Faturimi i subjekteve pasive rrezikon gjoba e vlerësim tatimor për bizneset

967
Sigal

Bizneset: Ligji i ri për procedura tatimore po shkakton kosto shtesë

Në rast se një biznes aktiv faturon një subjekt pasiv atëherë ai (subjekti aktiv) jo vetëm që gjobitet me 10 mijë lekë, por rrezikon dhe vlerësim tatimor për mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme dhe të shpenzimit, sipas ndryshimit të fundit në ligjin e procedurave tatimore. Edhe më parë, subjektet aktive që faturonin NIPT-e pasive gjobiteshin 10 mijë lekë për faturim të gabuar, por tashmë ky veprim është sanksionuar si shkelje dhe është futur në ligjin e procedurave tatimore, që u ndryshua në fund të vitit të kaluar.

Tatimet në mënyrë të vazhdueshme kanë paralajmëruar bizneset për të bërë kujdes kur lëshojnë fatura me bizneset që kanë kaluar në statusin pasiv, ndërsa çdo ditë përditësojnë në faqen e tyre të internetit listën e subjekteve me status pasiv, ku janë rreth 120 mijë të tilla. Dy vitet e fundit, tatimet i kanë ashpërsuar kontrollet për subjektet që ndonëse janë pasive lëshojnë fatura, por bizneset ankohen se pse duhet ta pësojnë subjektet që anë aktive dhe veprojnë në rregull me ligjin. Armand Mala, ekonomist, thotë për Monitor se gjoba për bizneset aktive nuk ka sens. “Një njësi shitje që mund të kryejë 70-80 faturime në ditë, dhe që për arsye të ndryshme, p.sh., nuk ka akses në internet, do të marrë gjoba pa fund, por edhe nëse ke askes në internet, duhet që gjithmonë para se të presësh një faturë tatimore të verifikosh nëse blerësi është aktiv apo pasiv.”,-shpjegon Mala. Verifikimi nga bizneset i statusit që ndodhet biznesit i tjetër është kthyer në kosto të shtuar. Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë tha se tashmë bizneset janë të detyruar që të punësojnë një person të dedikuar për të verifikuar secilin biznes që hyjnë në transaksion në rast së është aktiv apo jo. Armand Mala shton se në praktikë është shumë i vështirë verifikimi një për një i të gjithë subjekteve që ndërvepron një biznes.  “Është një derë e madhe e hapur për gjoba, pasi subjektet kalojnë në pasiv e në aktiv vazhdimisht, dhe që të jesh në anën e sigurt i bie që para çdo shitje të futesh të kontrollosh listën  e tatimpaguese aktivë në faqen e tatimeve. Në një pikë shitje me shumë faturime bëhet praktikisht e pamundur të kontrollohet çdo rast. Akoma më keq në një pikë shitje që s’ka akses në internet, do të bëhet nëpërmjet telefonit (angazhohen dy veta për një fature),- shpjegon Mala.

Gjobat për shkeljet administrative

Në fillim të janarit Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi ndryshimet kryesore në ligjin për procedurat tatimore. Ndër të tjera është përditësuar edhe procedura për bizneset që kalojnë në statusin pasiv. Sipas ndryshimeve: Administrata tatimore qendrore publikon në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe përditëson mbi baza ditore listën e tatimpaguesve që janë në regjistrin pasiv. Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet si më poshtë:

  1. a) për shitësin, i cili është në regjistrin pasiv, bëhet vlerësim tatimor dhe dënim, në përputhje me nenin 116 të këtij ligji;
  2. b) për blerësin, vlerësim tatimor për mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme dhe të shpenzimit. Gjithashtu, çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit aktivë, persona fizikë apo juridikë tregtarë, me tatimpaguesit që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet si më poshtë:
  3. c) shitësi aktiv, në përputhje me pikën 2, të nenit 128, të këtij ligji.(Sipas pikës 2 të Nenit 128 të Ligjit të Procedurës gjoba është 10’000 lekë/faturë). Ky dënim nuk aplikohet në rastet kur, për arsye teknike, lista e tatimpaguesve në regjistrin pasiv nuk është përditësuar nga administrata tatimore;

ç) blerësi në regjistrin pasiv, me vlerësim tatimor të detyrimit dhe dënim, në përputhje me nenin 116 të këtij ligji (sipas nenit 116 përbën evazion tatimor dhe dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të diferencës së shumës së përllogaritur nga ajo që duhet të ishte në fakt). (Ndryshuar me ligjin 96/2018 date 03.12.2018)./Monitor