Ermelinda Meksi/E vërteta dhe Xh.Orwell

756
Sigal

Ndërsa gjendja financiare është një nga shqetësimet më të mëdha për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, Ministria e Financave nuk ka botuar sipas detyrimit, të dhënat fiskale të 7 mujorit, me pretendimin e problemeve në sistemin elektronik të thesarit. Akoma nuk ka asnjë afat zyrtar, se kur ato do të jenë të disponueshme. Megjithatë, në këtë situatë, kryeministri në detyrë, në mbledhjen e qeverisë deklaroi se: Financat shqiptare janë transparente dhe gjendja ekonomike është solide!!!!!

Ai gjeti rastin të përgëzojë administratën tatimore e doganore, e cila gjatë muajit korrik, në tatime arriti të mbledhë 7 për qind më shumë, kurse doganat, sipas tij, mblodhën 16 për qind më shumë sesa në korrikun e vitit të shkuar…”

Por si qëndron e vërteta e të dhënave fiskale?
Nga të dhënat mbi të ardhurat, sipas disa burimeve operative nga tatimet dhe doganat, vërehet se nuk ka vend për përgëzime, pasi të ardhurat në dogana dhe tatime nuk janë realizuar, as në nivelin që punonjësit e këtij sistemi kishin programuar, duke krijuar një mosrealizim ndaj planit për korrikun me -2,3%, ose rreth 6 milion dollarë. Ndërsa, për periudhën janar- korrik 2013, të ardhurat në tatime dhe dogana tregojnë se mosrealizimet janë të larta, jo vetëm ndaj planit, por edhe ndaj faktit të 2012-ës. Përkatësisht, ato rezultojnë -7,6% dhe -2,2%, ose në madhësi absolute, mosrealizimi është 132 milion dollarë ndaj planit dhe 36 milion dollarë ndaj faktit të 2012-ës.
Realiteti ynë përgënjeshtron atë që thotë Kryeministri mbi transparencën, por edhe për sa ai flet për gjendjen solide të ekonomisë. Me poshtë po rendis disa tregues, të botuar nga vetë Ministria e Financave, për të dhënat fiskale të 6 mujorit:
1. Të ardhurat buxhetore janë 6-7 miliard lekë më pak se një vit më parë.

2. Borxhi ka arritur, sipas Ministrisë së Financave, në 871,8 miliard lekë nga 828.2 miliard lekë në fund të vitit 2012.

3. Deficiti buxhetor ka arritur 48.2 miliard lekë, kur parashikimi vjetor është 48.9 miliard lekë. Me të ardhurat nuk mbulohen shpenzimet korrente, duke u shfaqur deficiti primar.

5. Në fund të tremujorit të parë, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është vlerësuar në 63.3% duke tejkaluar kufirin e vendosur në ligjin buxhetor 62,6%.

6. Ka rënie në tepricën e kredisë në 553 miliard lekë nga 554 miliard lekë që ishte në Maj të vitit të kaluar.
Në këtë situatë, si mund të flasim për gjendje ekonomike solide? Çfarë duhet të ndodhë akoma që të tronditet stabiliteti ekonomik financiar i vendit?
Ky qenka stabiliteti? A duhet pritur të flasë FMN? FMN do e zgjidhë problemin tonë? FMN do rekomandojë shkurtim shpenzimesh, rritje taksash ,deficit të ulët buxhetor për vitin 2014.
Prandaj është koha të flitet qartë mbi ekonominë duke inkurajuar mendimin e lirë dhe profesional ekonomik, me synim për gjetjen e zgjidhjeve më optimale larg eklektizmit.
Për këtë situatë ekonomike tonën, ku sa më shumë flitet për transparencë, shifrat mungojnë, apo dalin shumë vonë, përgjigjen si përherë e gjej te i madhi Xhorxh Orwell, romani i të cilit “1984”, në majin e këtij viti në USA qe më i shituri, jo rastësisht sikurse edhe simbolika e personazhit që ai krijoi në këtë roman big-brother, dhe për të cilin flasin të gjithë, duke arritur përmasa globale.
“Statistikat qenë marrëzi, si në versionin origjinal dhe në atë të korrigjuarin. Punonjësit qenë të detyruar në shumicën e kohës t’i sajonin ato nga mendja. Për shembull, Ministria e Bollëkut e kishte parashikuar numrin e çizmeve, për tremujorin, 145 milion pala. Shifra reale, e prodhuar, u dha 62 milion. Megjithatë kur e rishikoi parashikimin, Uinstoni e zbriti shifrën në 57 milionë, me qëllim që, si zakonisht, të synohej në tejkalim. Sidoqoftë, edhe shifra 62 dhe ajo 57 milionë ishin shumë larg të vërtetës. Mundësia më e madhe ishte, të mos ishte prodhuar asnjë palë çizme. Dhe po kaq e mundshme, jo vetëm që nuk dinte kush sa palë qenë prodhuar, por as që çante kokën ta dinte. Ajo çfarë dihej me siguri, ishte fakti që çdo tremujor në letër, çizmet prodhoheshin në shifra astronomike, ndërkohë që gjysma e popullsisë së Oqeanisë ecte këmbëzbathur. Dhe kështu ndodhte me çdo statistikë, sado e madhe apo e vogël qe. Gjithçka zhdukej dhe në fund fare, as data nuk qe e sigurt”. “Puna e Uinstonit ishte të korrigjonte shifrat e kohëve të fundit dhe t’i barazonte me ato të parashikuarat. E shkuara rifreskohej ditë për ditë, madje minutë për minutë… Në këtë mënyrë, çdo parashikim i bërë nga Partia mund të vërtetohej me dokumenta që kishte qenë i saktë;.. Nuk lejohej të ekzistonte asnjë paragraf gazete apo kurrfarë opinioni që binte në kundërshtim me nevojat e çastit… Në fakt, mendoi Uinstoni ndërsa korrigjonte shifrat e Ministrisë së Bollëkut, as falsifikim nuk mund të quhej. Ishte thjesht zëvendësim i një marrëzie me një marrëzi tjetër”.  (Xhorxh Orwell “1984” faqe 63)