Eksportet e mallrave në gjendje krize bien me 6.3%, deficiti rritet me 9%

686
Sigal

Deficiti tregtar u rrit me 9% duke arritur vlerën 47 miliardë lekë

Eksporti i mallrave ka shënuar ulje gjatë dy muajve të parë të vitit 2019, duke ndikuar drejtpërdrejt tek ecuria ekonomike e sipërmarrjeve shqiptare. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, eksportet ishin në gjendje më optimale ku në fillim të 2018-s ishin rritur me ritme dyshifrore. Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën janar mars, eksportet arritën në 44.4 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 6.3% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të tre grupet kryesore “tekstile e këpucë”, “minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “materiale ndërtimi e metale”, që së bashku përbëjnë rreth 75% të totalit të eksporteve kanë shënuar një ecuri negative.

Eksportet e “tekstile e këpucë” arritën në 20 miliardë lekë, me një rënie prej 2.2% në raport me dy muajt e para të viti të kaluar. Eksportuesit kanë pohuar vazhdimisht gjatë vitit të kaluar që ata u ndikuan negativisht nga nënçmimi i euros dhe kishin një pritshmëri pesimiste për këtë vit, pasi nuk po arrinin të mbyllnin kontratat me partnerët e huaj. Ky grup zë peshën kryesore të eksporteve me 45% të totalit.

Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” kanë shënuar dhe rënie më të fortë me 18.5%, duke zbritur në 6.5 miliardë lekë. Ky grup zë 14.6% të totalit. Ndikim kryesor këtu dha ulja e eksporteve të energjisë elektrike, që vitin e kaluar arritën kulmin për shkak të situatës së favorshme hidrike. Në rënie ishin dhe eksportet e Bankers Petroleum, më të madhit në vend, që shënoi tkurrje me 23 drejt Spanjës, që është dhe tregu i saj kryesor. Në total, Bankers ka eksportuar 97 mijë ton naftë gjatë dy muajve të parë të 2019-n, e njëjta sasi me janar-shkurt 2018.

– Në rënie të fortë ishin dhe shitjet e grupit “materiale ndërtimi e metale”, që u tkurrën me 25% në 6.4 miliardë lekë. Ndikimin kryesor e dha rënia e eksporteve të Kurum, ndryshe nga viti i kaluar kur kjo kompani i shtoi ndjeshëm shitjet jashtë vendit, kryesisht në Kosovë, pasi doli me sukses nga proceduar e falimentimit për efekt ristrukturimi. Ky grup zuri 14.5% të totalit të eksporteve. Me rritje ishin grupet Ushqime, pije, duhan (+17.7%), Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi (+8.9%) dhe Prodhime druri dhe letre (+4.7%), por pesha e tyre mbetet e ulët ndaj totalit.

Në dymujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 44 miliardë lekë, duke u ulur me 6,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 92 miliardë lekë, duke u rritur me 1,1 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 47 miliardë lekë, duke u rritur me 9,1 %, krahasuar me 2018.

Tregtia me Kosovën e Gjermaninë shënon rritje

Sipas INSTAT, Në muajin Shkurt 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shkurt 2018 janë: Kosova (61,2 %), Gjermania (7,2 %), dhe Greqia (2,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4,1 %), Spanja (-22,9 %), dhe SHBA (-16,1 %). Gjatë këtij dymujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova (18,7 %), Maqedonia (3,4 %) dhe Turqia (142,9 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-3,2 %), Gjermania (-3,0 %), dhe Greqia (-12,6 %). Në muajin Shkurt 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Shkurt 2018 janë: Turqia (21,1 %), Kina (12,7 %) dhe Gjermania (8,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-5,6 %), Greqia (-1,8 %) dhe Rusia (-10,1 %). Gjatë këtij dymujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kina (16,2 %), Turqia (5,7 %) dhe Rusia (16,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-9,5 %), Greqia (-1,7 %) dhe Gjermania (-1,8 %).