Eurostat: Populli shqiptar, ndër më jetëshkurtërit në Evropë

213

Eurostat: Jetëgjatësia mesatare e qytetarëve shqiptarë, 78.5 vjeç, femrat jetojnë 3 vjet më shumë se meshkujt

Shqiptarët, populli më jetëgjatë në Ballkan, por ndër të fundit në Evropë

Qytetarët shqiptarë klasifikohen si populli me jetëgjatësinë më të madhe në Ballkan, me një moshë mesatare 78.5 vjeç. Këtë vlerësim e ka bërë Instituti Evropian i Statistikave në një publikim për pritshëmrinë e jetëgjatësisë në lindje. Sipas Eurostat, në vendin tonë priren të jetojnë më gjatë femrat, deri në moshën 80.1 vjeçare, ndërsa meshkujt kanë një jetëgjatësi deri në moshën 77.1 vjeçare, në vitin 2017, pra femrat jetojnë 3 vjet më shumë. Këto shifra e rendisin Shqipërinë të parë në Rajon, duke lënë pas Kroacinë dhe Malin e Zi me një jetëgjatësi mesatare 77.8 dhe 76.5. Për sa i përket Ballkanit, popujt me jetëgjatësinë më të shkurtër janë bullgarët dhe rumunët, të cilët jetojnë mesatarisht deri në 75 vjeç.

Të parët në Ballkan, ndër të fundit në Evropë

Pavarësisht, epërsisë në rajon, në vlerësimin e bërë për vendet evropiane, Shqipëria renditet ndër të fundit. Pritshmëria e jetëgjatësisë në vendet e Bashkimit Evropian është 83 vjeç për gratë dhe 78 vjeç për burrat. Në Evropë, Spanja kryeson me pritshmërinë për të jetuar në moshën 83.2- vjeç, më pas renditen Zvicra dhe Italia dhe Qipro dhe Franca, ku jetëgjatësia e popullsisë varion mbi 82 vjeç. Sipas Eurostat, në të gjitha shtetet anëtare pritshmëria për të jetuar kur lind është më e lartë për gratë sesa për burrat, megjithëse diferenca ndryshon dukshëm.