Fatos Çoçoli: Kredia, si kthim shprese.

663
Sigal

Konsolidimi i sistemit bankar dhe shkrirja e disa bankave në bashkim me banka të tjera, ka rritur numrin e “bankave të mesme”, ato që kapërcejnë pragun e 5 përqindëshit të tregut dhe që normalisht janë ndër më aktivet në treg, njëlloj si shtresa e mesme e popullsisë dikton konsumin e një vendi. Për shumë prej nesh, vendi ynë vijon të duket si i pashpresë dhe thjesht një bazë e përkohshme jete për t’u braktisur një orë e më parë. Jo vetëm të rinjtë, por një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh të moshës së mesme e shohin të ardhmen vetëm në emigrim. Çfarë mund t’i mbajë lidhur me vendin është ndoshta pikërisht ideja për një biznes, për të realizuar diçka që ke pasur dëshirë të fortë ta bësh në vendin tënd. Huadhënien tek ne e ka ndihmuar këto vitet e fundit vazhdimi i pandërprerë i punës së bankës qendrore, Bankës së Shqipërisë, për uljen e nivelit të kredive të këqija, duke ndihmuar në ristrukturimin e një pjese të tyre dhe lejuar bankat tregtare të fshijnë nga bilancet kreditë e këqija. Pakësimi i tanishëm i kredive me probleme në vetëm 12.9 për qind të totalit të kredive (kur katër vite më parë ishte 25 për qind), u ka krijuar kushte bankave të mendojnë më shumë për huadhënien për qytetarët dhe bizneset dhe të ofrojnë produkte të reja për shtim kredish. Prandaj dhe për tremujorin e fundit tetor-dhjetor 2018, kërkesa e qytetarëve për kredi bankare u rrit nga tre muaj më parë, sidomos për kredi konsumatore (orendi të reja, blerje makine, udhëtime jashtë etj.). Parashikimet e bankave për tremujorin e parë të këtij viti janar-mars 2019 flasin për shtim të kërkesës për kredi nga qytetarët, si për kredi për konsum ashtu dhe për banesa. Edhe kushtet për dhënien e kredive për qytetarët janë lehtësuar në tremujorin e katërt të vitit 2018. Bankat do të realizojnë një lehtësim të mëtejshëm të standardeve të kreditimit për individët edhe në tremujorin e parë të vitit 2019. Sidomos kërkesa e bankave për kolateral (garanci për huadhënien), në raport me kredinë e marrë ishte më e ulët, duke ndikuar në lehtësimin e kushteve të kreditimit për individët. Po ashtu, bankat presin të aplikojnë kushte kreditimi disi më të lehtësuara edhe për bizneset, si dhe një kërkesë të shtuar të bizneseve për kredi. Kërkesa më e lartë nga ana e bizneseve pritet të vijë nga bizneset e vogla dhe të mesme. Faktorët që kanë ndikuar në kërkesën e shtuar për kredi të bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2018, ishin nevoja më e lartë për financimin e investimeve, si dhe mbajtja nga Banka e Shqipërisë e interesit për para në nivele të ulëta, duke ndihmuar mbajtjen ulur të normave të interesit për kreditë. Edhe pse, për shkak të fshirjes nga bilancet e bankave te kredive të këqija, duket sikur kredia është ulur, në fakt, për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018 ajo është shtuar me 4.9 për qind, duke hapur rrugën për një kredi akoma dhe më të rritur për këtë vit. Bankat duhet ta thonë të vetën për modelet e zhvillimit ekonomik të vendit dhe për reformat strukturore. Informacioni është i konsiderueshëm tek ato dhe ekspertiza që gjendet në gjirin e 14 bankave tregtare është e jashtëzakonshme, e madhe dhe e vyer. Kjo ekspertizë duhet kthyer në një zë autoritar në debatin ekonomik të ditës, për të propozuar zgjidhje dhe qasje të bazuara në një eksperiencë reale dhe në parashikime të sakta. Gjatë vitit 2018 infrastruktura financiare e sektorit bankar u fuqizua dhe u konsolidua më tej, pasi Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave nisën zbatimin e strategjisë kombëtare për fuqizimin e tregut të pagesave me vlerë të vogël dhe rritjen e shkallës së përfshirjes financiare të popullatës. Objektivi është dyfishimi i popullsisë që zotëron një llogari bankare, deri në vitin 2022. Dhe kush zotëron një llogari bankare, rrugën për të marrë një kredi dhe për të ndryshuar jetën e ka të hapur. Rritja e dukshme e kredisë për këtë vit mund të shërbejë si një shtysë kryesore që mund t’i mbajë shqiptarët në atdheun e tyre. Kush merr një kredi nuk largohet kollaj nga vendi i tij. Kush merr një kredi ndjek një ëndërr, një plan të përpunuar mirë në kokë, një ide biznesi apo një transformim radikal të jetës. Strukturat qeveritare, sidomos Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet t’i bashkohen përpjekjeve të bankës sonë qendrore për të rritur kredinë në lekë dhe në tërësi, totalin e huadhënies për qytetarët dhe bizneset. Kredi do të thotë zhvillim ekonomik më i lartë se 4 për qind dhe mirëqenie. Këto duhet të jenë gjatë gjithë këtij viti dhe më tej dy magnetet e kthimit të shpresës për shqiptarët se vendi i tyre bëhet, se këtu mund të jetohet.