FMN: Tatimi progresiv nuk dha rezultat, Shqipëria humb 34% të TVSH-së

144
Kalimi në tatim progresiv dhe heqja e taksave mbi biznesin e vogël e ka ulur efikasitetin e grumbullimit të të ardhurave për arkën publike, – analizon Fondi Monetar Ndërkombëtar në kuadër të rishikimit të gjashtë dhe të shtatë të programit trevjeçar me Shqipërinë. Fondi vlerëson se konsolidimi fiskal në Shqipëri po bëhet i vështirë për shkak të dizenjimit të dobët të sistemit fiskal. Ndërsa normat e taksave janë në nivele të njëjta ose më të larta se të vendeve fqinjë, nga ana tjetër Shqipëria ka një efikasitet fiskal më të ulët se këto vende.
Politikat e vitit 2014, të cilat bënë kalimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga niveli i sheshtë në progresive dhe përjashtimi më 2016 i të gjitha bizneseve të vogla nga taksat shihet të kenë dhënë një kontribut të ulët në rendimentin e grumbullimit të taksave dhe kanë krijuar një mjedis të vështirë për biznesin, analizon Fondi. Në këtë kontekst, FMN ka orientuar qeverinë të rrisë efikasitetin e të ardhurave në miradministrimin e TVSH-së. Sipas një shembulli që Fondi ka marrë për bazë llogaritje, Shqipëria humbet 34 deri 39% të arkëtimeve të mundshme të TVSH-së, kur ky nivel në BE llogaritet rreth 15%.
Gjithsesi, FMN e inkurajon ekonominë, duke folur për shenja pozitive, por që duhet ende punë për kreditë. Duke njohur këto sfida, qeveria nisi një përpjekje në shkallë të gjerë për të trajtuar evazionin fiskal, e cila solli formalizimin e konsiderueshëm të punonjësve dhe bizneseve të vogla. Kohët e fundit, fushata ka ndryshuar fokusin për të synuar segmente me vlerë të lartë të biznesit dhe gjithashtu tatimet po shfrytëzojnë mjetet moderne të menaxhimit të rrezikut për të evidentuar shmangiet.