Eksportet shqiptare vijojnë të ulen – Deficiti tregtar në 2019-n, 137 miliardë lekë

589
Sigal

Eksportet shqiptare pësuan një tjetër rënie të fortë në muajin maj. Sipas të dhënave nga Instat, eksportet ranë me 8.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rrjedhimisht, maji e përkeqësoi akoma më shumë bilancin progresiv vjetor. Për pesë muajt e parë të vitit, eksportet u tkurrën me 3.6%. Rënia e eksporteve i detyrohet në radhë të parë rënies së prodhimit të energjisë elektrike në vend. Eksportet e grupit ‘minerale, lëndë djegëse’, energji ranë me 24% krahasuar me pesë-mujorin e vitit të kaluar. Por, megjithatë, dobësia e eksporteve nuk lidhet vetëm me rënien e prodhimit të energjisë. Grupi me peshën kryesore në eksporte, ‘tekstile dhe këpucë’, është në rënie për pjesën e parë të vitit, ashtu si edhe grupi i tretë për nga vlera e eksporteve, ‘materiale ndërtimi dhe metale’. Eksportet po rriten në grupe të veçanta, por që kanë një peshë relativisht më të ulët, si ‘ushqime dhe pije’, apo ‘makineri e pajisje’. Rritja në këto dy grupe duket se mund të jetë e lidhur sidomos me zgjerimin e eksporteve drejt Kosovës. Taksa e lartë doganore për mallrat serbe ka ndikuar që eksportet shqiptare drejt Kosovës të rriten me 41% për pesë muajt e parë të vitit 2019. Ndërkohë, importet për majin u rritën përsëri, me 3.8% me bazë vjetore. Edhe për pesë mujorin, importet janë zgjeruar, me 3.4% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ecuria në kahe të kundërt e eksporteve dhe importeve e ka thelluar deficitin tregtar të vendit. Në pesë muaj, ky deficit arriti në 137 miliardë lekë, në rritje me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.