Sigal

Euro ka vijuar të rritet sërish në tregun vendas duke prekur nivelin e 126.05 lekëve, për herë të parë që prej qershorit të këtij viti.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit euro është rritur me 0.21 pikë krahasuar me një ditë më parë, duke shënuar kështu ditën e gjashtë radhazi që ka rikuperuar ndaj lekut. Arsyeja kryesore e forcimit të euros mendohet të jetë largimi i emigrantëve dhe i turistëve.

Tradicionalisht, euro dobësohet gjatë muajit gusht, duke qenë se flukset e emigrantëve që kthehen me pushime, por edhe turistët që vijnë në vend, shtojnë ofertën në valute. Ndryshe nga vitet e tjera, Banka e Shqipërisë, u detyrua që të bëjë një ndërhyrje të jashtëzakonshme në tregun e këmbimit valutor, duke tërhequr tepricat në valutë për të mos lejuar rënien e mëtejshme të monedhës së përbashkët.

Euro nisi të zhvlerësohej më shpejtësi në tregun vendas derisa preku nivelin më të ulët në dhjetë vite, ku u këmbye përkundrejt lekut në datë 5 qershor në nivelin e 124.1 lekëve.