FIAA prezanton anketën për klimën e biznesit për vitin 2015

702
Shoqata e Investitorëve të Huaj prezantoi raportin për “Klimën e Biznesit 2015”, duke renditur si probleme shqetësuese korrupsionin dhe informalitetin. Sipas FIAA-s, indeksi i besimit në 94 korporatat e huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri ka rënë në vlera negative me -3 %. I pranishëm në konferencën e FIAA-s, mbajtur këtë të mërkurë në Tiranë, ishte edhe ministri i Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj. Presidenti i FIAA-s, Silvio Pedrazzi tha se arbitrariteti i Tatimeve është i lartë gjatë inspektimeve. Ai vuri në dukje se informaliteti në ekonomi është shqetësim, ndërsa kërkoi që ai të luftohet sistematikisht dhe të mos shoqërohet me arbitraritet dhe agresion ndaj biznesit. Por, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, sqaroi se ndryshimet ligjore në ligjin “Për procedurat tatimore” kanë si qëllim uljen e abuzivizmit në terren nga administrata. Sipas tij, ndërmarrja e një operacioni kundër informalitetit ishte kërkesë e përhershme e binzesit, në të gjitha tryezat e takimeve.
Sondazhi mbi “Mjedisin e Biznesit 2015″ u zhvillua nga FIAA në pranverë të këtij viti, me fokus kryesor në mbledhjen e reagimeve dhe opinioneve mbi mjedisin e biznesit në Shqipëri. Rezultatet e hulumtimit do të ndihmojnë FIAA-n të identifikojë problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen investitorët, të cilat duhet të adresohen për politikat e qeverisë për të përmirësuar mjedisin e biznesit në vend. FIAA është shoqata më e rëndësishme e biznesit të huaj që operon në Shqipëri. Prej 15 vjetësh ajo ka anëtare bizneset më të mëdha dhe më të shquara nga Italia, Greqia, Franca, Gjermania, Austria, Turqia, Britania e Madhe, SHBA, Kanada, Australi, Kinë etj, që veprojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, si shërbimet bankare dhe financiare, ndërtimit, minierave, energjisë, naftës, telekomunikacionit, turizmit dhe përpunimit dhe që punësojnë rreth 30 mijë persona.
Sigal