Sigal

Referoma në energji duket se tashmë ka hyrë në një fazë të re, por të ngadaltë, që shihet me rezerva nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Në monitorimin tradicional të këtij institucioni për reformat në sektor në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, më shumë sesa vlerësime pozitive për Shqipërinë, ka kritika. Këto lidhen me disa prej pikave kyçe të dinamikës, që duhet të kishte marrë tregu që nga liberalizimi, te Bursa e Energjisë apo ndarja e OSHEE-së. Të gjitha këto pika janë në faza të ndryshme të zhvillimit, por më dobët vlerësohet ajo e liberalizimit, ndërkohë që ndarja e OSHEE, edhe pse faktike në letër për Sekretariatin, duhet që të bëhet edhe në funksione dhe aktivitet të operatorëve.

Liberalizimi, shtyja me dy vjet një hap pas

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vlerëson se shtyrja me dy vjet e afatit që konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt mund të furnizohen nga OSHEE, është një hap serioz pas. “Derregullimi i çmimeve të gjenerimit dhe furnizimit sipas ligjit të sektorit të energjisë për të gjithë konsumatorët e lidhur në tension të lartë 110 kilovolt dhe për ata me konsum vjetor mbi 50 milionë KWh. Sipas ligjit, çmimi i shitjes për të gjithë konsumatorët me përjashtim të atyre të lidhur në 0.4 kilovolt duhet të ishte i parregulluar në këtë moment. Për vitin 2018, kushtet që konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt të ndryshojnë furnizues janë të përcaktuar. Në praktikë, shumica e atyre të lidhur në tension 35 kilovolt nuk kanë ndryshuar furnizues, për shkak të mundësisë që iu dha nga amendimet e ligjit për sektorin e energjisë në shkurt 2018 për të vijuar furnizimin nga furnizuesi i mundësisë së fundit për një periudhë dyvjeçare, duke nisur nga data kur janë informuar nga operatori i sistemit të shpërndarjes që janë teknikisht gati që të ndryshojnë furnizuesin e tyre. Kjo në mënyrë efektive e shtyu hapjen e tregut dhe shkel të drejtën e konsumatorëve. Ky është një kthim pas serioz i përpjekjeve të Shqipërisë për të reformuar sektorin energjetik. Për më tepër, kontrata e furnizimit me shumicë mes KESH dhe OSHEE vijon të mbetet në fuqi. Sipas amendimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave, që përcakton detyrimet e furnizuesit publik, çmimi dhe sasia e energjisë që KESH i shet OSHEE për shërbimin universal vendoset nga ministri”, thuhet në raport.

Bursa e Energjisë fillon punë në 6-mujorin e parë të 2019-s

Bursa e Energjisë cilësohet si një tjetër projekt ambicioz që nisi me reformën në sektorin e energjisë. Por vit pas viti, duket se afati për nisjen e operimit të saj ka ardhur gjithmonë me shtyrje ndërkohë, që projekti nuk është parë me interes nga fqinjët e ftuar për t’u bërë aksionerë si Mali i Zi apo Maqedonia, me përjashtim të Kosovës. “Amendimet e 2018-s në ligjin për sektorin e energjisë caktuan një operator tregu si përgjegjës për organizimin dhe operimin e Albanian Power Exchange (Bursa Shqiptare e Energjisë). Vendimi i Këshillit të Ministrave për vendosjen e formës legale të strukturës së pronësisë të operatorit të tregut që do të adoptohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e amendamenteve është ende në fazë hartimi. Në mars 2018, operatori i sistemit të transmetimit ftoi operatorët e transmetimit të Kosovës, Republikës së Maqedonisë dhe Malit të Zi që t’i bashkohen bursës si aksionerë, por deri më tani, vetëm operatori i Kosovës ka shprehur interes. Bursa pritet që të hyjë në operim në pjesën e parë të vitit 2019”, – thuhet në raport.

Ndarja e OSHEE duhet të jetë funksionale jo vetëm në letër

Ndarja e vonuar e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të ishte arsyeja pse Sekretariati i Komunitetit të Energjisë do të hapte një çështje kundër Shqipërisë në fillim të këtij viti. Por vetë OSHEE do të reflektonte pas kësaj, duke nisur në dokumente ndarjen faktike të kompanisë dhe duke krijuar tre operatorë të rinj që do të vareshin nga kompania mëmë. Por sekretariati vlerëson se ndarja është vetëm në letra dhe jo në aktivitet. “Ndarja e operatorit të shpërndarjes brenda kompanisë shtetërore OSHEE ka filluar, por nuk ka dhënë rezultate të dukshme. Sekretariati hapi një çështje për mungesën e ndarjes së operatorit të shpërndarjes në janar 2018 dhe në mars 2018, OSHEE krijoi tre kompani të reja: Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, por pa nisur ndonjë aktivitet. Burimet e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve të shpërndarjes duhet të mundësohen në mënyrë urgjente për Operatorin e ri të Sistemit të Shpërndarjes”, thuhet në raport. Për momentin, OSHEE ka dërguar pranë Entit Rregullator të Energjisë aplikimet për licenca për secilin prej operatorëve të rinj ndërkohë që në proces më të avancuar është licenca e Furnizuesit të Tregut të Lirë për të cilën Bordi i Komisionerëve ka nisur shqyrtimin.(monitor)