Euro arrin nivelin më të lartë në 5 muaj, këmbehet me 125.73 lekë

481
Sigal

 

Monedha e përbashkët evropiane prej disa javësh është shoqëruar me një tendencë të lehtë rritëse duke rikuperuar pikë pas rënies drastike gjatë vitit të kaluar. Megjithatë dje rritja e saj ka qenë shumë e fortë. Kështu Euro gjatë ditës së djeshme është këmbyer me 125.73 lekë në tregun e brendshëm valutor, duke u rritur me 0.92 lekë. Kjo është rritja më e madhe ditore që nga qershori 2018, kohë kur banka e Shqipërisë nisi një seri ndërhyrjesh të jashtëzakonshme në tregun valutor për të frenuar rënien e euros. Monedha Euro është kuotuar gjatë ditës së djeshme, në nivelet më të larta në gati pesë muaj, që prej fillimit të tetorit të vitit të kaluar. Në rritje ishte dhe dollari dhe gjithë valutat e tjera, sipas raportimeve nga Banka e Shqipërisë. Një dollar u ngjit në 110.31 lekë, me rritje prej 0.44 lekësh në krahasim me një ditë më parë. Kjo tendencë duket se lidhet me transferimin e fitimeve të kompanive të huaja në vendet mëmë, çka ka rritur kërkesën për valutë. Kompanitë e mëdha po mbyllin bilancet dhe po këmbejnë fitimet nga lekë në euro. Ata presin që kjo tendencë të vazhdojë të paktën deri nga fillimi i marsit. Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë, në bilancin e pagesave, bëjnë të ditur se për 9 mujorin 2018, të ardhurat dalëse nga investimet, pjesa më e madhe e të cilit është transferim fitimesh ishin 296 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transferimi i fitimeve pothuajse është dyfishuar. Ndër kompanitë kryesore që transferojnë fitimet janë bankat, pjesa më e madhe e të cilave janë me kapital të huaj. Vitet e fundit janë shtuar dhe koncesionarët, disa prej të cilëve po rezultojnë me fitime të larta, të cilat i transferojnë tek kompanitë mëma