Euro, në nivelet minimale prej fillimit të shtatorit

778
Euro e ka nisur javën e zhvlerësuar në raport me lekun në tregun vendas. Monedha e përbashkët u këmbye dje në nivelin e 133.36 lekëve, apo 0.05 lekë më pak se fundi i javës së kaluar. Ky është niveli më i ulët që prej fillimit të shtatorit, ku euro këmbehej poshtë nivelit të 133.4 lekëve. Që prej datës 13 tetor, euro ka hyrë në një trajektore rënëse, edhe pse diferencat kanë qenë të vogla. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, euro filloi të zhvlerësohej me ritme të shpejta, duke zbritur poshtë nivelit të 137 lekëve, rreth 3 lekë më shumë se niveli aktual i këmbimit. Ekspertët e këmbimit valutor pohojnë se, nuk është një trend normal i valutës, pasi historikisht me përfundimin e efekteve sezonale (fundi i sezonit turistik dhe i fluksit të emigrantëve), monedha e përbashkët forcohej. Arsyet e nënçmimit të euros, sipas ekspertëve, argumentohet me ofertën e lartë të valutës në treg dhe më qarkullimin e ulët të monedhës vendase. Përpos ofertës së lartë të valutës, ekspertët e argumentojnë zhvlerësimin edhe me qarkullimin e ulët të lekut në vend për shkak të rënies së konsumit. Nënçmimi i euros në bursa, nën nivelin e 1.16 dollarëve, është reflektuar në forcimin e monedhës së gjelbër. Dollari amerikan është këmbyer dje në tregun vendas me 114.93 lekëve, 0.37 lekë më shumë se fundi i javës që lamë pas. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, niveli i këmbimit euro/lek nuk ndikohet prej zhvillimeve në bursa, por nga niveli ofertës dhe kërkesës për valutë në vend. Zhvillimet në bursa reflektohen në nivelin e këmbimit dollar/lek. Megjithatë lëvizjet e javëve të fundit janë mbajtur nën mbikëqyrje nga ekspertët, pasi ato kanë dalë jashtë trendit të zakonshëm të këmbimit të lekut me monedhën e përbashkët evropiane, duke sjellë edhe shqetësim për Bankën Qendrore.
Sigal