Eksperti i ekonomisë, Dorian Teliti: Shqipëria në emergjencë, klientelizmi i PPP, emigrimi dhe pse Banka e Shqipërisë ka përgjegjësi për paratë e pista

675
Sigal

Flet Dorian Teliti, ekspert ekonomie, Drejtor i Kabinetit në PD: Banka e Shqipërisë të marrë përgjegjësitë duke denoncuar përdorimin e parasë së pistë,  duke forcuar mbikëqyrjen e pronësisë në sistemin bankar

“Shqipëria, në emergjencë ekonomike e sociale. Qeveria po i ‘jep dorë’ emigrimit të qytetarëve dhe po abuzon me koncesionet klienteliste”

 

Eksperti i ekonomisë Dorian Teliti është shprehur se koncesionet e dhëna nga qeveria aktuale janë korruptive dhe klienteliste duke i shkaktuar një dëm të rëndë financiar buxhetit të shtetit dhe qytetarëve. Në intervistën për “Telegraf” Teliti theksoi se Partia Demokratike ka hartuar një platformë anti-oligarki që ka si synim shfuqizimin e çdo koncesioni që është dhënë në mënyrë abuzive nga qeveria e Rilindjes. Për drejtorin e Kabinetit në PD, në fokus të opozitës aktuale do të jetë; rritja e pagave për të gjithë sektorët e ekonomisë. Sipas tij një prej arsyeve të emigrimit masiv të mjekëve dhe infermierëve është pikërisht niveli i ulët i pagave në vend, ndaj duhen marrë masa për frenimin e këtij fenomeni, duke rritur rrogat në 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Një tjetër çështje problematike ka të bëjë me paratë e pista që po qarkullojnë në Shqipëri. Sipas Telitit, ekonomia shqiptare tashmë është e kriminalizuar, dhe paratë e krimit dhe drogës po investohen në masë në sektorin e ndërtimit. Sipas tij, Banka e Shqipërisë ka për detyrë dhe përgjegjësi të bëjë ndërhyrje konkrete për të denoncuar praktikat abuzive.

Zoti Teliti, a është ligjore dhe kushtetuese që një qeveri, e cila ka një mandat vetëm 4-vjeçar të japi koncesione e projekte me vlera afatgjata që shkojnë deri në 10 apo 20 vjet, sikurse ka bërë qeveria aktuale?

Ekziston ligji për partneritetin publik privat në Republikën e Shqipërisë, por që qeveria asnjëherë nuk duhet të marrë vendime, të cilat kanë efekte financiare për 20-30 vitet e ardhshme. Diskutimi që duhet bërë: A është politikisht e moralshme dhe a janë vendimarrjet e duhura? A ka tagrin politik një qeverisje e mandatuar vetëm për një 4-vjeçar të marrë vendime e vetme dhe pa u konsultuar me aktorët e tjerë politikë dhe grupet e interesit për  vendime që i përkasin 6 apo 7 mandateve të ardhshme. Vendimmarrje që shkojnë për 20 apo 30 vitet e ardhshme që duhet të merren gjithmonë me një konsensus të gjerë politik dhe publik, ku duhen përfshirë edhe të gjitha grupet e interesit  dhe bazuar në një diskutim sa më të gjerë, me qëllim që vendimmarrjet të jenë të duhura, racionale që bazohen në studime fizibiliteti dhe në analiza konkrete të qarta. Ajo që ne kemi konstatuar është, që gjatë këtyre viteve janë dhënë një sërë koncesionesh/PPP; në shëndetësi, në infrastrukturë, në shërbime, të cilat janë koncesione të karakterit klientelist dhe korruptiv.

Si do t’i anulloni koncesionet, të cilat po i denonconi çdo ditë?

Ne kemi prezantuar platformën tonë anti-oligarki, kemi prezantuar dhe skemën se si do të bëjmë shfuqizimin e të gjitha koncesioneve korruptive dhe klienteliste. Hapi i parë është konstatimi paraprak nga një grup pune, i cili do të ngrihet pranë institucioneve qeveritare, që do të konstatojë problematikat e përgjithshme me këto kontrata koncesionare, leje, licensa të dhëna në mënyrë abuzive, të cilat më pas do t’u kalojnë per trajtim institucioneve të drejtësisë, si prokuroria e posaçme antikorrupsion dhe gjykata e posaçme antikorrupsion. Do të jetë gjykata dhe jo politika ajo që do të vendosë për anulimin e këtyre koncesioneve. Ne sot kemi dyshime të arsyeshme të bazuara për praktika korruptive dhe klienteliste në dëm të qytetarëve dhe buxhetit të shtetit, bazuar në prova të qarta dhe konkrete, të cilat i kemi denoncuar edhe publikisht me dhjetra herë. Gjatë këtyre viteve kemi bërë denoncime publike mbi këto afera korruptive, si p.sh., në shëndetësi, në infrastrukturë, në sektorin e shërbimeve etj. Duhet theksuar, se hapi i parë i qeverisë së Partisë Demokratike do të jetë pikërisht ngritja e këtij mekanizmi verifikimi të të gjitha koncesioneve që ka dhënë qeveria e kryeministrit Rama.

Problem është, që me ndërrimin e qeverisë bëhet edhe rotacioni i oligarkëve. Mos vallë do të kemi një ndërrim vendesh të oligakëve, nga rozë në blu?

Absolutisht jo, ne kemi denoncuar dhe kemi një nga kauzat tona, pikërisht luftën ndaj oligarkisë dhe krimit te lidhur me pushtetin. Ne kemi folur me emër dhe mbiemër mbi ata që abuzojnë me paratë e taksapaguesve.

Të cilët kanë bashkëpunuar dhe me qeverinë e djathtë në të kaluarën…

Është e vërtetë që disa prej tyre janë firma, të cilat kanë ekzistuar edhe më përpara, por në asnjë moment nuk kemi pasur nga asnjë aktor politik, jo politik dhe as nga aktorë të tregut, denoncime për favorizime të hapura ndaj këtyre bizneseve. Sot, ato po marrin me ligje speciale, siç ndodh në rastin e Teatrit, po marrin kontrata koncesionare eksluzive, po marrin Partneritete Publike Private pa garë. Janë dhënë partneritete publike private personave që kanë vetëm një të punësuar dhe kanë 0 muaj, 0 javë eksperiencë në treg. Jepen dhjetëra e qindra miliona euro personave që nuk janë të përfshirë në treg, por kane sajuar firma në momentin e fundit. Ne jemi parti pro biznesit, ama duhet theksuar pro biznesit të ndershëm dhe jo pro disa bizneseve që kanë abuzuar dhe kanë vrarë konkurrencën e ndershme.

Zoti Basha disa ditë më parë në një takim me disa ekspertë të shëndetësisë deklaroi se paga minimale për doktorët do jetë 1200 euro ndërsa ajo për infermierët 700 euro, a parashikohet rritje edhe për sektorët e tjerë?

Në filozofinë e PD-së është mbështetja e të gjithë sektorëve të ekonomisë. Shëndetësia, ashtu dhe si edhe sektori i arsimit do të jenë prioritare gjatë qeverisjes sonë. Fenomeni i emigracionit është prezent gjate 3 dekadave të fundit, por ajo që po ndodh aktualisht dhe fatkeqësisht, prej muajsh tashmë, është se nuk emigron më vetem shtresa e te papunëve, por po emigron edhe shtresa e mesme dhe profesisonistet shqiptare. Po emigrojnë mjekët, po emigrojnë infermierët, po emigrojnë arsimtarët, pra profesionistë, të cilët kanë aktualisht një punë në vend, por e shohin që edhe këtu ka humbur shpresa për një jetesë më të mirë, ka humbur shpresa për një punë dinjitoze të respektuar dhe të mirëpaguar, u ka humbur shpresa për një të ardhme për fëmijët e tyre. Çdokush e vëren që sistemi i arsimit dhe shëndetësisë po rrënohen dita ditës, e shohin që paratë e tyre, taksat që ata paguajnë shpenzohen në mënyrë të padrejtë dhe i jepen një grushti personash oligarkë të lidhur me qeveritarët. Ata nuk kanë pritshmëri pozitive që investimi i tyre, i familjarëve të tyre të shërbejë për të pasur një te ardhme me të mirë në Shqipëri. Një nga arsyet e emigrimit të mjekëve dhe infermierëve, të cilët janë një nga fashat kryesore te profesionisteve që na kërkohen edhe nga vendet e Evropës Perëndimore, është pikërisht edhe niveli i ulët i pagave. Ne kemi pagat më të ulëta në Rajon për mjekë dhe infermierë, ndërkohë që Kosova ka arritur në nivele rreth 1000–1100 euro për mjekët dhe infermierët. Ne duhet të jemi te ndërgjegjshëm që, nëse duhet ta mbajmë këtë kontigjent profesionistësh në Shqipëri, është e nevojshme marrja e masave të menjëhershme për rritjen e shpërblimit financiar të tyre dhe një nga hapat e parë do të jetë pikërisht rritja e pagave të mjekëve në 1200 euro dhe pagave të infermierëve në 700 euro në muaj, në mënyrë që të ulim disi këtë migrimin masiv që po na ndodh me këtë shtresë profesionistësh, për të cilët duhen vite e vite studime dhe punë për ta prodhuar si “produkt”.

Programi ekonomik i PD-së i zbardhur deri tani, thotë se ju do të rrisni kaq shumë pagat e shtresës së mesme, biznesit do t’i ulni taksat. Problemi është ku do të gjenden paratë?

Ekonomia do të çlirohet duke shkëputur fijet që e lidhin me krimin, oligarkët dhe klientelën qeveritare. Do të ulen barrierat e të bërit biznes, do të thjeshtohen procedurat, lejet dhe licencat e nevojshme për të operuar në treg. Aktualisht në Shqipëri kemi një nivel të lartë evazioni. Që të kemi zhvillim duhet që biznesi të marrë frymëmarrje. Sot biznesi po falimenton me një ritëm prej 50 biznesesh çdo ditë, të cilët nuk ngrejnë qepenat e tyre në të gdhirë. Dryni që po vendos sot politika e Rilindjes është shumë i rëndë, është më i rëndë se sa qepeni. Duhen marrë masa urgjente për të mbështetur biznesin. Një biznes që është i shëndetshëm dhe lulëzon, është një biznes që do të paguajë më pas edhe detyrimet tatimore. Ne besojmë që; –me uljen e taksave, me implementimin e taksimit të sheshtë 9%, –me vendosjen e një kufiri të ri në masën 140 milionë të vjetra ose 140 mijë dollarë per bizneset e vogla, të cilat nuk do të kenë as TVSH dhe as tatim fitimi, por thjesht një taksim prej 0.5% të xhiros vjetore,– e gërshetuar me uljen e kostove të energjisë për biznesin dhe familjarët, –me uljen e kostos së transportit, –me anë të eleminimit të taksës Rama mbi qarkullimin me 30 lekë/litër, etj, ka për ta çliruar ekonominë, do t’i japë biznesit frymëmarrjen e munguar të viteve të fundit dhe ka për të rritur formalizimin e tregut. Një treg më formal do të thotë që edhe më shumë operatorë kanë për të paguar taksimin. Sot kemi emergjencë kombëtare ekonomike dhe sociale dhe zgjidhja vjen me hapa të guximshme dhe ne i kemi studiuar këta hapa, madje me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj.

A mendoni ju, si ekspert ekonomie, se roli i Bankës së Shqipërisë nuk duhet të jetë vetëm rol konstatues, por ky institucion duhet të zhvillojë edhe programe konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve? Si i vlerësoni ju politikat e bankës?

Banka e Shqipërisë ka në fokusin e saj sektorin financiar. BSH merr vendime dhe ndjek zbatimin e politikave monetare. Ndonëse, siç dihet, pothuajse çdo pushtet tashmë është i kapur nga kryeministri Rama dhe një grusht njerëzish afër tij, Banka e Shqipërisë akoma ruan atë pozicionin e, të cilën e ka pasur dhe në të kaluarën dhe vazhdon ta ruajë pavarësisht se ne kemi “kritikat” tona për sa i përket konstatimit dhe deklarimit të saktë, se çfarë ndodh në Shqipëri, përfshirë edhe denoncimin e praktikave abuziviste. Mjafton të përmendim çfarë ndodh në sektorin e ndërtimit. Sidomos në kryeqytet, sektori i ndërtimit ka një rritje të rëndësishme, ndërkohë që kreditimi për këtë sektor rezulton në ulje. Kur ne e kemi pyetur Bankën e Shqipërisë nga se po financohen ndërtimet e reja, kemi marrë përgjigje që financohet nga mjete alternative, pra e thënë ndryshe, nga paratë e pista, nga paratë jashtë tregut. Ajo që ne konstatojmë është se fatkeqësisht është kriminalizuar tashmë edhe ekonomia shqiptare. Nuk kemi më thjesht një kriminalizim politik, por është kriminalizuar dhe ekonomia dhe gjithë paratë e drogës dhe të krimit tashmë po hidhen, kryesisht në sektorin e ndërtimit. Nevojiten analiza nga ana e Bankës Qendrore mbi një vlerësim të përafërt pikërisht të parasë së pistë, e cila po qarkullon në tregun shqiptar. Vlen per t’u theksuar se rënia e kurseve të këmbimit vjen edhe si pasojë, pjesa dërrmues e masës më të madhe të rënies së kurseve të këmbimit apo e shfuqizimit të monedhave ndërkombëtare vjen kryesisht nga paratë e pista që ndodhen në treg. Ajo që kërkojmë nga të paktat institucione që kanë ngelur të pavarura, ku këtu hyn dhe BSH, është pikërisht edhe thellimi i influencës dhe i mbikëqyrjes që ajo ka mbi sektorin bankar. Nevojitet një mbikëqyrje më e mirë e sistemit dhe njëkohësisht duam që të ketë një mbikëqyrje akoma dhe më të fortë, për sa i përket edhe pronësisë së sistemit bankar, bazuar ne filozofi pro euro–atlantike. Është e vërtetë që Banka e Shqipërisë nuk mund të bëjë gjithçka, por ka në dorë për të dhënë mendimin e saj dhe për të ngritur këmbanat e alarmit aty ku duhet.

Zoti Teliti, Shqipëria është një nga vendet e para në Evropë në lidhje me burimet e naftës, por sërish qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmimin më të shtrenjtë të naftës në raport me fuqinë blerëse? Nga vjen kjo gjë? Si e vlerësoni ju, përpos faktit se në çmim përfshihet edhe taksa e qarkullimit?

Jo thjesht në raport me fuqinë blerëse, por edhe çmimi në tregun shqiptar është më i shtrenjtë se vendet e tjera. Kemi çmimin më të lartë në Rajon, më të lartë se Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania etj. Ne kemi çmim të lartë të karburantit për një arsye shumë të thjeshtë. Rreth 60–65% e çmimit aktual të shitjes së karburantit në treg përbëhet nga taksimi qeveritar, pra nëse sot çmimi i naftës është 180 lekë, mbi 100 lekë të këtij çmim janë taksim në arkën e shtetit. Kostot e karburanitit kanë ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare. Ne nuk kemi në dorë çmimet në bursë, ama kemi në dorë nivelin e taksimit, dhe me qëllim uljen e çmimit në tregun vendas mjafton të ulim një pjesë të barrës tatimore.  Që ditët e para të qeverisjes do të ndërmerret anulimi i Taksës Rama mbi karburantin. 300 lekë më i lirë do të jetë karburanti në Republikën e Shqipërisë, nga të cilët do të përfitojnë qytetarët e thjeshtë, bizneset e vogla, bizneset e mesme, bizneset e mëdha, pra do të përfitojë e gjithë ekonomia.

Ju faleminderit