FMN: Shqipëria nuk është e ekspozuar; Cani: Kemi marrë masat

819
FMN deklaroi në Tiranë se ekonomia shqiptare nuk është e ekspozuar përballë krizës greke.
Shefi i FMN-së, Nadeem Ilahi, garantoi se sistemi bankar në vend është i sigurt dhe likuid, por pavarësisht nga kjo i tërhoqi vëmendjen qeverisë shqiptare që të marrë masat për të trajtuar me vëmendje efektet e mundshme.
“Kemi biseduar me autoritetet shqiptare për ndikimin që mund të ketë kriza greke veçanërisht në sektorin bankarë. Dhe ajo nuk do ti prekë fare ato sepse bankat në shqipëri janë tashmë likuide. Edhe bankat greke në Shqipëri kanë një pavarësi nga bankat e tyre mëmë. Edhe nëse do të paraqitej ndonjë rrezik ai do të ishte shumë i ulët. Dërgesat e emigrantëve kanë qenë të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Një pjesë e tyre vijonin nga Greqia dhe në këtë pjesë do të ndikojë kriza greke, por edhe kjo kalon me kalimin e viteve. Në gjykimin tona ndikimi nga kjo krizë për Shqipërinë është fare i ulët”.
Në një konferencë për krah Ministrit të Financave dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, u publikua dhe rritja ekonomike e vendit për 2015, e cila ka pësuar ulje në parashikim nga 3 në 2.7%. Ndikim për këtë tregues ka rënia e të ardhurave për 5 mujorin e parë të këtij viti.
Sipas shefit të FMN-së në rënien e të ardhurave për 5 muajt e parë të vitit ka ndikuar rënia e çmimeve dhe administrimi tatimor.
Megjithatë misioni tha se do të vazhdojë diskutimet për të vlerësuar se ku qëndrojnë dobësitë.
Borxhi publik sipas Ilahi duhet të mbahet nën kontroll përmes konsolidimit të treguesve fiskalë.
Cani: Efektet e krizës greke në ekonomi kalimtare, eksportojmë vetëm 5%
Edhe Ministri i Financave garantoi se efektet negative të krizës greke në Shqipëri janë nën kontroll.
“Situata greke nuk është lajm, kemi 5 vjet që ekonomia jonë përshtatet me këtë gjendje. Bizneset, aktorët ekonomikë shqiptarë kanë arritur të përshtasin planet e tyre për investime apo edhe tregti. Mundet që ulja e fuqisë blerëse ne Greqi të ndikojë disi në eksportet tona. Por kjo është një çështje për tu parë në kohë, për arsye se nëse do ndodhë zhvlerësimi i monedhës mund të jetë një efekt i përzier. Por supozojmë se do të ulet kërkesa për mallra shqiptare, duke qenë se eksportet tona janë vetëm 5.3%, nuk është ndonjë shifër e madhe. Dhe nuk bëhet fjalë që gjithë eksporti të ndalojë”.
Në konferencën e përbashkët me kreun e misionit të FMN-së në Shqipëri, Nadeem Ilahi dhe Guvernatorin e BSH-së Gent Sejko, Cani vuri theksin në rëndësinë e mbajtjes nën kontroll të bankave greke në Shqipëri.
“Më me rëndësi është për të parë diçka për bankat shqiptare me kapital grek. Këto banka janë terësisht në kontrollin e BSH-së. Të gjithë treguesit e sistemit bankar shqiptar, në veçanti të bankave greke janë të konsoliduara dhe s’ka asnjë rrezik për depozituesit shqiptar. Një tjetër faktor është çështje e remitancave. Impakti i tyre në ekonomi në vite ka rënë, por edhe ky faktor mund të merret në kah rënës apo dhe rritës në varësi nga sjellja e emigrantëve shqiptarë”
Sejko:Sistemi bankar shqiptar përballon çdo rrezik që mund të vijë nga Greqia
Vetë kreu i Bankës së Shqipërisë, Sejko deklaroi se sistemi bankar në Shqipëri është në gjendje të përballojë edhe gjendje ekstreme që mund të vijnë nga kriza në Greqi.
“Analizat tona tregojnë se sistemi bankar është i qëndrueshëm dhe kemi planpër masa të nevojshme në rast të situatave të paparashikuara”, tha ai.
Duke folur për parametrat financiare në të cilën ndodhet vendi, Sejko deklaroi se niveli i borxhit është nën kontroll dhe se gjendja financiare e familjeve shqiptare është në përmirësim.
Ai apeloi bizneset të vazhdojnë sipas planit pa u ndikuar nga gjendja në Greqi.
Guvernatori i BSH-së tha më tej se zhvillimet financiare janë në përputhje me parashikimet ku priten zhvillime pozitive në gjysmën e dytë të këtij viti.
Sigal