FMN: PPP dhe borxhi publik fundosin ekonominë shqiptare

643
Sigal

Ndryshoni urgjentisht ligjin, reformat ekonomike dhe financiare në vend kanë dështuar. Borxhi i Shqipërisë sa 70% e PBB-së dhe në 2019-n parashikohet ngadalësimi i rritjes ekonomike nga keqmenzaxhimi i financave, borxheve të prapambetura dhe abuzimit me koncensionet. Ja sektorët me risqe që mund të çojnë drejt falimentimit kompanitë shqiptare

FMN: Borxhi i Shqipërisë është sa 70% e PBB-së, në 2019-n parashikohet ngadalësim i rritjes ekonomike

Ekonomia shqiptare e rrezikuar nga borxhi i lartë publik, detyrimet e prapambetura dhe PPP-të

Borxhi i lartë publik dhe rritja e detyrimeve të prapambetura dhe detyrimet që vijnë nga projektet e Partneritetit Publik Privat vijojnë të mbeten rreziqet e mëdha të ekonomisë shqiptare. Këto ishin dhe disa nga shqetësimet kryesore të ngritura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në takimin e radhës me Shqipërinë. Në konferencën e përbashkët përfaqësuesi i FMN, Jan Kees Martijn bëri apel që të shlyhen sa më parë detyrimet pasi kjo dëmton klimën e të bërit biznes. Përfaqësuesi i FMN-së vuri në dukje se, politika fiskale ka shumë pak hapësirë për të mbuluar detyrimet e prapambetura dhe detyrimet që lindin nga PPP-të. “Perspektiva ekonomike afatmesme e Shqipërisë është përgjithësisht e favorshme, edhe pse rritja pritet të jetë e moderuar në vitin 2019. Ruajtja e ritmit të rritjes në periudhën afatmesme kërkon reforma për ta përmirësuar klimën e biznesit dhe për t’i zvogëluar pikat e dobëta. Risqet më kryesore vijnë nga borxhi i lartë publik, nga dobësitë në financat publike dhe nga pengesat për ndërmjetësimin financiar.”- u shpreh përfaqësuesi FMN që tha se borxhi real publik i vendit është rreth 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Pavarësisht nga rënia gjatë viteve të fundit, borxhi publik vazhdon të jetë i lartë, në rreth 69.9 për qind të PBB-së (përfshirë detyrimet e prapambetura) në fund të 2018 dhe parashikohet të zbresë në 66.3 për qind në fund të këtij viti. Në nivelin aktual të borxhit publik dhe të deficitit, politika fiskale ka shumë pak hapësirë për të përballuar apo kompensuar tronditje negative. Gjithashtu, risqet fiskale janë rritur edhe nga rritja e detyrimeve të kushtëzuara, siç janë ato që lidhen me partneritetet publike-private (PPP).

Rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Shefi i Misionit për Shqipërinë Martijn rekomandoi uljen e rreziqeve fiskale. “Specifikisht në mendojmë se korrigjimet duhet të vijnë nga të ardhurat fiskale, pasi shpenzimet nuk mund të ulen më tej.” Ai tha se nevojitet veprim i menjëhershëm për uljen e detyrimeve të prapambetura, dhe për rimbursimin në kohë të TVSH-së. Kufizimi i rreziqeve fiskale kërkon përmirësim të administrimit të kompanive energjetikë dhe autoritetet duhen të çojnë më tej reformat në sektorin e energjetikës, tha përfaqësuesi i Fondit. Nevojiten masa të mëtejshme për të reduktuar risqet që vijnë nga sistemi financiar, duke zbatuar kuadrin ligjor mbi falimentin. “Shqipëria është ndjeshëm e ekspozuar ndaj risqeve në rritje në BE, sidomos në partnerët e saj kryesorë tregtarë. Në frontin e brendshëm dobësitë janë kryesisht në sektorin publik. Ndërkohë që deficiti fiskal ka rënë gjatë vitit 2018, ai parashikohet që ai të rritet në 2.5 për qind të PBB-së në vitin 2019. Ky zgjerim nxitet pjesërisht nga shlyerja e planifikuar e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, çka në vetvete është diçka e mirëpritur. Por kjo rritje e deficitit vjen edhe nga masat tatimore të fundit që e zvogëlojnë bazën tatimore, e cila edhe më parë ka qenë e ngushtë, dhe që parashikojnë trajtim preferencial për të tjerë sektorë shtesë, përfshirë këtu uljen e shkallës së TVSH-së dhe shkallës së tatimit mbi fitimin. Për më tepër, ekzistojnë risqet e mosrealizimit të mëtejshëm të planit të të ardhurave dhe humbjeve të pritshme në sektorin energjetik për shkak të rënies së prodhimit nga hidrocentralet”. Në vlerësimin e FMN-së, nevojitet veprim i menjëhershëm për të kufizuar detyrimet e prapambetura të sektorit publik. Këto detyrime të prapambetura e cenojnë klimën e biznesit dhe besimin në qeveri. Autoritetet duhet të sigurojnë shlyerje të plotë dhe në afat të çdo kërkese të re të miratuar për rimbursim TVSH-je, duke i mos i lidhur rimbursimet me me flukset përkatëse të të ardhurave tatimore. “E rëndësishme është edhe marrja e masave të shpejta për të fuqizuar sistemin e kontrollit mbi angazhimet për projektet e investimeve, për t’u dhënë fund detyrimeve të prapambetura të qeverisë, në veçanti në fondin e rrugëve.” Fondi Monetar kërkoi ndalimin e përdorimit të propozimeve të pakërkuara për të gjitha PPP-të. “I nxisim autoritetet t’i përdorin ndryshimet e fundit në ligjin për PPP-të për t’i kufizuar risqet që lindin nga detyrimet e kushtëzuara të lidhura me to dhe për të siguruar administrim më të qëndrueshëm të investimeve publike. Kjo ka rëndësi për mbrojtjen e financave publike dhe për sigurimin e maksimizimit të vlerës. Vijojmë t’i nxisim autoritetet që të ndalojnë përdorimin e propozimeve të pakërkuara për të gjitha PPP-të.”