një çmim mesatar prej 77.45 Euro/MWh dhe loti 2, 44,800.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 4,121,152.00 Euro, me një çmim mesatar prej 91.99 Euro/MWh. Deri më tani në vetëm dy muaj totali i parave të shpenzuara nga OSHEE për të garantuar furnizimin normal me energji edhe përmes importit ka arritur mbi 16 milionë euro. Çmimet e energjisë në tregun e parregulluar pritet që të pësojnë rritje të mëtejshme nëse nuk do të ketë ndryshime në situatën hidrike në vend apo rajon. Mungesa e shirave gjatë këtyre muajve të vjeshtës ka detyruar prodhuesit që të optimiziojnë maksimalisht burimet e tyre ashtu sikurse po ndodh edhe me KESH.