“Financat” hua 32.1 mln € nga BB për reformimin e sistemit spitalor

704
TIRANË – Ministria e Financave dhe Banka Botërore kanë nënshkruar ditën e sotme marrëveshjen e huasë e cila siguron financimin e nevojshëm për Projektin e përmirësimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri, nëpërmjet huasë në shumën 32.1 milionë euro.
Marrëveshja është firmosur nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe Përfaqësueses së Përhershme të Bankës Botërore për Shqipërinë Tahseen Sayed.
Projekti për përmirësimin e sistemit shëndetësor do të bashkëfinancohet gjithashtu nga qeveria shqiptare në vlerën 4 milionë euro, shumë e cila do të shërbejë për financimin, në masën 37%, të punimeve të rehabilitimit fizik dhe përmirësimit të infrastrukturës spitalore, si dhe kontributin në pagesat e detyrimeve tatimore të lidhura me Projektin.
Nëpërmjet kësaj huaje dhe kostove lokale të financuara nga qeveria shqiptare synohet reformimi i sektorit spitalor, duke krijuar një kornize të shëndoshë ligjore dhe manaxheriale për ofrimin e shërbimeve efikase, forcimin e menaxhimit të performancës dhe planifikimit, tejkalimin e kufizimeve operacionale në ofrimin e shërbimeve, si dhe forcimin e sistemit të referimit.
Huaja e akorduar ka termat e mëposhtëm:
Shuma 32,100,000 Euro
Tarifa Front-end 0.25 % e shumës së huasë
Tarifa e Angazhimit 0.25% në vit mbi balancën e patërhequr të huasë
Maturimi 22.5 vjet, nga të cilat 7 vjet pa pagesë principali
Interesi Norma Referencë (EURIBOR 6-mujor) plus Marzhin e Pandryshueshëm (1%)
Projekti do të zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe parashikohet të përfundojë në 28 Shkurt 2021. 
Sigal