Forumi Ekonomik, D’Alema: Ballkani duhet të jetë në BE, si pjesë e rëndësishme e Europës

707
Ka nisur punimet paneli i dytë në Forumin Ekonomik të Vjenës që po zhvillohet në Tiranë me temë “Bridging the gap between the EU and the region, innovative strategies to attract FDI through connectivity”, me pjesëmarrjen e ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe figurave të njohura të politikës ndërkombëtare dhe fushës së ekonomisë. 
Duke u ndalur tek situata në rajon dhe zhvillimet Massimo D’Alema tha se “Nuk është koha e duhur për një zgjerim të mëtejshëm. Por Ballkani duhet të jetë i përfshirë në BE, si një pjesë e rëndësishme e Europës. Duhet të rigjallërohet kontinenti, dhe për këtë BE-së i duhen energji të reja. Integrimi i vendeve dinamike do përpjekje për zhvillimin e mëtejshëm. Ballkani ka qenë dhe do të vijojë të jenë në qendër të traditave ekonomike e lidhjeve përtej detit Adriatik. Konsolidimi i institucioneve, siguria, stabiliteti, dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Italia ka interes për përfundimin e Korridorit 8”.
Kurse kryeministri Rama theksoi se popujt e Ballkanit i bashkon ëndrra për integrimin në BE. “Europa të financojë këtë proces për të bërë paqen, një paqe që vlen të jetohet, në të kundërt, situata tjetër mund të jetë jo vetëm e tmerrshme për rajonin, por edhe Europën. Do të jetë një nga ato dhimbje koke që së fundmi Europa ka treguar se nuk është në gjendje që t’a përballojë në mënyrë mjaft të qartë. Financimi i këtij projekti, por edhe i projekteve që do t’a transformojnë atë në një proces të ndërtimit të rajonit europian, do të thotë të financosh të ardhmen e vet Europës”, deklaroi kryeministri Rama.
Forumi Ekonomik i Vjenës është themeluar në vitin 2004 si një platformë për promovimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi. Pjesëmarrjen në këtë aktivitet e konfirmuan kryeministrat e 7 vendeve, Shqipërisë, Moldavisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, e Maqedonisë e Kroacisë. 
Sigal