Endrit Gjonçaj/Qeverisja e mirë kalon nga KLSH

719
Sigal

Dëgjojmë idetë e Kryeministrit të ardhshëm për një auditim ndërkombëtar të financave tona publike dhe na vjen mirë. Është gjë shumë pozitive që për performancën e tyre, të jepet opinioni i profesionistëve të huaj. Aq më tepër, për këto kohë të vështira krize që po kalojmë. Por, nga ana tjetër, është mirë të mos harrohet dhe të mos anashkalohet ekspertiza e vendit. Institucioni më i lartë në vend që ka detyrë kushtetuese t’i auditojë këto financa, është Kontrolli i Lartë i Shtetit(KLSH). Deri tani, na rezulton se ai e ka kryer me kompetencë detyrën e tij. Çdo trupë e huaj ekspertësh që do të vijë këtu, e ka të pamundur ta realizojë detyrën e vështirë të mbikëqyrjes dhe kontrollit të të gjithë administratës publike që menaxhon fonde buxhetore, pa suportin e atyre që çdo ditë e kryejnë këtë punë. Dhe për hir të së vërtetës, KLSH e ka kryer punën shumë mirë. Le të shohim për këtë, shifrat që ky institucion shpalos. Duhet theksuar se në dy vitet e fundit, ky institucion po punon intensivisht dhe konkretisht, për ta bërë më të përgjegjshme administratën publike. Vetëm gjatë vitit 2012, institucioni ka kryer 40 kallëzime penale për 125 nëpunës të administratës shtetërore të niveleve të ndryshme, ose 34 kallëzime më shumë, pothuajse 2 herë më tepër se sa 3 vitet 2009 (9 kallëzime)-2010 (5 kallëzime) dhe 2011 (6 kallëzime), të marra së bashku. Vetëm gjatë 5 muajve të parë të vitit 2013, KLSH ka çuar në prokuroritë përkatëse 16 kallëzime penale për 44 nëpunës të administratës shtetërore. Në kallëzimet penale të bëra nga KLSH, si në ato të vitit 2012 ashtu dhe në ato të vitit 2013, janë denoncuar për konsumim të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës, shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo falsifikimit, drejtues të lartë të administratës shtetërore si Drejtor Kabineti dhe Drejtorë të Përgjithshëm në Ministri, Kryetarë apo ish-Kryetarë Bashkie, drejtues të lartë në institucionet e ndryshme në rrethe, etj. Institucioni nuk ka pyetur për përkatësi ndaj forcave politike, përpara se sa të çojë në Prokurori dhe  të vërë përpara përgjegjësisë administratorë të Shtetit dhe të pasurisë publike për dëmet që ata kanë shkaktuar. Luftën kundër korrupsionit, institucioni e ka shtrirë edhe brenda radhëve të veta. Konkretisht, në muajin janar të vitit 2013, KLSH ka dërguar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dy kallëzime penale për dy prej ish-punonjësve të këtij institucioni, të cilët në shkelje të hapur të standardeve dhe procedurave të auditimit, kishin konsumuar elementët e figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit. Shumica e re në qeverisje, është në të drejtën e saj legjitime të dijë më shumë për parametrat fiskalë dhe financiare të qeverisjes së mëparshme dhe të mos e besojë atë, duke thirrur një organizëm auditimi të specializuar ndërkombëtar. Por, po aq në të drejtën e tij kushtetuese është edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, me njoftimet e tij të shpeshta për dërgimin në Prokurori të punonjësve të akuzuar për mashtrim financiar apo dëm ndaj Arkës së Shtetit, me denoncimet e tij për shumat miliona euro të dëmeve ekonomike nga mosarkëtimet e detyrimeve dhe taksave shtetërore, apo nga mosrespektimi i ligjeve financiare e për prokurimet publike të këtij vendi, shkaktuar si nga ministritë qendrore, dhe nga bashkitë e komunat. Qeverisja e mirë kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme, për t’u siguruar se politikat shtetërore janë zbatuar siç duhet në dobi të qytetarëve, janë realizuar strategjitë dhe mbi të gjitha, performanca e qeverisjes ka arritur, ose jo nevojat dhe pritjet e publikut brenda kuadrit ligjor dhe rregullativ. Qeveria e re e shtatorit duket e interesuar për këtë qeverisje të mirë dhe kjo është shenjë zemërdhënëse. Por ajo duhet të kujtohet, të shikojë dhe mësojë nga KLSH. Është përgjegjësi e KLSH të vlerësojë, ekonomicitetin, efektivitetin dhe efiçiencën e zbatimit të programeve dhe aktiviteteve qeveritare, për të siguruar përputhjen me standardet përkatëse dhe legjislacionin në fuqi. Qeveria do ta ketë KLSH sa aleat, aq edhe pasqyrë të pagabueshme të performancës së vet. Qeverisja e mirë kalon nga opinioni profesional i KLSH dhe që të gjithë, qytetarë, media, shoqëri civile ia vlen të angazhohemi dhe ta përkrahim këtë institucion kushtetues, pse auditimet pa kompromise të tij na ndihmojnë të arrijmë standardet e mirëqeverisjes që i kërkojmë të gjithë nga qeveria e re e shtatorit.