Financat thellojnë gropën me 6.9 miliardë lekë në shtator

724
Ministria e Financave prezantoi një vështrim të përgjithshëm mbi të ardhurat dhe shpenzimet për periudhën janar-shtator 2015. Sipas treguesve fiskale të konsoliduar, ende paraprakë, (për arsye të njohura tashmë), ecuria e të ardhurave për periudhën është poshtë nivelit të pritshëm, sqaruan burimet zyrtare nga ministria e Financave. Të ardhurat totale të buxhetit arritën 279 miliardë lekë, nga 285.9 miliardë lekë të parashikuar për periudhën. Të ardhurat tatimore janë -3.8 miliardë lekë më pak se parashikimi, ndërsa ato jo-tatimore janë rreth -1.5 miliardë lekë nën parashikimin. Peshën kryesore të mosrealizimit të të ardhurave tatimore e mbartin të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat, më shumën prej -4.2 miliardë lekë, minusi i ardhur nga mosrealizimi i planit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prej -3.5 miliardë lekë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka një mosrealizim të planit për periudhën prej –0.6 miliardë lekë. 
Të ardhurat doganore
Taksa doganore ka performancë 6.1% më shumë se parashikimi dhe -1.2% me pak se një vit më parë. Akciza ka mosrealizim të planit prej rreth -3.3%, por krahasuar me një vit më parë ajo është rritur me rreth 0.8%. Renta minerare ka vazhduar rënien e saj dhe është nën objektivin e periudhës me-3.8% ose -43.4% më pak se viti i kaluar. 
Të ardhurat nga TVSH
Rënia e të ardhurave nga TVSH në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e importeve të cilat për periudhën nëntëmujore, importi i taksuar ka rënë me -1.5%, eksporti ka rënë me -3.5%, ku ndikim kryesor rënia e importeve e të energjisë, rritje e importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuar nga TVSh me 23.2 % krahasuar me një vit më parë, rritje e importit të barnave dhe arit të përjashtuar nga TVSh, me rreth 19.2% krahasuar me një vit më parë, si dhe rënia e importeve në total me -2.4% krahasuar me një vit më parë. Në total, rënie e importeve të grup produkteve kryesore krahasuar me vitin e kaluar kanë sjellë një efekt negative në të ardhurat nga TVSh në masën 2.9 miliard lekë.
Të ardhurat nga Akciza
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 96.7% në krahasim me objektin, ose rreth minus 900 milionë lekë. Nga analiza e importeve dhe taksave përkatëse të gjithë produkteve kryesore të akcizës, konstatohet se janë rreth 709 milion më pak TVSh nga produktet e akcizës krahasuar më një vit më parë dhe rreth 1.1 miliard lek më shumë akcizë. Për produktet e akcizës vërehet një rritje e konsumit të pothuajse të gjithë produkteve të akcizës si kafe, birrë, pije alkoolike apo verë, me përjashtim të cigareve. Megjithëse ka ulje të zhdoganimeve për karburantet gjatë 9 ujorit me 5,400 ton, sasi kjo e kompensuar dhe tejkaluar me prodhimin vendas prej 17,934 ton karburant. Në total, importi dhe prodhimi vendas i karburanteve, kanë një rritje prej 3.3% në krahasim me vitin e kaluar. Akciza e cigareve, megjithë rritjen e nivelit të akcizës nga 1 janar i këtij viti, vazhdon të jetë e ulët në krahasim me parashikimin për arsye të rënies së importeve, të cilat për periudhën janar-shtator 2015 janë 1,866 ton nga 2,090 ton që kanë qenë vitin e kaluar. Sasia më e ulët e zhdoganimeve përbën edhe minusin e mosrealizimit të të ardhurave nga akciza.
Të ardhurat tatimore
Të ardhurat nga tatimet të realizuara nga Administrata tatimore janë 84.5 miliard lekë, me një rritje prej 10.9% krahasuar me vitin e kaluar ose 31.1% më shumë se viti 2013. Përkundrejt objektivit, administrata tatimore ka realizuar këtë në masën 99.2% ose rreth 300 milionë lekë më pak. 
Tatimi mbi të ardhurat personale
Tatimi mbi të ardhurat personale është me mosrealizim kundrejt planifikimit për arsye të vazhdimit të ndikimit të rënies së normave të interesit, të cilat ndikojnë në të ardhurat nga tatimi mbi interesat, si dhe dividentëve të paguar kryesisht në muajin gusht të këtij viti, pagesa të cilat ishin më të ulëta se parashikimi si dhe të ardhurat e ulëta nga shitja e pasurisë së paluajtshme.
Analiza e shpenzimeve kryesore buxhetore
Për periudhën janar-shtator 2015, shpenzimet e përgjithshme publike u realizuan në masën 70 për qind të planit vjetor. Shpenzimet faktike, të krahasuara me planin e periudhës 9-mujore janë rreth 2 për qind më të ulëta, gjë që tregon një realizim mjaft të mirë dhe konsiderueshëm në përputhje me planin. Kjo ulje, kryesisht vjen si pasojë e nivelit më të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale si dhe në zërin e likuidimit të detyrimeve të prapambetura. Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve. Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për periudhën janar-shtator 2015 është konstatuar një mosrealizim në investimet me financim të huaj në nivele të konsiderueshme, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele të kënaqshme pavarësisht se jo në nivelet e dëshiruara. Ky mosrealizim i investimeve të huaja në nivelet e kërkuara, në raport me planin për programet në periudhën afatmesme ka ndodhur për shkaqe të ndryshme si, shtyrja e afatit të realizimit nga procesi i prokurimit, apo edhe nga vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve. Krahasuar me planin e parashikuar, kemi një rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit, por njëkohësisht trendi më i ngadaltë i shpenzimeve të realizuara në raport me planin ka ulur konsiderueshëm deficitin buxhetor. 
Sigal