Evazioni fiskal, kazinotë 13 mln lekë borxh bashkive

652
Sigal

BERAT- Kontrolli i ushtruar në bashkitë Berat e Kuçovë ka konstatuar se bizneset kazino-lojëra me aktivitet në këtë qark, kanë një detyrim financiar prej 13 milionë lekësh ndaj këtyre bashkive. Burimet zyrtare për “Telegraf” pohojnë se, Sektori Kundër Krimit Financiar i Drejtorisë së Policisë ka finalizua me sukses operacionin e koduar “Rrënimi” nga ku u bë i mundur fillimi i procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të 13 pronarëve kazinove për evazion fiskal. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se, nga një përllogaritje financiare, 13 pronarët e ish- kazinove në Qarkun e Beratit kanë abuzuar duke mos derdhur në bashki 13 milionë e 625 mijë lekë. Sipas kontrollorëve, këta pronarë kanë kryer aktivitet të jashtëligjshëm në qytetin e Beratit, të Kuçovës dhe e në disa komuna periferike. Nëpërmjet aktivitetit të paligjshëm, ata kanë siguruar padrejtësisht shuma të mëdha financiare për vete, duke mos përmbushur detyrimin ligjor, atë të derdhjes së detyrimeve në arkën e vendorëve. Tashmë, këta persona janë të detyruar që ta kthejnë këtë shumë të munguar në arkat e bashkive e njëkohësisht, do të ndiqen penalisht për shkeljen ligjore që kanë bërë. Mësohet se penalizmi (ndjekja penale) e tyre do të bëhet në gjendje të lirë. Aktualisht, prokuroria ka bërë bllokimin e aktivitetit të tyre deri në përfundim të hetimeve. Burimet e mësipërme konfirmojnë se, kontrolli tatimor, me mbështetjen e Policisë së Rendit do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, për të verifikuar ligjshmërinë e aktivitetit të bizneseve dhe derdhjen e taksave në bazë të ligjit.