FMN, paralajmërim për koncesionet

198
Në raportin për Shqipërinë, drejtorët e bordit të FMN-së vlerësuan në dhjetor 2017 se për qeverinë mbetet sfidë zbatimi i projekteve me koncesion sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon bërjen transparente të detyrimeve për projektet me partneritet publik privat për të reduktuar risqet fiskale. “Duke pasur parasysh rreziqet fiskale të paraqitura nga agjenda e re e PPP-ve, Ministria e Financave duhet të sigurojë zbatimin e duhur të kornizës të PPP-ve duke përdorur kompetencat ligjore e zgjeruara kohët e fundit për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve të PPP-ve. Në kundërshtim me praktikën aktuale, ndikimi i PPP-ve në llogaritë fiskale duhet të vlerësohet dhe reflektohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare”, thuhet në raportin e FMN-së. Bordi i FMN-së, i rekomandon qeverisë, të vendosë një kufi për vlerën totale të gjithë kontratave me koncesion. “Zbatimi i kornizës së re të PPP-ve është një sfidë. Stafi rekomandon futjen e një kufiri sasior mbi vlerën totale të të gjitha kontratave me Partneritet Publik Privat, përveç kufirit aktual për pagesat buxhetore vjetore të lidhura me PPP-të, për të ndihmuar në mbulimin e rreziqeve. Stafi gjithashtu theksoi nevojën për të përmirësuar kapacitetin e Njësisë së Rreziqeve Fiskale për të ndërmarrë analizën e kontratave të reja të PPP-së dhe për të fuqizuar INSTATin për të regjistruar PPP-të në llogaritë fiskale dhe statistikat për borxhin në përputhje me praktikat ndërkombëtare”, thuhet në raport. Bordi i FMN-së theksoi se qeveria ka nevojë për të mbledhur më shumë të ardhura, duke iu shmangur uljes së taksave ose dhënies së përjashtimeve të reja apo politikave preferenciale të taksave.