Fullani të mos hesht për “mafjen” e bankave

841
Sigal

FORUM/ Flasin për skandalin me bankat specialistët: av.Idajet Beqiri dhe av.Ndue Pjetra

Menjëherë pas publikimit që gazeta “Telegraf” i bëri rastit të ardhur në redaksi nga ish-drejtori i Kulturës, në Kavajë, për abuzimet e bëra nga Banka Kombëtare Tregtare, ka ardhur një tjetër denoncim, ku përforcohen akoma më shumë manovrat që kjo bankë bën, për të përfituar të ardhura në kurriz të klientëve shqiptarë. Këtë herë, bëhet fjalë për një zotëri, kredimarrës, banor i Rrugës së Elbasanit, i cili deklaron se, ka marrë tek kjo bankë një shumë të caktuar kredie, të cilën është duke e shlyer. Ndërkohë, ka derdhur paratë e kredisë mujore në BKT dhe pas një muaj, punonjësit e bankës i kanë telefonuar, duke i thënë se, duhet të paguajë 60 mijë lekë të vjetra, pasi kur ka bërë shlyerjen e këstit mujor, duhej të paguante edhe 4 mijë lekë më shumë. Kështu, kësti i paguar një muaj më parë, nuk ka hyrë në sistem, për shkak se ishte e mangët me 4 mijë lekë të vjetra. Tani, nga 4 mijë lekë të vjetra, duhet të paguajë 60 mijë lekë të vjetra, kjo për shkak të kamatës. Pra për një muaj kamata rritet me 1500%. Ky është një rast flagrant, si edhe rasti i dy ditëve më parë, që tregon abuzimet, që kjo bankë bën me klientët e vet, duke shkelur si kontratat me klientët, ashtu edhe legjislacionin bankar. Me sa duket, kjo është edhe arsyeja se pse kjo bankë është shpallur si banka me fitim më të lartë në Shqipëri, nga një studim i bërë nga Open Data Albania. Rreth rasteve të paraqitura, por dhe të tjerat të ngjashme, që tashme i has pothuajse në të gjitha bankat shqiptare, ne kemi pyetur dy avokatë të ndryshëm, të cilët janë përgjigjur, në lidhje me pyetjet e mëposhtme.

Pyetjet

1Një pjesë e mirë e kontratave janë bërë të tilla, ku shprehjet kuptimore profesionale nuk janë të kuptueshme nga klientët. A e përjashton kjo përgjegjësin e bankave? Kush do të jetë në këtë rast mbrojtësi i vërtet i qytetarëve, kreditorëve shqiptar?

2-A mendoni se, Banka e Shqipërisë nuk duhet të lejojë hedhjen në treg të kontratave, të cilat nuk kanë marrë miratimin nga Banka Qendrore?

3-Cila është rruga që duhet të ndjekin qytetarët, për zgjidhjen e çështjeve, në rast të mos rënies dakord?

4-Çfarë neni/ vepre penale ka konsumuar banka, mbi bazën e së cilës qytetarët duhet t’i drejtohen gjykatave?

Av. Idajet Beqiri

Pyetja 1: Bankat në Shqipëri janë kthyer në përbindësha të vërtet për varfërimin e shqiptarëve, për degradimin e bizneseve në vend dhe fundosjen e ekonomisë, për prishjen fatale të familjeve të shumta me shkurorëzim, por edhe për shkaktimin e një numri të konsiderueshëm vetëvrasjesh. Me përjashtime të rralla, në përgjithësi në shumicën dërrmuese të bankave në vendin tonë janë grumbulluar “banda” njerëzish të paskrupullt, që nga mëngjesi deri në mbrëmje u punon mëndja vetëm si dhe qysh të grabisin shqiptarët. Nga përvoja ime si avokat, në çështjet gjyqësore me palë qytetarët kredi marrës nga njëra anë, dhe bankave si kredi dhënëse nga ana tjetër, kam arritur në konkluzionin se, këshilla më e mirë që mund t’u jepet shqiptarëve në raport me kredimarrjen është ajo që të largohen sa më shumë të jetë e mundur nga kjo sëmundje kanceroze që mund t’u shkaktoj dhe trauma të rënda. Këtë të keqe e bënë më dramatike fakti se, përkrahë bankave në grabitje vihen edhe shumica e përmbaruesve gjyqësor, të cilët me qenë se, marrin pjesën e tyre të “luanit” nga një “superinteres”, të cilin e paguajnë gjithashtu kreditorët shqiptar si “shpenzime përmbarimore, e bëjnë këtë fenomen edhe më të rrezikshëm. Dhe po t’i shtosh kësaj edhe faktin që, Gjykatat ku do përplasen në fund shqiptarët kredimarrës për të zgjidhur konfliktin me bankat, janë tepër të pa afta, rrjedhojë kjo e terminologjisë dhe legjislacionit bankar, të bëra enkas të pakuptimta dhe me frazeologji abuziviste, e bënë këtë fenomen tepër shqetësues dhe pa rrugëzgjidhje.

Pyetja 2

Banka e Shqipërisë, por edhe një sërë institucione të rëndësishme të shtetit, të cilat kanë për detyrë të disiplinojnë bankat, t’i fusin ato në mirëfunksionimin korrekt dhe sipas ligjësive financiare e juridike; por që kanë gjithashtu edhe përgjegjësinë ligjore për të mbrojtur qytetarët e këtij vendi nga abuzimet skandaloze, që u bëhen financave të tyre, për fatin e keq janë bërë ortake me të keqen. Banka e Shqipërisë, duhet të japë alarmin për abuzivizmin ekstrem që është ulur këmbëkryq në bankat private të vendit dhe të ndali rrokullimën që ka marrë kredi dhënia në Shqipëri, me norma interesi sipas qejfit të “Sudeve”, të bankave si dhe me përllogaritje të shlyerjeve të tipit “mafioz “, dy plus dy bëjnë njëzetë e dy”! Kështu veprojnë “de fakto ” bankat në Shqipëri.

Pyetja 3

Qytetarët para se t’i hedhin në gjyq bankat, të gjejnë ekspertë finance me njohuri të posaçme bankare. T’u jepet këtyre ekspertëve gjithë dokumentacioni përkatës, duke filluar nga kontratat, derdhjet, llogaritjet, korrespondenca me bankën etj.. Pasi të sigurojnë këtë ekspertizë, duhet t’i vënë në dispozicion një avokati profesionist gjithë dokumentacionin përkatës, me qëllim që të operohet në të dyja drejtimet njëherazi, me kallëzime penale kundër abuzivistëve shkatërrimtar, si dhe me padi civile për të filluar të drejtën që ua ka nëpërkëmbur banka.

Pyetja 4

Në rastet e shumta që kam patur për zgjidhje dhe trajtim të këtyre konflikteve me palë qytetarët kredi marrës kundër bankave, veprat penale evidente që duhen ndjekur dhe hetuar nga organi i akuzës, janë nga vjedhjet me anë mashtrimi dhe shpërdorimi detyre, deri te falsifikimet dhe shpërdorimi i pozitës zyrtare.

Av.Ndue Pjetra

(Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion)

 Qytetarët nuk i lexojnë fare kontratat me bankën që ato bëjnë. Ndërsa, banka në vetvete, kontratat që ka me qytetarët, i ka të njëanshme që cenojnë qytetaret. Këto kanë ardhur në kundërshtim me kushtetutën, nga mungesa e bazës ligjore me dashje, nga qeveritë e njëpasnjëshme, si dhe nga moskontrolli efikas i Bankës së Shqipërisë. Çka do të thotë që qytetarët janë të rrezikuar në çdo rast nga mungesa e bazës ligjore. Por të drejtat e tyre mund t’i mbështesin në kushtetute. Rastet abuzive janë të shumtë. Pasi bankat nuk e kanë të mbështetur as në ligj, por nuk i pengon as ligji që t’ju vjedhin lekë qytetarëve. Bankat në përgjithësi, si dhe në rastin konkret, i lë me dashje që qytetarët të gabojnë. Të tërheqin nga bankomati shuma, të cilat i konsideron banka si në formë over-drafti. Në këtë rast ka për detyrë që, brenda afatit 30 ditor, duhet të njoftojë klientin me telefon ose me shkresë në adresën e lënë. Në qoftë se, banka nuk i kryen këto veprimet e njoftimit, atëherë i lind e drejta qytetarit që të mos përgjigjet për interesat e mëtejshme. Bazuar në një artikull të mëparshëm të botuar në gazetën “Telegraf”, ku bankat në Shqipëri i vjedhin qytetareve 10 milionë euro në vit vetëm me taksën e mirëmbajtjes së numrit të llogarisë. Në përgjigje të shkresave drejtuar shoqatës, të gjitha bankat e shoqërisë janë përgjigjur me shkresë Shoqatës së Avokatëve antikorrupsion, që këtë taksë e caktojnë vet si banka të mbështetur në rregulloren tonë, por jo në ligj. Para 10 ditësh, pikërisht për këtë problem, Shoqata Avokatëve ka dërguar dosje në gjyq për Tirana Bankë. Ngaqë është e vetmja bankë, që nuk i është përgjigjur kërkesës se, me çfarë baze ligjore i merr paratë qytetareve.

Pyetja 1: Bankat në përgjithësi janë të mbrojtura ligjërisht sepse e ka fajin ligji, i cili është në favor të tyre i bërë me dashje, por ky ligje bie ndesh me Kushtetutën dhe të drejtat themelore të Njeriut.

Pyetja 2: Ligji për bankat, nuk i rregullon marrëdhëniet mes bankave dhe klientëve. Banka qendrore, sipas ligjit rregullon marrëdhëniet mes bankave të nivelit të dytë dhe Bankës Qendrore. Që në krijimin e bankave ligjet nuk kanë ndryshuar, vetëm funksionojnë në favor të tyre.

Pyetja 3: Qytetarët duhet të lexojnë me kujdes Kontratën, sepse nuk janë të gjitha bankat njësoj dhe të marrin avokat për te rënë dakord mes palëve. Kontrata vete quhet kontratë mes palëve, nëse firmoset nga palët quhet e ligjshme, prandaj nuk mund të kundërshtohet pasi të firmoset, sepse quhet e kryer.

Pyetja 4: Bankat në përgjithësi, kryejnë vepër penale vetëm atëherë kur të marrin lekët nëpërmjet mashtrimit, Neni 143 K Penal. Cilat janë mënyrat që bankat përdorin mashtrim? Rasti konkret është kur, nga bankomati të lejojnë për të marrë një shumë lekësh, ku ti nuk ke gjendje dhe nuk të njofton se, ju kini tejkaluar shumën e caktuar, por aplikojnë mbi këtë shumë taksa dhe fitime marramendëse. Për këto, qytetari i drejtohet prokurorisë për mashtrimin që bankat ju bëjnë qytetarëve, kure këto bëhen në bashkëpunim me Zyrat e përmbarimit. Atëherë, mund të aplikohet Neni 143-2

Shoqatat e Mbrojtjes së Konsumatorve, duhet të dërgojnë në gjykatë kontratat e bankave, kur këto konstatohen se janë të njëanshme, politikat e qeverive të njëpasnjëshme kanë mbrojtur bankat me ligjet dhe me udhëzimet. Në të gjitha rastet është shkelur Kushtetuta, por bankat janë të politikës dhe vetë ato mbrojnë veten e tyre, prandaj edhe ligjet e nxjerra nga ana e tyre janë në favor të tyre. Në këto kushte, nëse nuk ndërhyhet fuqishëm për të bërë demaskimin dhe për të paraqitur vjedhjen e tyre, nuk munde të rregullohet gjendja.