Falimenti i “Kurum” rrit me 1 përqind kreditë e këqija

144
Falimenti i kompanive të mëdha, që operojnë në vend, rrisin kreditë e këqija. Kështu deklaroi dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë raportimit të veprimtarisë që institucionit qendror financiar gjatë vitit të kaluar. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë iu referua dy kompanive të mëdha, “Kurum” dhe “Armo”. Në rast të shpalljes së falimentit nga kompania “Kurim”, Sejko tha se kreditë e këqija do të rriten me 1 për qind. Për vitin që shkoi, niveli i kredive me probleme ra nga 25 në 18%, por siç tha Sejko, rreziku mbetet. “Nga informacionet, me sa di unë, gjendja nuk është alarmante. Por në rastin më të keq, në rast se do të shpallte falimentin, atëherë kjo do të ndikonte me rritjen me 1 për qind të nivelit të kredisë së keqe në raport me tepricën e kredisë. Por, nuk gjykoj se do të jemi në situatë alarmante”, deklaroi Sejko gjatë raportimit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Kompania “Kurum” që operonte në fushën e energjetikës dhe prodhimin e metaleve, ku Shqipëria mbante dhe vendin e parë në rajon për prodhimin e çelikut, ende nuk e ka shpallur zyrtarisht falimentin.