Fatos Çoçoli: Qeveria t’i kërkojë me forcë bankave, që paratë e shqiptarëve t’i investojnë këtu

726
Sigal

Intervistë/ Flet z. Fatos Çoçoli, ekspert i ekonomisë për problemin e moskreditimit të biznesit nga bankat

Në mungesë të kreditimit nga bankat, bizneset u janë drejtuar fajdexhinjve për të mbajtur në këmbë biznesin e tyre. Por, sipas ekspertit të ekonomisë, z. Fatos Çoçoli i shprehur në një intervistë për  “Telegraf”, tregu informal i kreditimit është një minë me sahat për realitetin shqiptar. Sipas z. Çoçoli, bankat shqiptare kanë likuiditet, por ato preferojnë të investojnë jashtë paratë që ua besojnë shqiptarët. Z. Çoçoli shprehet se qeveria mund të bëjë shumë në përmirësimin e raportit bankë-biznes. “Qeveria mund të nisë një fond garancie për vitin e ardhshëm, në mënyrë që bizneset që janë kreditorë të saj, të lehtësohen në marrëdhëniet e tyre me bankat, të vështirësuara për shkak të borxheve që u ka qeveria. Ky fond mund të parashikohet në Buxhetin e Shtetit të vitit 2014. Nga ana tjetër, Qeveria e re duhet t’ua kërkojë me forcë bankave që paratë që ua besojnë qytetarët shqiptarë ato, t’i investojnë këtu”, shprehet Çoçoli.

Z. Çoçoli, bankat tregtare kanë ulur në maksimum kredinë për ekonominë. Sipas jush, cilat janë shkaqet?

Vetë bankat të rendisin një armatë arësyesh: pasiguri për bërjen e biznesit në vend, borxhe të qeverisë tek sipërmarrjet, kreditë e pakthyera të vetë biznesit, mosnjohje e bankave nga sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, mungesa e një tradite transparence në marrëdhëniet e kompanive me bankat, struktura të dobta përmbarimi për ekzekutimin e kolateralit bankar, etj. Por këto arësye, ndoshta në një shkallë më të vogël, i kanë edhe vendet fqinje me ne, si Maqedonia, Mali i Zi dhe madje edhe Kosova. Megjithatë, kreditimi atje funksionon, nuk po përjeton ngërç, si tek ne. Kryeministri i sotëm me të drejtë ka kërkuar nga bankat, në një takim të zhvilluar në korrik të këtij viti, që të krijonin hapësira për kreditim të bizneseve dhe qytetarëve. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të rigjallëruar ekonomine, pas marrëzive qeveritare të gjysmës së parë të këtij viti në planin financiar dhe atë fiskal. Bankat i kanë të gjitha mundësitë ta bëjnë këtë. Sistemi financiar ka hyrë në një qerthull që po thellon më shumë gjendjen tejet të vështirë të ekonomisë sonë. Qytetarët hezitojnë të shpenzojnë dhe kanë rritur kursimet në banka. Por paratë, të cilat duhet të kanalizoheshin si kredi për të financuar biznesin, investimet ne vend dhe vetë qytetarët, fluturojnë jashtë. Fondet që bankat shqiptare kanë investuar jashtë shtetit arritën në fund të vitit 2012  rekordin historik 2.5 miliardë dollarë. Kjo është sa 27 për qind e të gjithë depozitave që shqiptarët kanë vendosur në banka.

Po përse bankat zgjedhin t’i dërgojnë investimet e tyre jashtë?

Kur i pyet, ato të përgjigjen se, kreditimi i ekonomisë, këtu tek ne, mbart shumë rreziqe. Po sipas tyre, ka rënë edhe kërkesa e biznesit për kredi. Në të vërtetë, marrëdhënia është e dyfishtë. Ka mosbesim edhe të vetë bankave tek biznesi. Sidomos tek kompanitë e ndërtimit. Borxhet e pashlyera të qeverisë tek këto kompani, kanë bërë që shumë kredi që këto kompani kanë marrë nëpër banka të mos shlyhen në kohë. Rënia e përqindjeve të maturimit të bonove të Thesarit të Shtetit është një tjetër arsye që i ka bërë bankat t’i kthejnë sytë vetëm jashtë. Deri vonë, përqindjet e larta të maturimit e bënin gati të panevojshëm kreditimin e ekonomisë. Mjaftonte, për shembull, që një bankë të blinte 30 milionë euro bono thesari përgjatë vitit, në ankandet e borxhit qeveritar, të organizuara nga Banka e Shqipërisë dhe kishte një fitim vjetor të garantuar. Nga ana tjetër, rënia e përqindjeve të maturimit(praktikisht e kostos së një pjese të parasë që siguron qeveria), duhej t’i detyronte bankat të ulnin përqindjet e interesit mbi kreditë që japin. Por kjo nuk ka ndodhur. Bankat tregtare tek ne kanë vijuar t’i mbajnë artificialisht të larta përqindjet e interesit mbi kreditë, duke humbur shumë treg huadhënie. Aktualisht ato janë 2-3 përqind më të larta se kreditë me kushte të njëjta, apo të afërta që jepen në Maqedoni apo Mal të Zi. Kjo diferencë është vrasëse për vullnetin e qytetarit apo sipërmarrësit, që të kërkojë kredi tek bankat.

A mund të bëjë diçka Qeveria për të ndihmuar marrëdhënien biznes-bankë?

Mund të bëjë shumë. Uroj që kjo të ndodhë që në mbledhjen e parë të strukturës së re këshillimore qeveri-biznes, të premtuar nga Kryeministri Rama. Qeveria mund të nisë një fond garancie për vitin e ardhshëm, në mënyrë që bizneset që janë kreditorë të saj, të lehtësohen në marrëdhëniet e tyre me bankat, të vështirësuara për shkak të borxheve që u ka qeveria. Ky fond mund të parashikohet në Buxhetin e Shtetit të vitit 2014. Edhe nëse fillimisht do të ishte shumë modest, do të bënte mjaft punë në përmirësimin e klimës psikologjike të raportit të lëkundur biznes-bankë.  Nga ana tjetër, Qeveria e re duhet t’ua kërkojë me forcë bankave që paratë që ua besojnë qytetarët shqiptarë ato, t’i investojnë këtu. Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se krahasuar me një vit më parë, investimet e bankave jashtë shtetit janë rritur me mbi 36.3 për qind ose në vlerë rreth 700 milionë dollarë. Bankat kanë likuidet të bollshëm. Vetëm në dy vitet e fundit depozitat në sistem janë rritur me gati 1.5 miliardë dollarë. Por kursimet e shqiptarëve nuk janë kanalizuar si kredi për të gjallëruar ekonominë. Siç e thamë, bankat i kanë investuar ato jashtë vendit. Banka jonë Qendrore, edhe pse me vonesë, me një masë pesë muaj më parë, i klasifikoi investimet e bankave jashtë shtetit më koefiçient maksimal rreziku, duke i detyruar ato që për çdo fond që investojnë jashtë, të mbajnë fonde të papërdorura rezervë. Por kjo lëvizje nuk ka dhënë rezultat deri tani. Kredia për ekonominë gjatë gjysmës së parë të këtij viti ka qenë pothuajse inekzistente. E tillë u paraqit dhe në këto tre muajt e parë të gjysmës së dytë. Tkurrja e kredisë është edhe më e fortë në valutë, ku raporti kredi përmbi depozita ka rënë nga 110 përqind në 65 përqind. Kjo, në një kohë kur Banka Botërore e klasifikon Shqipërinë si vendin me ndërmjetësimin më të ulët financiar në rajon, pasi në vendet e tjera, pjesa e depozitave që janë shpërndarë si kredi varion nga 90 deri në 120 për qind. Kryeministri Rama po tregon vullnet që të ndërtohet aksioni i përbashkët i institucioneve publike shqiptare, për të përballuar sfidat e mëdha të cilat i has sot ekonomia. Banka e Shqipërisë duhet të tregohet aktive. Ajo duhet realisht, dhe jo vetëm me fjalë, t’i vendosë bankat tregtare në pozita pune për të gjuajtur jo thjesht kreditë e lehta me blerjet e bonove të Thesarit të Shtetit(edhe këto tashmë jo shumë tërheqëse), por në tregun e vështirë e sfidues të kreditimit të ekonomisë private dhe qytetarëve në Shqipëri. Vetë qeveria e re mund të jetë më nxitëse ndaj këtij roli të bankës sonë qendrore.  Ritmet e zhvillimit ekonomik janë ngadalësuar duke krijuar jo pak vështirësi, si për sektorin publik dhe për atë privat , për bizneset, familjet e për sistemin financiar. Shpenzimet konsumatore janë të ulëta, kryesisht si pasojë e pasigurisë së familjeve për të ardhmen, por, së fundi, edhe në reflektim të ngadalësimit të të ardhurave. Shpenzimet publike janë të kufizuara nga mungesa e hapësirës fiskale, si pasojë e rritjes së borxhit publik dhe rritjes së defiçitit buxhetor e huamarrjes qeveritare në kufij të së pamundurës. Banka e Shqipërisë nuk duhet vetëm t’i konstatojë këto vështirësi, por të përveshë mëngët së bashku me bankat tregtare të sistemit që ajo drejton. Janë 2.5 miliardë dollarë në vit që duhen mbajtur në Shqipëri dhe duhen kthyer në kredi reale për ekonominë tonë. Sfida është pikërisht aty. Dhe kjo Banka jonë Qendrore duhet të ketë kurajon dhe këllqet ta pranojë këtë sfidë.

Tregu informal i kreditimit, një minë me sahat për ekonominë tonë 

Një treg paralel me bankat, ai i fajdeve ka nisur të përhapet fuqishëm. Bizneset i japin me përqindje interesi para njëri-tjetrit, ose struktura, grupime jo mirë të identifikuara, i “vijnë në ndihmë” biznesit, në mungesë të një roli aktiv të bankave tregtare. Kjo është e rrezikshme, pse tregu informal i fajdeve nuk ka asnjë garanci dhe dështime të forta në kthimin e parave mund të përmbysin të gjithë sistemin paralel të krijuar. Kur i pyet sipërmarrësit, ata të flasin me ndroje për këtë treg paralel, por nuk e mohojnë ekzistencën e tij. Kjo duhet ta shqetësojë shumë Bankën tonë Qendrore. Si dhe të gjithë ne, madje edhe qeverinë e re. Përbën një minë me sahat që mund të shpërthejë papritur.