Fshati pa ujë, rrugë, kanalizime dhe pa shkolla e shëndetsi

1736
Sigal

A e di qeveria që edhe në Vidohovë të Devollit banojnë njerëz?!

Fshati, pa rrugë, pa ujë, pa kanalizime të ujërave të zeza dhe pa ujitje

Nga Vepror Hasani

A e di qeveria që edhe në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll jetojnë njerëz?! Kjo është pyetja që ngre sot çdo banor i këtij fshatit, pasi në këtë vendbanim, nuk ka rrugë që të lidhen me Bashkinë e tyre, nuk kanë kanalizime për ujërat e zeza, nuk kanë ujë dhe kanale për ujitjen e prodhimeve bujqësore; dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, nuk kanë as ujë për të pirë, ndaj ata sot pyesin me të drejtën e Zotit: A e di qeveria që edhe në Vidohovë të Devollit banojnë njerëz? pyetja duket naive, por tashmë ata kanë filluar të dyshojnë që qeveria mund të dijë gjë për ekzistencën e tyre. Gjithë gjatësia e rrugës, që ata t’i shpëtojnë skëterrës së mundimeve, nuk është më shumë se 6 kilometra, për të dalë së paku në zonën e Mirasit, (ish-bashkia e kësaj zone), por edhe pse është kaq pak kilometra, askush nuk vë dorë. Dimri erdhi, dhe tmerri trokiti në dyert e tyre. Vetëm ata e dinë si do ta përballojnë edhe këtë dimër të sivjetshëm. Vite më parë fshati kishte 1200 banorë, sot kanë mbetur 640, pjesa më e madhe kanë ikur, të tjerë përgatiten për të ikur, askush nuk dëshiron të jetojë në këtë fshat të harruar, ku mund të vdesësh pa e marrë vesh askush.

Jemi pa rrugë

“Jemi pa rrugë, – na thonë banorët e Vidohovës, – dimri na mban të izoluar për muaj me radhë, rruga është aq e rrënuar sa asnjë makinë nuk e përshkon dot gjatë stinës së dimrit; makinat që kemi në fshat nuk na hyjnë në punë as në rastet më emergjente, sepse gjatë dimrit rruga bëhet e pakalueshme nga automjetet, gropat thellohen dhe mbushen me ujë, akulli pushton gjithë gjatësinë e saj, rrëshqitja e automjeteve është më se e mundshme; ne mbetemi të izoluar komplet. Duhet që një të sëmurë ta transportojmë me kalë siç bënim në Mesjetë, po a mund të transportohet një njeri i sëmurë në kushtet e dimrit hipur mbi samar të kalit?! E keqja na detyron të ndërmarrim edhe iniciativa të tilla, por e gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse marrëzi totale. Jetën tonë mund ta shprehim vetëm me dy fjalë: “Heqim të zitë e ullirit”. Sa herë në fshatin tonë vijnë njerëz të pushtetshëm, e para gjë që na thonë është: “Sivjet do t’jua ndërtojmë rrugën, do t’jua bëjmë me asfalt, sepse vetëm 5-6 km janë”, dhe ne, edhe pse e dimë që na gënjejnë gëzohemi, sepse mendojmë: “Sivjet edhe mund ta bëjnë, sepse u bënë kaq vjet që na gënjejnë, mbase e bëjnë sivjet, por ata edhe për këtë vit na gënjyen. Në gushtin që sapo kaloi, këtë premtim na e bëri edhe kryebashkiaku Eduard Duro: “Do t’jua bëjmë rrugën me asfalt, pritet që shumë shpejt të na çelen fondet”. Gjatë këtij viti gjithçka çeli dhe u tha, por fonde të çelura për rrugën tonë që na mban peng, nuk pati. Tani duam të pyesim qeverinë tonë: Po ne që kemi mbetur a mund të ikim nga fshati ynë për të gjetur një të ardhme tjetër në një vend të huaj?

 Jemi pa kanalizime të ujërave të zeza

Por hallet tona nuk janë aq të vogla sa ç’mund ta mendojë dikush që nuk ka qenë kurrë në fshatin tonë. Katundit tonë nuk i mungon vetëm rruga, por edhe kanalizimet e ujërave të zeza. Beharit këtu qelbet gjithçka, era e keqe gjendet në çdo rrugë, në çdo oborr shtëpie, në çdo dritare dhe dhomë ku jetojmë. Fëmijët janë të rrezikur në çdo çast, ata janë të vegjël dhe luajnë kudo. Nuk mund të themi se nuk kemi pasur raste të sëmurësh që nga fëmijët, të cilët janë më të rrezikuarit e deri te pleqtë, burrat, gratë, vajzat dhe djemtë. A mund të jetohet në një fshat kur gjithë behari duhej të binte erë trëndelinë, sepse buzë malit jetojmë, por që në të vërtetë duket sikur jetojmë në një vend ku janë hapur 40 hale. Banorët ndihen të dëshpëruar dhe të lodhur nga kjo gjendje, ndaj pas çdo shpjegimi shtojnë: A duhet të ikim nga vatanet tona? Sepse ne nuk besojmë më që do të vijë dikush që të na rregullojë rrugën apo të na bëjë kanalet e ujërave të zeza, sepse në ditë reshjesh, ujërat e ndotura mbulojnë çdo rrugë.

Jemi pa ujë të pijshëm

Këto që thamë më sipër, janë më të rëndësishme edhe se uji i pijshëm, por ne nuk kemi as ujë të pijshëm, prandaj ndihemi tejet të dëshpëruar. Kush pati mundësi e siguroi ujin duke investuar privatisht, edhe ata nuk kanë siguruar ndonjë ujë kushedi sa të pastër, por të paktën nuk pijnë ujë të ndotur. Kurse në të tjerët, jemi të detyruar të pimë ujë çfarëdo. Cila qeveri nuk do të vinte alarmin për një fshat që jeton në kushte të tilla, por deri më sot, asgjë e mirë nuk na ka ndodhur, na thonë banorët. Nëse doni të dini çfarë tmerri është të jetosh pa pasur ujë të pijshëm, ejani dhe na pyesni në fshatin Vidohovë të Devollit.

Jemi pa kanale ujitjeje

Dhe hallet tona sërish nuk mbarojnë këtu, duket sikur e teprojmë po të themi se fshati ynë ka edhe mungesë të kanaleve për ujitje, por nuk kemi rrugë tjetër, duhet ta themi, sepse deri tani askush nuk na ka dëgjuar. Liqenin e kemi larg dhe asnjë fshat, pavarësisht nga numri i banorëve, (kur edhe rinia është larguar), nuk ia del dot të bëjë kanale për marrjen e ujit. E fundit që mund të themi, na thonë banorët e fshatit Vidohovë, – ky është fshati ynë, ku jetojmë ne, mes të gjitha mjerimeve, megjithatë e kemi një shpresë, kur pushtetarët të vijnë sërish për të na kërkuar votën, do të ketë ikur edhe pjesa tjetër e fshatit.