Frika nga falsifikimi, ndryshojnë paratë e shqiptarëve

1191
Kartëmonedhat ndryshojnë pamje, shtohet siguria
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos për konfigurimin e ri dhe printimin e sasive shtesë të parasë
Kartëmonedhat në përdorimin e përditshëm të qytetarëve do të ndryshojnë pamjen. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore mori dje në shqyrtim dhe vendosi miratimin e konfigurimit të serisë së re të kartëmonedhave të qarkullimit. “Si emetuesja e vetme e monedhës kombëtare dhe bazuar në objektivat e strategjisë së zhvillimit institucional, Banka e Shqipërisë kujdeset vazhdimisht që struktura dhe cilësia e parasë në qarkullim të plotësojë në mënyrë dinamike nevojat e tregut, duke u përshtatur me evoluimin e fuqisë blerëse dhe teknologjisë së qarkullimit”, bëri të ditur Banka pas mbledhjes së Këshillit. Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës miratoi vizatimet e përmirësuara të kartëmonedhave që janë aktualisht në qarkullim. Seria e re e kartëmonedhave do të ruajë të njëjtën tematikë si ajo aktuale, por do të mbërrijë te publiku e përmirësuar si në pikëpamjen vizuale ashtu edhe në atë të elementeve të sigurisë. 

Gjithashtu, organi vendimmarrës i BSH-së vendosi miratimin e shtypjes së kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, me prerje 200 dhe 5000 lekë, si dhe prodhimin e materialeve të printimit për kartëmonedhat 200, 500, 1000, 2000 dhe 5000 lekë. Në bazë të këtij vendimi do të shtypen kartëmonedhat me prerje 200 lekë dhe 5000 lekë sipas konfigurimeve të reja të rezultuara nga procesi i përmirësimit të vizatimeve dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave. Kartëmonedhat me vizatime dhe elemente sigurie të përmirësuara, parashikohet të jenë në qarkullim, duke nisur prej fillimit të vitit 2019.

Në mënyrë të vazhdueshme, Banka Qendrore rishikon strukturën dhe cilësinë e parasë në qarkullim. Ajo vendosë për të hedhur në qarkullim apo tërhequr seri të caktuara, në varësi të nevojave. Gjithashtu, ndryshimi i elementëve të sigurisë vlerësohet si një masë e rëndësishme për të goditur fenomenin e falsifikimit. 

Ndërkohë në mbledhjen e djeshme të Këshillit Mbikëqyrës janë miratuar edhe disa ndryshimeve në rregulloren “Për përcaktimin e nivelit të vendimmarrjes në mbikëqyrjen e veprimtarive bankare dhe financiare”. Rishikimi i rregullores erdhi si nevojë e përshtatjes së saj me dispozitat e ligjit të ri dhe të akteve të reja rregulluese të mbikëqyrjes për shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, me qëllim përfshirjen e proceseve të reja licencuese dhe mbikëqyrëse në anekset që sigurojnë delegimin e kompetencave për këto subjekte.
Prerja 200 Lekë emetim i viteve, 1996, 2001, 2007, 2012
Përmasat: 138 mm x 69 mm
Ngjyra: Kafe në të verdhë
Hedhur në qarkullim: 14.07.1997; 08.04.2002; 20.07.2009; 09.09.2013
Pamja e përparme: Portreti i Naim Frashërit (1846-1900) dhe në sfond një libër i hapur dhe vlera nominale.
Pamja e prapme: Shtëpia e lindjes së Naim Frashërit, një fletë ku janë shkruar vargjet e tij “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqiptar”, si dhe pena e tij dhe viti i shtypjes së kartëmonedhës.
Vlera: 5000 Lekë
Përmasa: 160 x 72 mm
Ngjyra: E verdhë
Hedhur në qarkullim: 01.01.1999; 01.09.2004; 15.05.2009; 09.07.2014
Pamja e përparme: Portreti i Skënderbeut (1405-1468) simbol i shqiponjës dykrenore ai i mburojës dhe shpatës.
Pamja e prapme: Kështjella e Krujës, simbole, përkrenarja dhe monumenti i Skënderbeut mbi kalë në Tiranë.
Sigal