Fshatrat e Korçës, të “mbytur” me aksidente automobilistike

588
Sigal

Tashmë durimi i banorëve të fshatit Drithas në rrethin e Korçës duket se ka sosur. Prej disa vitesh, për shkak të aksidenteve automobilistike, vijojnë të humbasin të afërmit e tyre. Gjithçka ndodh si pasojë e mungesës së një mbikalimi, nënkalimi apo rrethrrotullimi në kryqëzimin pranë fshatit në fjalë. Edhe rastet e plagosjeve kanë qenë të shpeshta. Shumë të tjerë tregojnë se sa pranë kanë qenë me vdekjen, por fati i ka shpëtuar: Automjeti ose i ka hedhur në anë të rrugës, ose drejtuesi i mjetit ka rreziku jetën e vet dhe ka përfunduar në kanal, ose makina u ka qëndruar para këmbëve falë frenimit të fortë. Tmerri dhe rreziku për humbje jete është i përditshëm. Të gjithë janë të rrezikuar: gra, burra, fëmijë, të rinj e të moshuar, por deri më sot ankesat banorëve, thirrjet e tyre për ndihmë, kërkesa për gjetjen e një zgjidhjeje, ka rënë në vesh të shurdhët. Të gjendur në këto kushte, ata u bëjnë thirrje edhe një herë institucione përgjegjëse të ndërhyjnë në këtë aks rrugor, të gjejnë zgjidhjen e duhur dhe të përhershme që të mos vijojnë të humbasin jetë njerëzish sikur janë në luftë. Në të kundërt do të zgjedhim rrugën e protestave, pasi duke folur veç e veç, qoftë edhe në media sa herë ndodhin aksidente, nuk po na i vë veshin njeri; askush nuk dëgjon.

Kryqëzimi i vdekjes

Kryqëzimi i Drithasit është kryqëzimi më i tmerrshëm dhe më makabër që gjendet përgjatë aksit rrugor Kapshticë – Tiranë. Pa asnjë mëdyshje mund të quhet “kryqëzimi i vdekjes”. Automjete të shumta, të të gjitha llojeve, transport publik apo të tonazheve të rënda, vijnë nga të dy anët e rrugës. Aksi rrugor lidhet edhe me 450 degëzime të tjera, ku hyjnë e dalin automjete pareshtur. Kryqëzimi pranë fshatit Drithas rëndohet edhe më tepër nga prania e automjeteve të vetë fshatit dhe nga automjetet që vijnë nga krahu tjetër, prej Libonikut. Dhe sikur të mos mjaftonte gjithë kjo mori automjetesh që kulmon në këtë kryqëzim, automjete të tjera të fshatrave të fushës së Maliqit, u duhet të kalojnë aty, pasi janë pjesë e zonës dhe e aktivitetit të tyre në fushën e Maliqit. Ndërkohë, rruga mbetet gjatë gjithë ditës e populluar nga këmbësorët, nga njerëz që udhëtojnë me biçikleta, karroca me kuaj, me minitraktorë, me mjete të tjera bujqësore etj. Po në këtë rrugë kalojnë edhe bagëti, pasi nuk ekziston asnjë alternativë tjetër si mund të kalojnë në krahun tjetër të udhës. Për rrjedhojë konfuzioni që krijohet aty është i madh. Ndërkohë për t’i shpëtuar vdekjes, ndërsa kalon kryqëzimin duhet të mbash nën kontroll të katër anët e rrugës, pasi mund të ikësh për dhjamë qeni. Dhe rastet e vdekjeve dhe plagosjeve nuk kanë munguar, madje tashmë janë bërë shumë. Vetëm pak ditë më parë, nga përplasja e dy automjeteve në këtë kryqëzim, u plagosën 4 anëtarë të një familjeje, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. “Kjo është e paparanueshme”, shprehen banorët e fshatit Drithas.

Jetët tona i shpëton mbikalimi

Për të gjitha arsyet e mësipërme, banorët e fshatit Drithas dhe të Libonikut, si dhe fshatrat e tjera të fushës së Maliqit, kërkojnë ngritjen e një mbikalimi, të një nënkalimi apo qoftë edhe të një rrethrrotullimi pasi bij të tyre po humbasin jetën duke kaluar në këtë aks rrugor. Kudo që mund të kishte ndodhte një gjë e tillë, reagimi i autoriteteve përgjegjëse duhej të kishte qenë i menjëhershëm. “Në këtë kryqëzim, shpjegojnë banorët, ekziston sinjalistika paralajmëruese për kufizimin e shpejtësisë, por të paktë janë ata që e respektojnë, pasi shumë drejtues mjetesh kalojnë me shpejtësi marramendëse”. “U lëshojnë rrotat zjarr, na thonë banorët, nuk guxojmë të dalim në rrugë, presim me gjak të ngrirë deri sa të na kthehen fëmijët në shtëpi. Jetojmë bashkë me tmerrin çdo ditë”. “Kufizimi i shpejtësisë nuk është zgjidhje, sqarojnë më tej ata, ndaj duhet medoemos të merret parasysh një nga alternativat e propozuara prej nesh. Ne jemi gati të kontribuojmë edhe vetë financiarisht, pasi shpëtimi i jetës së fëmijëve tanë vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Lutemi të humbasim jetë të tjera njerëzish”, është fjalia e fundit e banorëve të fshatit Drithas dhe fshatrave të tjerë të fushës së Maliqit. Ata ndihen të lodhur nga aksidentet në këtë rrugë, ndaj në rast të një vdekjeje tjetër, zemërimi i tyre do të vijë nëpërmjet protestave. Madje për shkak të aksidenteve me pasojë jetën, ata e quajnë këtë kryqëzim si më të tmerrshmin në botë. “Na i ka bërë gjakun ujë”, thonë ata.