Firmat ankimojnë tenderin për mirëmbajtjen e tunelit të Kërrabës

487
Sigal

Mirëmbajtja e tunelit të Kërrabës, pjesë përbërëse e autostradës Tiranë-Elbasan, ende e papërfunduar, pritet që t’i kalojë për një periudhë dy vjeçare një operatori të ri. Prej vitesh praktika e prokurimit të mirëmbajtës së kësaj vepre pjesë e lotit 2 në autostradë, bëhet në terma dy vjeçare por këtë herë duket se operatorët ekonomikë pjesëmarrës kanë shfaqur rezerva. Në Komisionin e Prokurimit Publik është paraqitur disa ditë më parë një ankimim nga kompania ED Konstruksion e cila ka në thelb pikërisht procedurën e hapur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që ka në objekt menaxhimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe operimin e Tunelit të Kërrabës me një fond limit prej 194 milionë lekësh. Në faqen e KPP ashtu sikurse ndodh zakonisht jepen vetëm detajet e procedurës, ankimuesit dhe autoritetit kontraktor dhe jo ndonjë argumentim në lidhje me arsyen e ankimimit. KPP sipas ligjit duhet të marrë në shqyrtim ankesën dhe paralelisht të lejojë vijimin e procedurës ose ta pezullojë atë nëse e gjykon të arsyeshme deri në marrjen e një vendimi. Procedura “Menaxhimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i Tunelit te Kërrabës” u shpall në faqen e APP nga ana e ARRSH në datën 8 mars 2019 dhe operatorët kanë mundësi të paraqesin ofertat deri në datë 1 prill 2019. Përmes dokumenteve që shoqërojnë procedurën ARRSH bën me dije se sasia e trafikut që lëviz përgjatë tunelit është rritur me kalimin e viteve nga një mesatare ditore 7 000-8 000 mjete në ditë, aktualisht shkon 10 000-11 000 mjete në ditë shifër e cila shumëfishohet në periudha të veçanta të rasteve të festave apo dhe pushimeve verore e dimërore” thuhet në dokument. Aktualisht zona tunelore e drejtimit Tiranë – Hyrje Tunel, është ende e papërfunduar për shkak të mospërfundimit të Lot 1. Ky i fundit është bërë me dije se përfundon në maj të këtij viti dhe do të jetë i hapur për trafikun. Zona tunelore nga dalja Tunelit në drejtim të Elbasanit është e përfunduar totalisht, duke përfshirë edhe periudhën e garancisë së defekteve, gjatë së cilës u bënë edhe disa riparime lidhur me probleme të sinjalistikës, guardreleve, bankinave e tjerë.