FMN këmbëngul: Stop koncesioneve, mos firmosni asnjë kontratë

935
Pasi kritikat në raportin vjetor nuk bënë efekt, përfaqësuesi i Fondit në Shqipëri përsërit nevojën për të pezulluar koncesionet e reja dhe për të mos përdorur të ashtuquajturat “propozime të pa kërkuara”
Duke vlerësuar se kapacitetet administrative të qeverisë shqiptare për vlerësimin e cilësisë së projekteve të investimit janë “të papërshtatshme”, Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi që qeveria aktuale të mos firmosë “asnjë kontratë të re të madhe koncesionare”. “Kuadri i punës së qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimit, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm sipas vlerësimit të FMN-së. Deri sa ky kuadër pune të mund të fuqizohet në mënyrë thelbësore, është më mirë që të mos firmoset asnjë kontratë e re e madhe PPP”, deklaroi përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, Jens Reinke. Kjo është një gjuhë me edukatë, e cila do të thotë se FMN nuk e vlerëson qeverinë shqiptare si të aftë për të gjetur idetë më të përshtatshme për investime publike dhe gjithashtu e konsideron të paaftë për të llogaritur siç duhet kostot dhe rreziqet që mbartin kontrata të tilla për financat e vendit. Por mungesa e racionalitetit në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve nga kontrata të tilla koncesionare është vetëm njëra anë e problemit. Ana tjetër e problemit, sipas FMN-së është përdorimi kundër çdo logjike ekonomike dhe juridike e mekanizmit të njohur si “propozim i pakërkuar”. “Ne rekomandojmë që qeveria të tenderojë të gjitha projektet dhe të mos mbështetet në propozimet e pakërkuara”, tha Jenke në një përgjigje me email për BIRN.

Ligji aktual për partneritetin publik privat njeh dy mekanizma për dhënien e koncesioneve. Mekanizmi i parë është kur qeveria dëshiron të vë në punë një aset publik, fjala vjen, një lumë me potencial për prodhimin e energjisë elektrike dhe e hedh në tender këtë aset në bazë të kritereve të qarta, duke kërkuar oferta për, fjala vjen, kompanitë që pranojnë ta shesin energjinë e prodhuar nga hidrocentrali me një çmim sa më të ulët të jetë e mundshme. Por kjo nuk është skema që qeveritë shqiptare, ajo e shkuara dhe kjo aktualja, kanë pëlqyer. Ato kanë pëlqyer rrugën tjetër, në të cilën, një kompani private pretendon se ka zbuluar një ide që qeverisë nuk i ka vajtur në mend, fjala vjen, ka zbuluar që në Shqipëri ekziston një lumë që mund të prodhojë energji elektrike. Në këtë rast, kompania bën një propozim te qeveria pavarësisht se qeveria nuk e ka kërkuar një propozim të tillë. Qeveria e gjykon propozimin dhe del në konkluzionin se ai vlen dhe si shpërblim, i jep propozuesit një bonus, një avantazh të paracaktuar në një tender që teorikisht do të pranojë oferta për këtë propozim. Në të vërtetë, kjo është rruga mbyll mundësinë për garë dhe paracakton fituesin. Qeveria e shkuar dha në këtë mënyrë disa qindra kontrata koncesionare për ndërtim hidrocentralesh. Qeveria aktuale e shtyu më tej përdorimin e kësaj skeme, duke dhënë, jo vetëm kontrata për ndërtim hidrocentralesh, por edhe kontrata për ndërtim rrugësh. Kulmi duket se u shënua në rastet e hidrocentraleve të Skavicës dhe Poçemit. Në rastin e Skavicës, qeveria pranoi një “propozim të pakërkuar” nga një kompani turke duke i dhënë asaj një bonus. Tenderi dështoi sepse as kompania që kishte marrë bonusin nuk mori pjesë në tender. Në rastin e hidrocentralit të shumëdebatuar të Poçemit, një kompani tjetër bëri të njëjtën praktikë dhe në këtë rast ajo e mori kontratën koncesionare në një tender ku nuk kishte asnjë pjesëmarrës tjetër. Në të dyja rastet, parimi i ofertës së pakërkuar u shty përtej çdo imagjinate për shkak se hidrocentrali i Skiavicës dhe ai i Poçemit janë projektuar nga shteti shqiptar që nga vitet 1970 dhe se nuk ka kurrfarë ideje novatore për të justifikuar pranimin e një oferte të pakërkuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është parimisht kundër projekteve të partneritetit publik privat, të njohura në shqip më së shumti si koncesione. Por në rastin e Shqipërisë, FMN thotë se qeveria dukshëm nuk e ka aftësinë për të dalluar se çfarë leverdie ekonomike kanë për vendin këto projekte të tilla. Qeveria aktuale ka propaganduar gjatë muajve të fundit një paketë të re të stërmadhe koncesionesh, të cilës qeveria i ka vënë emrin bombastik në anglisht “One Billion”. Në programin e qeverisë është bërë e ditur se disa rrugë, si rruga Tiranë – Dibër, apo një spital, (spitali rajonal i Fierit), bashkë me disa shkolla në Tiranë do të jepen me koncesion në këtë paketë. Pak javë më parë, një lajm i publikuar në Televizionin Publik Shqiptar bëri të ditur se kompania e shumëdebatuar “Gener 2” ka propozuar ndërtimin me koncesion të rreth 21 kilometrave autostradë përkundrejt çmimit të paimagjinueshëm prej 244 milionë euro. Me një kosto prej 12 milionë eurosh për kilometër, nëse bëhet realitet, kjo pritet të jetë një nga rrugët më të shtrenjta të ndërtuara në historinë e Shqipërisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu fillimisht shqetësime për kontratat koncesionare në raportin e saj vjetor për Shqipërinë, ku kërkoi mes të tjerash, që kostot e këtyre kontratave të llogariten si borxh publik nga një regjistër i veçantë nën menaxhimin e Institutit të Statistikave. Deri më sot qeveria nuk ka marrë masa për të zbatuar këtë rekomandim. Kontratat koncesionare afatgjata të tilla si koncesionet në shëndetësi, mbartin detyrime afatgjata për buxhetin e shtetit dhe janë borxh publik në të gjitha kuptimet me përjashtim të emrit. Vlera e përgjithshme e këtyre kontratave arrin në qindramilionë euro.

Gjergj Erebara/Reporter
Sigal