Fitch Solution: Shqipëria, ndër vendet me rrezik më të lartë politik e ekonomik në Evropën Juglindore

650
Sigal

Raporti ndërkombëtar: Shqipëria mbetet një nga vendet me barriera më të larta operacionale për të bërë biznes

Fitch Solution, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit, Fitch, ka publikuar raportin e fundit për indeksin e rrezikut në Evropën Juglindore. Indeksi i Fitch i rendit vendet në një shkallë nga 0-100, duke vlerësuar stabilitetin afatshkurtër dhe afatgjatë politik, perspektivën afatshkurtër ekonomike, potencialin afatgjatë ekonomik dhe barriera operacionale për të bërë biznes (sa më i ulët indeksi, aq më i lartë është rreziku). Shqipëria, së bashku me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën përfshihen në vendet që kanë rrezikun më të lartë ekonomik në afatin e shkurtër. Për Shqipërinë, indeksi është 45.2, duke u përkeqësuar lehtë në raport me vlerësimin e një viti më parë, ndërsa më të ulëtin e ka Bosnjë-Hercegovina me 35.8 dhe Kosova me 40.4%. Perspektivën më pozitive në afatin e shkurtër e ka Maqedonia, me një indeks prej 52.9. Në afatin e gjatë, BMI parashikon për Shqipërinë një përmirësim të lehtë të perspektivës ekonomike (indeksi rritet në 50.3). Në fakt, edhe në raportin e një viti më parë, pritej që perspektiva ekonomike të përmirësohej (në 49.6), por realiteti ka treguar që Fitch është detyruar që t’i braktisë këto pritshmëri pozitive dhe në fakt e ka ulur lehtë indeksin. Sa i përket rrezikut politik, ai mbetet më i ulët se në Kosovë, Maqedoni e Bosnjë, duke pasur një indeks prej 54.8. Situata politike pritet të ketë dhe përmirësimin më të madh afatgjatë, teksa indeksi parashikohet të rritet në 71.3, duke ia kaluar edhe Malit të Zi.