Emergjenca Civile: Alarm për përmbytje, reshje të forta në jug

Nga dita e sotme dhe në fundjavë parashikohet të ketë shira të rrëmbyeshëm, që rrezikojnë përmbytje, kryesisht në zonat jugore. “Sipas të dhënave nga institucionet tona, por edhe institucioneve ndërkombëtare parashikohet që në vendin tonë në datat 30 nëntor, 12 dhe 4 dhjetor të bien mbi 110 ml shi në 24 orë. Të njëjtën situatë do të ketë edhe veriu i Greqisë, çka do të rëndojë situatën në zonat tona jugore kryesisht vendet që përkeqësohen nga lumenjve Vjosa, Semani dhe Shkumbini, etj”, shprehet Shemsi Prençi, drejtor i Emergjencave Civile. Në të njëjtën kohë, Emergjencat Civile kanë lajmëruar të gjitha prefekturat e për të marrë masa, si në zonat urbane, edhe në ato rurale. Alarmi për prefekturat është dhënë të shtunën e kaluar, kohë e mjaftueshme për marrë masat. Kujdes duhet treguar sidomos në shkolla. “Nëse do të vazhdojë procesi mësimor, gjatë ditës së premte, veçanërisht nxënësit e shkollave 9-vjeçare duhet të shoqërohen patjetër nga prindërit ose të afërmit”, u shpreh Shemsi Prençi. Më e rrezikuara nga reshjet është prefektura e Vlorës. Paraditen e djeshme në këtë prefekturë u mblodh shtabi e emergjencave, që vendosi bllokimin e lundrimit për të gjithë tragetet gjatë ditëve të shirave. Ndërsa prefekti dhe kryetari i bashkisë dhanë porositë e fundit për institucionet dhe qytetarët. “Në çdo sekondë që do të jepet sinjali për të reaguar. Të gjitha strukturat, duke filluar nga Drejtoria e Policisë së qarkut do të japin në kohë reale që popullata të mos gjendet në kushtet befasisë”, deklaroi prefekti Flamur Mamaj. “Në ditët e reshjeve të pakësojmë lëvizjen në rrugë, mbi të gjitha të lirojmë garazhet që janë përmbytur një vit më parë”, këshillon kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.