Euro, përgjegjëse për rritjen e dobët ekonomike

593
Sigal

Agjencia e lajmeve “Sputnik” diskutoi në një intervistë me Nicola Borri, profesor i ekonomisë dhe financave në Universitetin LUISS të Romës, mbi statusin aktual të monedhës së përbashkët evropiane, e cila i mbijetoi krizave madhore gjatë dekadës së fundit.

Cili është mendimi juaj mbi statusin aktual të euros?

Euro është në rrezik dhe në një fazë vendimtare të jetës së saj të shkurtër. Kur një numër shtetesh evropiane vendosën të adoptonin një monedhë të vetme, ideja ishte se kjo monedhë e përbashkët do të ndihmonte jo vetëm tregtinë dhe rritjen ekonomike, por do të forconte edhe kohezionin politik dhe do të siguronte paqen në Evropë. Por në vend të kësaj, në shumë shtete evropiane, pjesa më e madhe e popullsisë mendojnë se euro është përgjegjëse për rritjen e dobët ekonomike, pabarazinë në rritje, varfërinë dhe tensionet mes vendeve të ndryshme, për shembull, atyre të pasura dhe më të varfra, janë rritur. Kjo është një fazë vendimtare, sepse vetëm ndryshimet e rëndësishme në institucionet evropiane mund ta shpëtojnë atë.

Sipas jush, vendet që kanë adoptuar euron si monedhë të tyre, kanë përfituar apo kanë humbur?

Sipas mendimit tim, ato përfituan nga euro. Së pari, normat e huamarrjes ranë edhe për shtetet e varfra. Së dyti, shtetet më të varfra ishin në gjendje të merrnin hua më shumë sesa në të kaluarën. Së treti, monedha e përbashkët dhe një bankë qendrore e përbashkët ishin në gjendje të kufizonin dëmet e krizës financiare.

Cili është mendimi juaj për gjendjen financiare të Eurozonës duke marrë parasysh vështirësitë fiskale në Itali? A jeni dakord se ekonomitë e Italisë dhe Greqisë ishin më të forta përpara euros?

Unë nuk bie dakord me mendimin se ekonomitë e shteteve si Italia apo Greqia ishin më të forta përpara se të adoptonin euron. Ishte euro ajo që u solli avantazhe të mëdha këtyre dy ekonomive, me kosto më të ulëta huamarrjeje dhe besueshmëri monetare.
Për fat të keq, këto ekonomi nuk e shfrytëzuan këtë mundësi për të reformuar ekonomitë e tyre të dobëta. Problemi i këtyre ekonomive është strukturor: Niveli i ulët i arsimimit të fuqisë punëtore, konkurrenca e ulët dhe taksat e larta janë përgjegjëse për shkallën e ulët të rritjes së produktivitetit. Ky është problemi i vërtetë i këtyre ekonomive.

Cilat janë shtetet që kanë prirje të përfitojnë dhe ato që do të humbasin për shkak të euros? A do të ishin ata më mirë nëse do të përdornin ende monedhat e tyre?

Ndoshta shtetet që kanë përfituar më shumë janë ato të europeriferisë, si Italia, Spanja dhe Greqia. Megjithatë, nëse këto shtete nuk mundohen që të përmirësojnë problemet e tyre strukturore (ato që u thanë më sipër), ato mund të humbasin edhe në të ardhmen.
Ndërsa nëse ato do të kishin sërish monedhat e tyre, kjo mund t’u jepte atyre një rregullim të shpejtë të përkohshëm ndaj problemit të ulët të produktivitetit nëpërmjet zhvlerësimit të monedhës së tyre dhe rritjes së eksporteve. Megjithatë, zhvlerësimi i monedhës është një instrument tejet i rrezikshëm për t’u përdorur.

Si do të ndikonte kalimi në euro i shteteve të Ballkanit, të cilat po kërkojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian?

Shtetet e Ballkanit do të kalonin një situatë të ngjashme me atë që kaluan shtete si Italia, Spanja dhe Greqia, menjëherë pas miratimit të euros, në vitin 1999. Kjo do të thotë ulje e normave të huamarrjes dhe flukseve të mëdha të kapitalit të huaj. Megjithatë, shtetet e Ballkanit duhet të mësojnë nga gabimet e kaluara të Italisë ose Greqisë dhe t’i përdorin këto burime për të përmirësuar produktivitetin e ekonomive të tyre.