Energjia, telefonia celulare, tregu i sigurimeve dhe koncesionet nën hetimin e Konkurrencës

759
Sigal

Rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për 2013-n

Energjia, telefonia celulare, tregu i sigurimeve dhe koncesionet në kushte monopoli (Shërbimi i kontrollit të automjeteve; Shërbimi i pajisjes me pulla fiskale; Shërbimi i markimit të karburanteve;Lotaria Kombëtare; Shërbimi i skanimit të kontejnerëve pranë terminalit të Portit të Durrësit) do të jenë nën hetimin e Autoritetit të Konkurrencës. Kjo kërkesë vjen nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili i kërkon Autoritetit të Konkurrencës që për vitin 2014, të përmirësojë punën në sektorët më prioritarë të ekonomisë, ku përqendrimi i tregut ka sjellë deformime të funksionimit të tregjeve Hetimit, si dhe zgjidhjes së problematikës së shërbimeve koncesionare, të dhëna në kushte monopoli. Në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për 2013-n, të zbardhur në fletoren zyrtare Kuvendi vlerëson veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës në drejtim të: Rritjes së besueshmërisë të Autoritetit të Konkurrencës; Rritjes së efikasitetit; Konsolidimit të profilit të tij publik, si institucion që mbron interesat e biznesit, nëpërmjet zbatimit të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës; Punës në vijimësi për të përafruar kuadrin ligjor me atë të vendeve të Bashkimit Europian; Punës në vijimësi për të përmirësuar kuadrin ligjor në fushën e konkurrencës; Punës në vijimësi për të rritur monitorimin në treg; Hartimit të dokumentit të ri të politikës së konkurrencës; Objektivit për të rritur kapacitetin e stafit të Autoritetit të Konkurrencës, për të pasur një rol më proaktiv në zgjidhjen e problemeve të marrëveshjeve të ndaluara, praktikave antikonkurruese dhe abuzimit me pozitën monopoliste.

Kërkesat

Kuvendi kërkon që Autoriteti i Konkurrencës, për vitin 2014, të përmirësojë punën në drejtim të:

Fokusimit të veprimtarisë në sektorët më prioritarë të ekonomisë, ku përqendrimi i tregut në subjekte të caktuara ka sjellë deformime të funksionimit të tregjeve, si:

Tregu i telefonisë celulare

– Tregu i telefonisë celulare është paraqitur problematik, pasi shihet një fenomen antikonkurrues, që lidhet me diferencimin e theksuar të tarifave të thirrjeve brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit nga operatore të konsoliduar në treg, pavarësisht se kostot janë të përafërta. Ky fenomen, i cili kushtëzon sjelljen e konsumatorit dhe shkakton impakt negativ për konkurrencën e lirë, ka sjellë që numri i thirrjeve brenda rrjetit të jetë në nivelin më të lartë në botë (97 për qind e thirrjeve brenda rrjetit, ku Kenia është e dyta me 96 për qind) dhe në përqendrim të tregut, ku një kompani e vetme ka rreth 50 për qind të tregut dhe dy kompanitë e para rreth 90 për qind. Për të zgjidhur këtë situatë, e cila krijon mure në treg, duke penguar konkurrencën, Kuvendi i kërkon Autoritetit të Konkurrencës që të intensifikojë bashkëpunimin me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Tregu i sigurimeve

– Në këtë treg, rënia e shpejtë e çmimeve, pas liberalizimit në nivele shumë të ulëta dhe jokonkurruesue, cilësim ky që vjen si nga aktorët në treg, ashtu dhe nga organet mbikëqyrëse kompetente, nuk është zgjidhur, duke diversifikuar produktin, sipas modelit të propozuar (bonus-malus), por është bërë duke koordinuar rritjen e çmimit.

Energjia

– Zbatimi i vendimeve të mëparshme në këtë sektor, të cilat rekomandojnë një rritje të numrit të aktorëve në treg, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe uljen e kostove për konsumatorët.

Tregu i gazit të lëngshëm dhe problematika të tregjeve të tjera, të bëra publike nga operatorët, të cilat tregojnë brishtësinë e konkurrencës në Shqipëri

Koncesionet

Hetimit dhe zgjidhjes së problematikës së shërbimeve koncesionare, të dhëna në kushte monopoli nga Qeveria dhe Kuvendi, në të cilat kostot për qytetarët janë rritur në nivele shumë më të larta se në rajon, si:

– Shërbimi i kontrollit të automjeteve;

– Shërbimi i pajisjes me pulla fiskale;

– Shërbimi i markimit të karburanteve;

Lotaria kombëtare;

– Shërbimi i skanimit të kontejnerëve pranë terminalit të Portit të Durrësit.